Avokate Erinda Hyska —

Bashkimi Europian na shfaqet si një tablo me vetëm një rrugë vajtjeje, rrugë kjo drejt prosperitetit, na vjen para syve tanë si një fenomen esencial për zhvillimin e gjithë rajonit dhe veçanërisht për zhvillimin e Shqipërisë.

 

Integrimi Europian është një proçes i hapur për të gjitha vendet europiane, por udhëhiqet nga disa kritere, të cilat duhen përmbushur në mënyrë që të mundësojnë anëtarësimin në BE të shteteve të rajonit.

 

Kjo ka nxitur Shqipërinë për të marrë hapa të mëdha përpara, por të ecësh në rrugën e integrimit për në familjen e madhe europiane është një proçes i vështirë. Arritja e këtij objektivi do të thotë zhvillim i demokracisë, përparim ekonomik dhe ndërtimi i një shteti ligjor.

 

Perspektiva europiane bazohet te kushtëzimi. Vendet integrohen atëherë kur janë realisht gati për t‘i bërë ballë detyrimeve gjë e cila përkthehet në një punë të vazhdueshme për realizimin e reformave.

 

Parë në këtë këndvështrim, unë kam sjellë në fokus teorinë e Diamantit të Porterit.

 

Porteri gjatë përpjekjeve të tij akademike ka zhvilluar një model të quajtur “Diamanti i Porterit” i cili bazohet në pesë faktorë, të cilët unë i kam sjellë brenda kornizës së përcaktuar nga Progres Raporti i Komisionit për Shqipërinë. Këta faktorë përbëjnë njëkohësisht edhe pesë prioritetet  kyce që duhen përmirësuar.

 

Prioriteti i Parë: Reforma në Administratën Publike

Prioriteti i Dytë: Reforma në Sistemin e Drejtësisë

Prioriteti i Tretë: Lufta Kundër Korrupsionit

Prioriteti i Katërt: Lufta Kundër Krimit të Organizuar

Prioriteti i Pestë: Mbrojtja e të Drejtavë të Njeriut

 

Në një dimension tjetër unë kam sjellë kontekstin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi njësoj si pesë faktorët apo forcat e diamantit të Porterit që një vend apo një industri të ketë avantazhe duhet të përqëndrohet në fuqitë e tyre të brendshme, edhe vendi ynë, në një përqasje të tillë duhet të fokusohet në prioritetet e lartpërmendura.

 

Porteri, jo më kot ka përcaktuar termin diamant për t’ju referuar këtyre kushteve në idenë e një sistemi të një kombi, ku efekti i një faktori është ngushtësisht i lidhur me gjendjen dhe zhvillimin e një faktori tjetër dhe nga njëra anë dobësimi i një faktori ka impakt negativ në të gjithë elementet e të gjithë sistemit.

Njësoj si në këtë model, me qeverinë që luan rolin e katalizatorit duhet të bëhen përpjekjet maksimale në secilin drejtim, në mënyrë që të lëvizim drejt niveleve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

 

Por, në momentin aktual kur bota është e përfshirë në zonën e turbullimeve për shkak të virusit Covid-19, padyshim që të kapërcehet kjo situatë nuk është e lehtë pasi kërkon një aksion të madh të përgjithshëm ndërgjegjësues e qytetërues, respektim maksimal të masave të ndërmarra, është periudhë kohore në të cilën duhet të mendojmë dhe të vëmë në lëvizje të gjithë fuqinë tonë të brendshme si shtet, duke gjetur rrugët më efektive në mënyrë që ta fitojmë këtë sfidë botërore.

 

Edhe pse në kohë tepër të vështira për të gjitha shtetet në përballje me këtë pandemi, ne jemi një shtet që e kemi të qartë se ku shtrihet e ardhmja jonë.

 

BE-ja do të ketë përfitimet e veta kur Shqipëria të marrë “Pasaportën Europiane”. Megjithëse ne jemi një vend i vogël, jemi një nyje nevralgjike midis Ballkanit Perëndimor dhe Evropës dhe si shtet i tillë, përbëjmë një ndër faktorët kryesorë të gjithë rajonit që kemi se çfarë t’i ofrojmë Bashkimit Europian.

 

A do të jetë një e ardhme më e mirë pas Covid-19? Padyshim që po. Kemi përpara një sfidë të vështirë, por me mekanizmat e krijuar nga vendi ynë, me besim e disiplinën e duhur, gjithçka do të ketë efektivitet e pavarësisht ditëve të tilla do ja dalim. Këto janë momente reflektimi edhe për çdo individ. Në këto ditë të vështira, mund të japim më të mirën nga vetja jonë, mund të bëhemi shembull në shumë aspekte për komunitetin ku jetojmë, në këto ditë të vështira jemi më pranë njërëzve që duam, në këto ditë të vështira jemi të gjithë, për të gjithë.

Sa për integrimin në Bashkimin Europian? Patjetër që Unioni është i angazhuar për anëtarësimin e Shqipërisë, kam besim se shteti ynë do bëjë maksimumin mbi rekomandimet e dhëna sepse mbi të gjitha një Europë më e madhe, nënkupton një Europë më të fuqishme.