Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi, 

Prej vitesh lektore në auditorët e universiteteve shqiptare jam përpjekur që dija, fenomeni, ngjarja e ditës të debatohej nga studentët e mi jo vetëm si spektatorë, por si pjesëmarrës aktivë të shoqërisë ku jemi pjesë. Në mënyrë modeste jam përpjekur të krijoj në orën time të seminarit atë mikro-studion time të debatit dhe analizës me argumenta. Në fakt nuk ka qene aspak e lehtë, madje vazhdon të jetë e vështirë. Unë kam vënë re që studentët japin opinione, shpesh bazuar mbi ndjesi, tek tuk me ndonjë argument të përsëritur nga leksioni, e ndërsa u kërkon që të debatojnë, kupton që për ta debati është SFIDË, jo vetëm se modeli publik i tij në mediume është pështjellues, ngatërrues, zhgënjyes, por mbi të gjitha sepse debati është veprimtaria që sjell artin e të lexuarit, të menduarit dhe të folurit së bashku, dhe kjo nuk është aspak e lehtë!

Për mijëvjeçarë, ligjet, aktet e luftës, vendimet e biznesit, mosmarrëveshjet martesore dhe hapësirat e lojërave janë zgjidhur përmes një lloj beteje dhe marrëveshjeje verbale. Në Greqinë e lashtë debatet ishin një nga elementët më të rëndësishëm të demokracisë. Qytetarët e Athinës argumentonin për avantazhet dhe disavantazhet e ligjeve të tyre, studentët mësuan të argumentojnë dhe të analizojnë probleme nga këndvështrime të ndryshme për t’i kuptuar ato më mirë.

Dihet që civilizimi kinez kishte një histori të gjatë të përdorimit të debatit në politikën publike dhe jetën publike. Historiani Kuan Ch’en vuri në dukje mbi 1500 vjet më parë se në Kinë debatet konkurruese ishin të zakonshme në një formë të quajtur “Flasim Pastër”. Në debatet e mesjetës në Evropë, kurset e të folurit ishin shumë të përhapura. Pastaj ato filluan të zhvillohen në sistemin arsimor. Kur studiuesit mesjetarë u përpoqën të krijojnë kurrikulën e universiteteve të para të botës, ata i konsideruan tre artet liberale thelbësore për lidershipin dhe promovimin e ideve më të mira: gramatikën, logjikën dhe retorikën (leximin, të menduarit, të folurit). Kur ata kërkuan të provonin thellësinë në të cilën ishin zhytur këto aftësi, universiteti mesjetar u kërkoi studentëve të marrin pjesë jo vetën në provime me shkrim, por në ato me gojë, për të sjellë argumenta dhe për t’i mbrojtur ato – me fjalë të tjera, për të debatuar. Që nga senati romak deri në parlamentin britanik, debati është bërë mekanizmi i zgjedhjes për të vendosur rendin e gjërave.

Edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, studiuesit përherë e më shumë bien dakort që debati kërkon një grup aftësish që përkthehen drejtpërdrejt në dije akademike, sociale dhe profesionale. Ai zhvillon të menduarit krijues, zgjidhjen e problemeve, dëgjimin aktiv, analizën kritike dhe prioritizimin, si dhe karakteristikat e karakterit si rezistenca, empatia dhe, më e rëndësishmja, besimi.

Përse u duhet studentëve tanë një program debati dhe përse duhet ta nxitim atë dhe jo thjesht opinione? Unë në mënyrë modeste nga përvoja ime në auditor dhe jashtë tij po rendis disa arsye:

Nga debati mëson shumë: Debatet janë të organizuara në atë mënyrë që të ndihmojnë të fitosh njohuritë dhe aftësitë që duhen për të qënë të suksesshëm në shoqërinë moderne demokratike. Ata fillimisht duhen konceptuar si një veprimtari që pasuron edukimin dhe në të njëjtën kohë jep kënaqësi.

Shkathtësitë e debatit janë thelbësore për jetën publike. Sot në shekullin XXI, aftësia për të krijuar, prezantuar dhe vlerësuar idetë mbetet thelbësore për demokracinë dhe shoqëritë moderne.

Programet e debateve janë përvoja transformuese për studentët. Në një program debati, studentët përfshihen vullnetarisht në një aktivitet shoqëror nga ku përfiton shumë intelektualisht dhe akademikisht: mendim i shpejtë, argument i shëndoshë dhe të folur me besim. Në shoqërinë tonë ka pak hapësira ku qëllimet intelektuale dhe sociale përputhen aq mirë për të edukuar një qytetar të ri. Mua më është dhënë rasti që nëpërmjet realizimit të projekteve të vogla universitare mbi debatin të vëzhgoj debate studentësh, dhe kam parë e ndjerë kënaqësinë tek sheh e dëgjon qytetarët e rinj të këtij vendi që arsyetojnë, artikulojnë, dëgjojnë, përgjigjen dhe në fund të fundit respektojnë njëri-tjetrin…krejt ndryshe nga modeli që na shfaqet ne mediumet publike.

Programet e debateve krijojnë udhëheqës. Drejtimi kërkon inteligjencë, vizion, empati, efikasitet dhe zgjidhje dhe ndershmëri, dhe pjesëmarrja në debat i kultivon këto aftësi thelbësore udhëheqëse tek të rinjtë. Në një botë në të cilën informacionet e pasakta dhe idetë e pajustifikuara janë të bollshme, debati krijon një lloj udhëheqësie të sigurt që mund ta drejtojnë mendimin publik drejt vendimeve inovative, morale dhe zhvilluese.

Aftësia për të konceptuar, artikuluar dhe vlerësuar argumentet mbetet jo vetëm gjaku dhe jeta e demokracisë në një shoqëri, por është thelbësore për zhvillimin e një individi të angazhuar public dhe etik që jeton në shoqërinë moderne, teknologjike, demokratike. Si rrjedhojë logjike do të dëshëroja që në universitetet tona të promovohet fort debati konkurrues, si një element i përhershëm në kalendarët extra-kurrikularë. Shpesh shkollat më të mira krijojnë debatuesit më të mirë dhe anasjelltas, shpesh debatuesit më të mirë janë studentët më të mirë – jo vetëm për sa i përket rezultateve akademike, por edhe në angazhimin e tyre në shoqëri. Janë pikërisht këto arsye të cilat na bënë të jemi pjesë e projektit ‘Laboratori i Debatit mbi Integrimin Europian në Auditorët Universitarë’, zbatuar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim dhe financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.