Në kuadër të projektit “Nga fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore inovacionit dhe krijimtarisë” i cili zbatohet nga  nga SCiDEV së bashku me CCIS dhe ESN Tirana mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë studentët e Korçës çelën siparin e aktiviteteve të fushatës sensibilizuese e promovuese online “ARTZONE”  në ambientet e Qendrës Ditore të Zhvillimit “Atelie”. Çiljeta Cani, drejtore e këtij institucioni mirëpriti të rinjtë dhe iu prezantoi punimet artistike të realizuara me dorë nga klientët e kësaj qendre.
Piktura, bizhuteri, aksesorë dimri, çanta të punuara me materiale të riciklueshme etj ishin të ekspozuara në ambientet e qendrës të punuara me shumë dashuri nga klientët e saj, të cilët janë të rinj me nevoja të veçanta. Të gjithë artikujt janë në shitje dhe të ardhurat shërbejnë si fond për blerjen e materialeve të reja për vazhdimin e punës krijuese të të rinjve, frekuentues të qendrës.
Studentët u njohën me miqtë e rinj artistë dhe punimet e tyre, si dhe premtuan se nëpërmjet fushatës sensibilizuese e promovuese “ARTZONE” do të bëjnë të mundur shitjen e të gjithë artikujve artistikë që janë pjesë e kësaj qendre.