Marlin Muça —

Bashkimi Europian u themelua mbi paradigmën se bashkëpunimi ekonomik i dy superfuqive europiane, Gjermanisë Perëndimore dhe Francës mund të mbyllnin ciklin e përgjakshëm të një kontinenti të drobitur nga luftërat e fillimit të shekullit të 20-të.  Edhe më parë Europa kishte parë tentativa për një aleancë të shteteve europiane me njëra tjetrën.  Aleanca më e qëndrueshme mund të quhet Aleanca e Shenjtë e monarkive europiane të themeluar pas Kongresit të Vjenës me qëllim garantimin e stabilitetit politik brenda kufijve të mbretërive si dhe ruajtjen e paqes mes tyre. Fushatat pushtuese të Napoleonit nga njëra anë si dhe lëvizjet e shumta revolucionare në Austro Hungari, Francë, Itali dhe gjetkë lëkundën fort balancën e fuqive të ngjizur me paqen e Vestfalisë, duke i rradhitur Mbretërit e Europës në një aleancë “kushërinjsh“, në dukje të pathyeshme me njëri tjetrin.

Mirëpo dhe kjo Aleancë dështoi dhe rezultat i këtij dështimi ishte Lufta e Parë Botërore .

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti botën nën nervat e një përpjekjeje të ankthshme për të mos përsëritur gabimet e dyzet viteve të shkuara. Për te tejkaluar këtë fatalitet historik,  u ndërmorën një sërë iniciativesh politike e juridike të cilat i dhanë jetë një miriade të tëre ligjesh dhe institucionesh. Më konkretisht, Fuqitë e mëdha e panë të arsyeshme të ndërtonin dy lloje aleancash; njërën politiko-ekonomike dhe tjetrën, një aleancë ushtarake për të siguruar paqen e shëndoshë dhe jetëgjatë të kontinentit. Një ndër to ishte dhe Bashkimi Europian, i cili për të ardhur në formën dhe organizimin që ne njohim sot, kaloi një mori ndryshimesh përmbajtësore dhe strukturore.

Ajo çfarë nisi si një bashkim ekonomik, do të bëhej shpejt bashkimi politik më solid që Europa ka parë në historinë e saj të pas shekullit të 17-të. Bashkimi Europian arriti jo vetëm të siguronte për anëtaret e saj një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik të nxitur nga lëvizja e lirë dhe heqja e tarifave doganore, por dhe  një bashkim të atillë politik shumë larg takimeve të niveleve të larta që diplomatët apo sovranët kryenin në shekullin e 19të. Tanimë, popujt europianë kishin mundësi të përfaqësoheshin në një organ legjislativ të përbashkët prej nga miratoheshin akte juridike me fuqi  në të gjitha shtetet anëtare.   

Sigurisht që ky Union pati shumë vështirësi në rrugëtimin e tij. Madje vitet e fundi ai po përballet me sfidën më të vështirë në historinë e vet të shkurtër. Krizat ekonomike, pasojat politike të luftërave në Lindjen e Mesme si dhe  ndryshimi i qasjeve ndaj  kësaj organizatë nga ana e aktorëve shtetërorë jashtë Europës si SHBA, Kina apo Rusia, i kanë vendosur shtetet përbërëse të saj në dilema tepër të rrezikshme që vënë në pikëpyetje pikërisht vlerat dhe parimet kryesore mbi të cilat u ndërtua ky union. Aktualisht, vëmë re kthimin mbrapa në Europën e Shtet-Kombeve dhe balancës së fuqisë si teori rregulluese mes tyre.

Në këndvështrimin tim, arritja më e madhe e Bashkimt Europian dhe  institucioneve të ngjashme me të ishte institucionalizimi dhe ligjësimi i marrëdhënieve midis shteteve. Këto organizata ndërkombëtare zëvëndësuan forcën ushtarake dhe ushtrimin e saj me një mori siguresash në sanksionuara në konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare që e bëjnë luftën të duket në mos një skenar të pamundur,  një skenar apokaliptik filmash. Ajo cfare po ndodh sot është humbja e besimit të këto organizata dhe kthimi pas drejt një Europë që dikur nuk njihte kaq shumë bonne sens politik.

Ëndrra europianë filloi të krisej qyshse ne momentin u vu në dyshim aftësia e saj për të gjeneruar mirëqënien që donin të gjithë. Kriza e vitit 2008 e shoqëruar më pas dhe me valën e emigrantëve nga vatrat e konfliktit i bëri njerëzit t`iu riktheheshin identiteteve të te tyre kombetare e bashkë me to për fat të keq dhe diferencave kulturore. Njësoj si me  pjesën e dëmtuar të një dige, fasada e Europës së bashkuar mbi bazën e një zhvillimi ekonomik të kenaqshëm për secilin, u  plasarit për të mos qënë më e njëjta. Vakumi që la Britania e Madhe me largimin e saj do të jetë një tjetër e carë që euroskeptikët do ta gërmojnë gjersa të nxjerrin 1001 arsye pse Europa e bashkuar është një ëndërr e dështuar.

Rikthimi i shtetkombeve të lidhura fort pas sovranitetit të tyre politik dhe territorial do të na cojë akoma dhe më afër panoramës që pikturoi Paqja e Vestfalise në shekullin e 17të. Ky skenar nuk duhet të na bëjë pesimist. Historia e njerëzimit ka njohur kthesa të tilla historike. Ajo cfare Bashkimi Europian dhe organizmat e saj duhet të bëjë është të ruajë sa më shumë zgjidhjen institucionale të problemeve që do të lindin mes shteteve. T`i mbajë këto të fundit të lidhura ligjërisht dhe moralisht pas anëtarësisë së tyre në këtë organizatë. Vazhdimësia e këtij Unioni nënkupton  balancën e brendshme politike të Europës si dhe një kundërpeshë të rëndësishme ndaj Rusisë dhe Kinës të cilat po bëjnë jo pak në shtrirjen e influencës së tyre ne continent.

Koha e dashurise dhe mirëkuptimit mund të ketë mbaruar por kjo nuk do të thotë se paqja dhe bashkëpunimi nuk mund të arrihet përmes obligimit moral dhe ligjor që e drejta ndërkimbëtare imponon mbi të gjitha shtetet e kohës. Vetë ekzistenca e këtyre organizmave i atribuohet frikës se etërve themelues se një ditë situata ndërkombëtare mund të conte deri aty sa shtetet të kërkonin mënyra të tjera dhe aleatë te tjerë që mund të hidhnin në erë paqen e Europës e pse jo dhe të botës. Në këtë rast Unioni do të shërbente e padyshim që do të shërbeje si një failsafe  për të mos iu rikthyer plotësisht një Europe të varfër, të përcarë e në konflikt të vazhdueshëm me veten.