Gjatë kësaj fundjave u realizua takimi kordinues me grupin e studentëve që vijnë nga Universiteti “Fan S.Noli” i Korçës në kuadër të projektit “Nga fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë” që zbatohet nga SCiDEV së bashku me CCIS dhe ESN mbështetur nga Agjencia kombëtare e Rinisë.
Grupi shumë i veçantë dhe divers përbëhet nga 5 studentët Eljona,Floriani,Gentjana,Marina dhe Vasili. Gjatë takimit të tyre grupi diskutoi bashkë me mentoren e tyre lokale Xhensila Mirashin rreth ideve të lindura lidhur edhe me nevojat e komunitetit ku ata jetojnë dhe përfaqësojnë. Idetë kryesisht kishin karakter social me fokus ndihmën e shtresave në nevojë si krijimin e bibliotekave,ndihmën e familjeve me mjete kancelarike,ndihmën e nxënësve që hasin vështirësi në lëndë të caktuara,ndihmën për komunitetin e të rinjve që nuk dëgjojnë dhe flasin dhe krijimi e fuqizimi i bizneseve sociale.
Duke konsideruar prezencën e një qendre që ndodhet në qytetin e tyre ku të rinjtë me nevoja të veçanta kryejnë punime artisitike studentët theksuan se në këtë qendër realizohen shumë punime të natyrave pikturë,qëndisje,skulptura të vogla etj ,por nuk kanë promovimin e duhur dhe kësisoj nuk gjenerohen mjaftueshëm të ardhura që do të ndihmonin ata si edhe do të gjallëronin veprimtarinë e qendrës.
Pas diskutimit dhe rrahjes së ideve të rinjtë korçarë duke konsideruar rëndësinë e kësaj nevoje të komunitetit si edhe duke ndërthurur elementin e inovacionit ata menduan të veprojnë në ndihmesë të kësaj qendre. Aktivizmi i të rinjve korçarë do të konsistojë te ideja ART ZONE ku do të punohet me promovimin multimedial të artikujve artistikë artizanalë të prodhuara nga të rinjtë me nevoja të veçanta dhe nxitja e ndërgjegjësimi i shoqërisë, institucioneve e bizneseve për t’i blerë ato. Kjo ide u shërben të rinjve me nevoja të veçanta për të gjeneruar të ardhura që do t’ju vijnë në ndihmë, por nga ana tjetër edhe do të gjallërojë iniciativat për zhvillimin e promovimin e idesë së të bërit biznes social.
Ky promovim do të gjallërojë dhe inspirojë këta të rinj për të kryer punime që do të kenë vëmendjen e merituar për talentin që përfaqësojnë. Grupi korçar ka përveshur mëngët dhe mezi pret të nisë nga puna ndaj le ti mbështesim dhe ti urojmë suksese në këtë nismë shumë të veçantë që jep mesazh shprese dhe mbështetjeje për të gjithë të rinjtë me nevoja të veçanta të cilët japin një kontribut të vyer për Korçën e mbarë vendin.