Eranda Zorba, studente debatuese
“Ardhja” e COVID-19 ka ndryshuar në mënyrë drastike mënyrën e të jetuarit për të gjithë. Ndikimi i madh social, ekonomik dhe psikologjik nuk ka nevojë të theksohet më tej. Përtej këtij ndikimi të shumëanshëm tashmë është fakt që edhe profesionet dhe puna kanë filluar te transformohen shumë, duke u bërë gjithnjë e më digjitale dhe fleksible. Në vitin 2021, duket se një kapitull i ri i hurjes në tregun e punës ka filluar të përhapet, pikerisht ai i punës online.
Përmes realitetit të ri në fushën e punës, përshtatja në mjedisin digjital bëhet më e nevojshme se kurrë. Menjëherë, pasi një pjesë e popullsisë hyri në këtë jetë të re pandemike rezultoi që digjitalizimi të shihej si i huaj dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë. Njohuritë rreth spektrit digjital nuk ishin kultivuar në atë masë që cdo kush të ishte në gjendje të përshtatej me rrethanat e reja dhe izolimin total.
Ky realiteti i ri u shoqërua me aspekte negative si zvogëlimi i komunikimit të drejtpërdrejtë me kolegët apo miqtë por edhe pozitive, duke theksuar menaxhimin e kohës prej secilit sipas dëshirës individuale. Në rastin e punës nga shtëpia secili ka mundësinë të krijojë zyrën e tij apo hapësirën e tij të punës dhe përmes saj të përpiqet të ushtrojë profesionin e tij me sukses maksimal. Kjo solli që me Covid-19 interesi për takime virtuale të zhvendosej nga fusha e komunikimit dhe argëtimit në nivel personal në një nivel tjetër, atë profesional por edhe të biznesit.
Për shumëkënd kjo mund të perceptohej si një tronditje. Papritmas të gjithë u bëmë pjesë e një përshpejtuesi të kohës. Sidomos në javët e para gjithçka ngjasonte me një lloj “lufte” të vazhdueshme. Efektet ishin të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. Virusi ndryshoi jetën e njerëzve. Njerëzit ndryshuan zakonet e tyre dhe si pasojë ndryshoi edhe tregu i punës. Idetë, të cilat në rrethana normale do të piqeshin me muaj, u ndërtuan papritur në disa ditë dhe kjo u realizua nga shtëpia. Të gjithë ishin njohur me mjetet digjitale, por izolimi total i ngatërroi paksa gjërat dhe na detyroi të njiheshim më tepër me to, aq sa vetë jeta dhe veprimtaria jonë e përditshme filloi të rridhte online.
Të punuarit online bëri që të lindte nevoja për të vendosur kufij midis punës dhe “kohës së lirë”. Por kishte edhe diçka interesante që ishte nevoja për zgjidhje të menjëhershme të reja cka bëri që të punohet së bashku për të njëjtin qëllim. Kishte bashkëpunim edhe më parë, por intensiteti i ditëve gjatë pandemisë dhe nevoja për zgjidhje të reja ishte diçka ndryshe që motivoi për të ecur përpara pavarësisht kusheve. Covid-19 solli platformat online në jetën tonë të përditshme dhe ato nga ana tjetër ndryshuan në mënyrë drastike mënyrën tonë të punës.
Inovacioni digjital u bë i prekshëm. Tahmë jemi më shumë se kurrë të njohur me promovimin e punës, mësimit dhe veprimtarisë online dhe digjitalisht. Prezantime biznesi, klasa mësimi, takime pune apo me miqtë të gjitha janë transferuar në hapësirën dixhitale dhe në mënyra që ne ndoshta do t’i kishim refuzuar si të pamundura të ndodhnin në më parë. Në mënyrë të ngjashme, kanalet digjitale të integruara për qasjen e qytetarëve në shërbime janë bërë të nevojshme në këtë kohë, ku grumbullimet masive janë të pamundura.
Mënyrat tona të reja të punës nuk bazohen në zhvillime rrënjësore në teknologjinë digjitale, por kryesisht në qëndrime që ndryshojnë me shpejtësi në lidhje me përdorimin e teknologjive ekzistuese. Përvetësimi i madh i shërbimeve ekzistuese nga klientët e rinj (dhe për këtë arsye zhvillimi i shpejtë i shërbimeve të tilla si Zoom, Teams, Google Classroom) ishte ndryshimi kryesor – një numër i madh njerëzish adoptuan ose u detyruan të adoptojnë teknologji që ishin tashmë të disponueshme.
Ky ndryshim i detyruar do të thotë që shumë organizata kanë arritur më shumë tranzicione dixhitale në muajt e fundit sesa ato në vitet e fundit. Madje, qarkullon një shaka se drejtuesit e teknologjisë digjitale nuk janë më “arkitektët” kryesorë të tranzicionit digjital në organizata dhe qytete, por COVID-19. Inovacioni digjital është qartë një pjesë kryesore e mënyrës sesi qytetet mund të përshtaten me “normalitetin e ri”, drejt të cilit po lëvizim të gjithë. Kufijtë e inovacionit digjital po zgjerohen dhe kjo risi premton mundësi të reja dhe ndryshime në tregun e punës. Na tregon të gjithë artin e mundshëm dhe na ndihmon të zgjerojmë horizontet tona dhe të përparojmë përpara pavarësisht rrethanave.