Marlin Muça, Alumnus i Debatit Universitar
32 vite më pare një grusht qytetarësh trima të Tiranës dhe qyteteve të tjera, çanë rrethimin e ambasadës gjermane, për të kërkuar azil politik. Disa qindra të tjerë vepruan ngjashëm me ambasasat e tjera perëndimore. Do të ishte vetë shkrimtari çek Vaklav Havel, lider i sapozgjedhur nē mënyrë demokratike, i cili do të dergonte avionin e tij drejt Shqiperisë, duke i konsideruar shqiptarët e strehuar ne Ambasaden Çekosllovake si azilantë politikë.
Shqiptarët bënë atë që kanë bërë gjithnjë më mirë përbaē së keqes: Të ikin.
Në mesjetën e pushtimeve bizantine dhe atyre normande, shqiptarët u terhoqën prej qendrave të rëndësishme bregdetare në drejtim të maleve, duke vulosur për një kohë të gjatë izolimin natyror dhe politik kundrejt botës së qytetëruar.
Dekada e shekuj më vonë, gjatë ekspansionit sllav drejt Ballkanit jugperëndimor, shqiptarët u rrudhën nga zotërimet e tyre që shkonin gjer në Kotorr, për të zbritur në Kosovë apo më poshtë akoma; drejt Shqipërisë së Mesme apo gjetkë.
Vitet 90 ishin një arratisje çmendurake e një mase popullore të varfëruar në palcë nga politikat e një shteti që funksiononte si një kamp i madh përqëndrimi.
30 vite më pas, shqiptarët nxitojnë serishmi të ikin për shkak të mungesës së perspektivës, në një vend ku edhe shtresa e mesme e lartë e sheh të pamundur jetesën dinjitoze përballë sistemit që e ka grumbulluar pushtetin politik dhe ekonomik në duart e 5-6 familjeve të mëdha. Të rinjtë dhe të rejat tona po shërbejnë si qese gjaku për pleqtë e Perëndimit, tamam si legjenda urbane e diktatorit që transfuzonte gjakun e foshnjave të sapolindura.
Arsyet e këtyre ikjeve kanë qenë të ndryshme në periudha të ndryshme historike. Mirëpo 100 vitet e fundit, regjimet politike kanë dështuar me ose pa vetëdije t’iu ofrojnë qytetarëve të tyre një veti të çmuar që shkon përtej kamjes dhe skamjes: Dinjitetin.
Ne na zhveshin nga dinjiteti qysh në bankat e shkollës, universitet, punë, ndërkohë që pleqëria për shumicën është një epilog i dhimbshëm ku mungesa e dinjitetit zëvëndësohet nga poshtërimi e çnderimi.
Fyerja dhe nëpërkëmbja janë më të rënda se çdo pushtim, diktaturë apo krizë ekonomike. Çnderimi na lë pa të shkuar, e kthen të tashmen në një ferr të pajetueshëm, e njëkohësisht zymton çdo perspektivë për të ardhmen.
Në të tilla kushte do të vijojmë të dalim nga bankat e shkollës, për t’u paketuar e shndërruar në qese gjaku që mbajmë gjallë popullsitë e plakura të vendeve të tjera.