Nevila Xhindi —

Niveli dhe intensiteti i angazhimit publik dhe politik i të rinjve janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për shëndetin e demokracisë. Gjatë dekadës së kaluar duket sikur jemi përpjekur në mënyrë të vazhdueshme të kuptojnë dhe tu japim përgjigje pyetjeve se përse të rinjtë tanë janë kaq të pamotivuar dhe rrallë i shohim të angazhuar publikisht apo politikisht. Në të përditshmen publike, dhe sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ekspertët nxjerrin në pah apatinë e të rinjve dhe diskutojnë mënyra të ndryshme për ti angazhuar ato, për ti përfshirë, për ti bërë aktiv në realitetin shqiptar.

Angazhimi publik I të rinjve mund të matet me atë që ata mendojnë dhe sipas asaj që ata bëjnë/veprojnë realisht. Për rrjedhojë, kur mendojmë sesi ti angazhojmë më shumë të rinjtë në jetën publike, është e rëndësishme të dimë së pari cfarë mendojnë ato si dhe nivelet e veprimit dhe pjesëmarrjes së tyre në proceset demokratike duke filluar me aktivizmin e tyre në shkollë- në jetën studentore, në lagje, në komunitetet rinore apo edhe në forumet partiake ku bëjnë pjesë-nëse, në mënyrë që të vlerësojmë llojet formale dhe jo-formale të angazhimit të tyre që kërkojnë nivele të ndryshme të përkushtimit dhe të kohës.

Pjesëmarrja e të rinjve në proceset publike dhe politike varet nga qëndrimet që ata kanë ndaj institucioneve dhe/ose proceseve dhe njohuritë e tyre për sistemin.  Pjesëmarrja publike mund t’i referohet një sërë aktivitetesh përmes të cilave të rinjtë kërkojnë të ndikojnë në vendimmarrjen që formëson jetën e tyre. Në këtë kuadër një shembull I mirë I angazhimit publik janë levizjet studentore gjatë vitit të fundit, angazhimi i tyre për zgjidhjen e cështjeve që lidhen me universitetin, funksionimin, instucionet, por, nga ana tjetër, edhe nismat që ata do të ishin të gatshëm të ndërmerrnin në të ardhme, nëse pakti për universitetin nuk do realizohet.

Dëshira dhe vullneti për t’u përfshirë në çështje publike dhe vendimmarrjen është një hap i parë i rëndësishëm drejt angazhimit të të rinjve, por nëse kjo mbetet vetëm tek debatet apo nismat në auditoret universitare, është e paplotë!.

Aftësia për të konceptuar, artikuluar dhe vlerësuar argumentet është thelbësore për zhvillimin e një të riu të angazhuar publikisht. Padiskutim auditoret universitetare luajnë një rol shumë të rëndësishëm, dhe për rrjedhojë logjike do të dëshëroja që në universitetet tona të promovohet fort debati konkurrues, si një aktivitet I rëndësishëm për ti stimuluar ato për të qenë të angazhuar publikisht.

Bazuar në përvojën më të mirë të debateve në auditor dhe në interesin e ngjallur nga universitetet, pedagogët dhe studentët, dhe në vijim të një projekti të mëparshëm me qendër debatin studentor, SCiDEV do fillojë zbatimin e një projekti ambicioz, por aq të nevojshëm për të rinjtë për të kaluar nga “ debati në auditor- në aktivizimin publik”. Duke pasur parasysh kontekstin e ri ku veprojmë me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, krizën shumë dimensionale social-ekonomike të shkaktuar nga COVID19, si dhe klimën parazgjedhore ndihet  nevoja për një rini të angazhuar dhe të motivuar. SCIDEV propozon që edicioni i dytë i debatit universitar për integrimin Europian të përshtatet duke përqafuar jo vetëm debatin, por edhe veprimin dhe mbështetjen e të rinjve për aktivizim, sidomos aktivizim online.

Në shoqërinë tonë ka pak hapësira ku qëllimet intelektuale dhe sociale përputhen aq mirë sa për të ndikuar e për të edukuar një qytetar të ri. Ky projekt është një prej tyre! Studentët do të përfshihen vullnetarisht në një aktivitet shoqëror nga ku përfiton shumë intelektualisht dhe akademikisht: mendim i shpejtë, argument i shëndoshë, të folur me besim dhe të gjitha këto të përkthyera në aktivizim dhe nisma publike konkrete.

Nëpërmjet realizimit të projekteve të tilla me debate e aktivizim të studentëve, do të jemi dëshmitarë të angazhimit të të rinjve për të arsyetuar, artikuluar e vepruar krejt ndryshe nga modeli I të riut apatik që na shfaqet si problem në shoqerinë shqiptare.