ANA LENA – Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës,
*Seri artikujsh blog “Youth Debate: A call to integrity”
Poeti vlonjat Ali Asllani jetoi në vitet 1884-1966 dhe kur lexon poezitë e tij habitesh se si vargjet i qëndrojnë ende me besnikëri të pashoqe kohës sonë. Në kuadër të ‘integritetit’ do të doja t’ju sillja në kujtesë disa nga vargjet e tij më të spikatura.
Hakërrim
… Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!
Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe kërkoni me ballhapur komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!
Duke kujtuar te gjithë autorët shqiptarë mund të bësh një kolazh voluminoz me poezi që edhe pse pas shumë dekadash, vazhdojnë t’i qëndrojnë me vërtetësi kohës që po jetojmë, por në pamundësi për ta bërë këtë, unë zgjodha për lexuesin vetëm disa nga vargjet më therrëse dhe të thukëta që mund të të kujtohen kur duhet të flasësh për integritetin e figurave politike sidomos në kohë elektorale.
Integritet është të qenit i ndershëm dhe të pasurit e parimeve te forta morale që nuk shkojnë nga fryn era. Unë mendoj se aktorët kryesorë të politikës shqiptare kundërmojnë erë “Hakërrimi” dhe partive që ata u përkasin janë dublime të njëra-tjetrës. Fjalimet e tyre, nëpërmjet të cilave prima facie duket se kontestojnë dhe sulmojnë njëri tjetrin, në thelb nuk janë gjë tjetër vecse tautologji.
Te “Gomari i Babatasit”, Gjergj Fishta flet për metamorfozën e një gomari të ri …
Unë nuk e di sa do të zgjasë e gjithë kjo situatë, por ajo që mund të them është se, me alternativat që shohim përditë, jemi shumë larg integri-tet/m-it europian.
Duke mos dashur të jem pesimiste po e mbyll këtë shkrim me nota shprese nga vargjet e të njëjtit poet të cilin ju solla në vëmendje.
Hakërrim
…Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!
Koka bën e koka vuan
… Shitet vendi për para, me para e për para…
Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thelle, di te vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!