Klodiana Beshku —

Kam qenë në kontakt me të rinjtë këto ditë nëpërmjet leksioneve online. Shpesh ata janë të trishtuar e të përhumbur. Kur ju them të lexojnë libra për të kaluar kohë cilësore e për të jetuar edhe jetët e të tjerëve, ata më shohin me habi. Në këtë periudhë teksa bota është ndalur edhe rrjetet sociale nuk kanë shumë për të ofruar, ndaj ata ndjehen të zbrazët. Të lexuarit tashmë nuk është shoqëruesi i ditëve të tyre, ndaj nuk mund të bëhet befas i tillë.

Një këmbanë alarmi e heshtur ka kohë që vërvitet mbi kokat  tona: Të rinjtë në Shqipëri nuk lexojnë më. Ata lexojnë, shfletojnë, informohen, por nuk studiojnë. Këto dy të parat i bëjnë sa për të “marrë një notë të mirë” apo “marrë provimin”, ndërsa këtë të fundit sa për t’u dukur “cool”. Nuk është e nevojshmë të realizosh një anketim apo studim në lidhje me këtë çështje: Është lehtësisht e deduktueshme nëpërmjet vrojtimit me sy të lirë në përditshmërinë e auditoreve apo në bisedat e lira me ta.

Nëse disa vite më parë në auditore kishte të paktën 10-20 studentë të cilët të përpinin fjalën nga goja dhe lexonin me një frymë çdo pjesë literature që iu jepje, sot ka vetëm 3-4 të tillë. Kjo është për të ardhur keq, vërtet. Nuk është teknologjia apo post-moderniteti që kanë sjellë këtë tendencë në vendin tonë, ashtu siç mund të mendohet rëndom. Disa muaj më parë kam punuar në një ambjent akademik në perëndim, dhe aty, megjithë zhvillimin e teknologjisë apo pasojat e post-modernitetit, të rinjtë nuk e kishin humbur etjen për dije. Përkundrazi, dukeshin më të interesuar se më parë për të kuptuar zhvillimin e botës, të njerëzimit e shoqërisë dhe sfidat e reja që bartte ky zhvillim.

Nuk është as moskalimi i pragut të mbijetesës arsyeja. Ekziston një bindje e përhapur në shoqërinë tonë se duhet “me pas” pastaj me “qenë”, pra e famshmja primum vivere deinde philosophari, e cila, duket të jetë i vetmi mësim e aplikuar nga ne prej antikiteti romak. Nuk qendron kjo sepse, dihet, ai ose ajo që ka dashur të studiojë, e ka bërë këtë edhe nën dritën e qirinjve. Nuk mund të qendrojë as arsyeja se pedagogët nuk janë “tërheqës” aq sa duhet apo nxitës mjaftueshëm të kureshtjes a mendimit kritik. Një pedagog i mirë padyshim ndihmon, por i vetëm nuk bën dot mrekullira.

Jo se arsyet që kam listuar më sipër nuk qendrojnë asfare, por ato nuk janë tërësisht përcaktuese në rënien e përgjithshme të interesit për të studiuar. Të rinjtë e sotëm nuk janë më të këqinj apo më pak të virtytshëm se në të shkuarën. Ata thjesht ata janë më pragmatistë dhe këtë, sa më shpejt t’a kuptojmë e të marrim masa, aq më mirë do të jetë për përmirësimin e të ardhmes e  emancipimin e shoqërisë tonë.

Të qenët pragmatistë i bën ata të mendojnë se, në një shoqëri ku ende zbatimi i parimit të meritokracisë le shumë për të dëshiruar, është e kotë të rropatesh për të studiuar. Në fund fare, ata konkurrojnë mes tyre nëpërmjet “mikut” më të fortë, e jo dijeve më të shumta. Në fund të fundit, konkurrohet mes atyre që janë më të shkathët e jo mes atyre që janë më të aftë. Në disa sektorë të jetës tonë janë ulur aq shumë standartet sa, nëse dikush përpiqet ti mbajë lart ato e të mos lejojë që të tjerët të abuzojnë me rregullat, ai perceptohet si një njeri strikt e jo komod (në kuptimin pezhorativ të fjalës) e deri diku, si dikush i cili, duke mos lejuar të tjerët të bëjë allishverishe, thuajse i ka mohuar atyre të drejtën për “të bërë përpara” në jetë.

Ndërkohë, nuk duhet harruar se modelet e njerëzve të suksesshëm që iu ofrohen të rinjve janë shpesh ato të të pasurve të rinj të cilët mund të bëhen çfarë të duan e të bëjnë ç’të duan, pasi ata kanë, pra edhe “janë”. Intelektualët e njerëzit me vlera në më të shumtën e rasteve qendrojnë të strukur ose të pa promovuar nga politika. Nëse shtojmë këtu edhe mungesën e një debati serioz intelektual në lidhje me këto tema, atëherë mund të dilet lehtësisht në përfundimin se, të rinjtë bëjnë shumë mirë që janë pragmatistë e që nuk studiojnë. Ata të cilët nuk e kanë kuptuar mirë si funksionon bota janë në fakt ata, njerëzit që kanë derdhur djersë mbi libra apo janë rropatur për t’u perfeksionuar në profesionin e tyre.  Të rinjtë që nuk studiojnë më, nuk kanë asnjë faj. Ata duan veç një diplomë sa për të kaluar kriteret formale të pranimit nëpër aplikime. Janë aftësi të tjera ato që iu duhen më pas: konformizëm, njohje, dukje, arrogancë dhe një dozë e mirë vetëbesimi prej të padituri.