Keti Sula —

Përdorimi i rrjeteve sociale (teknologjisë) shkaku për tjetërsimin e gjuhës shqipe?!

Në këto ditë kur Jeta duket sikur ka ndalur frymën, po gjejmë forcën për të mposhtur virusin vdekjeprurës, koronavirusin, ndërkohë, ende nuk kemi kuptuar, që një tjetër virus më i rrezikshëm ka kohë që transmetohet.

Ndërsa të gjithë përpiqemi me padurim të dalim nga kjo pandemi, pa e kuptuar, kemi shkaktuar vet një tjetër pandemi më të rrezikshme.

NE jemi VIRUSI shkatërrues i Gjuhës Shqipe!

Ju duket e çuditshme?!

Mjafton të hyni në rrjetet sociale dhe aty kupton ç’po ndodh me Gjuhën Shqipe!

E Mjera! I ka rezistuar në shekuj asimilimit të saj nga gjuhët e huaja. Është përballur me furtuna e rrebeshe të shumta e të egra dhe ka ditur të fitojë.

Por, ndjej dhimbje dhe drithërohem kur konstatoj se Virusi më i madh, rreziku, furtuna dhe rrebeshi kësaj radhe, po bëhemi vet NE! Gjuha jonë po shkatërrohet dhe tjetërsohet nga shpërfillja dhe indiferentizmi i shoqërisë dhe individit!

Nëse nuk e ndalim sot dëmin e pafalshëm ndaj së shenjtës Gjuhës Shqipe, nesër do të jetë vonë dhe Historia do të na gjykojë të gjithëve!

***

 

Gjuha në vetvete është një organizëm i gjallë që evoluon në kohë dhe si e tillë i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës, teknologjisë. 

 

Me futjen në përdorim të teknologjisë së lartë (high tech) dhe krijimin e rrjeteve sociale zhvillim të madh ka marrë “gjuha elektronike” ose ligjërimi elektronik i përdorur në rrjetet sociale, një lloj i ri i shfaqjes së gjuhës (e-mail, what up, sms, facebook, instagram, twitter, linkedin, etj,).

 

Me këtë platformë ligjërimi, përdoruesi nuk kalon në filtrin e redaktimit, për pasojë vërehen shmangie nga normat e gjuhës dhe natyrshëm lind shqetësimi, nëse përdorimi i rrjeteve sociale po tjetërson gjuhën shqipe?

 

Por, a mund të jenë fajtorë rrjetet sociale për tjetërsimin e gjuhës shqipe?

 

 

 

“Një komb nis të shthuret kur nis të shthuret gjuha e tij” Octavio Paz

 

  1. Çdo komb ruan me fanatizëm shenjat e identitetit të vet, ku përfshihen edhe shkronjat tipike për një gjuhë.

 

Alfabeti ynë ka shkronjat ë dhe ç, që shënojnë dy tinguj të veçantë të shqipes. Ato dëshmojnë jo vetëm origjinalitetin e alfabetit tonë, po lidhjen edhe me tradita të caktuara kulturore. Shkronjën ë, të quajtur shkronjë “flamur”, e kemi trashëguar nga tradita arbëreshe e fillimit të shekullit të 18-të; kurse ç-në e kemi nga alfabeti i Shoqërisë së Stambollit, me autor Samiun[1].

 

Përdorimi i tyre ka rëndësi, përveç anës emocionale, edhe asaj përmbajtësore, pasi fjalët marrin tjetër kuptim. Për shembull, çap bëhet cap, çik bëhet cik, ose bëhet ne, nën bëhet nen, ndër bëhet nder, etj.

Për këtë kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e shtetit shqiptar për instalimin e tastierave në gjuhën shqipe në kompjuterat e institucioneve shtetërore dhe private në shërbim të publikut.

 

2. Përqafimi çdo ditë e më shumë i teknologjisë po përparon dukshëm në të gjitha sferat e jetës sonë, që shoqërohet me rritje të shkallës informative tek ne.

Për përdoruesit është shumë e rëndësishme shpejtësia në ndërveprimet sociale mes tyre, që imponon këtë lloj komunikimi jo korrekt nga ana gjuhësore.

Fjalët përshëndetëse ç’ kemi, faleminderit, kalofsh mirë, mirëmëngjes janë zëvendësuar me inicialet çkm, flm, klm, mngj. Përdorues të pyetur në lidhje me këtë çështje pranojnë këtë tendencë, sepse ndihmon në komunikimin sa të thjeshtë, aq edhe të kapshme e të shpejt midis tyre.

Mënyra shumë e thjeshtë e të komunikuarit me fjalë dhe fjali të shkurtuara, gati të koduara, tashmë është bërë praktikë pune, duke deformuar, varfëruar dhe lënë pas zhvillimin e gjuhës shqipe.

 
  1. Gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë, gjuha shqipe po përballet me sfida të mëdha dhe mund t’i paguajmë shtrenjtë, nëse nuk do t’i kushtojmë vëmendjen e duhur.

Ndihet dukshëm mungesa e përdorimit të mirë të fjalorit të gjuhës shqipe. Akoma më shqetësuese është zëvendësimi i fjalëve shqipe dhe me fjalë të huaja. Për shembull, avangardë me pararojë; abdejtim me përditësim; aludim me dyshim; demolim me rrënim, shkatërrim; inkursion me dyndje, mësymje; komportim me sjellje, qëndrim; impendim me angazhim, zotim.

Problem mbetet shtrembërimi i saj nga institucione shtetërore apo private (shkollat, qendrat kërkimore, administrata, mediat, gazetat si dhe aktet e dala nga këto institucione) apo persona publike të të gjitha sferave.

 

Në tre rastet e sipërpërmendura, fajin për tjetërsimin e gjuhës shqipe nuk mund t’ia hedhim rrjeteve sociale – teknologjisë, edhe pse nuk mohohen modelet e këqija të të shkruarit, që ndikojnë për keq te lexuesi.

Por, platformat e reja të teknologjisë  

Na tregojnë më shumë nivelin e ulët të zotërimit të normave të gjuhës standarde në shkollë dhe pikërisht ky fakt duhet të shërbejë si nxitje për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të forcojë kontrollin në shkolla dhe masat për rritjen e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës shqipe.

Ato zbulojnë disa problematika që kërkojnë reagim të shpejtë nga institucionet shtetërore të arsimit e të shkencës, inovacionit, teknologjisë, të cilat duhet të bashkëpunojnë që të pasurojnë gjuhën shqipe me elementë të kohës, në mënyrë që arritjet të shfrytëzohen si vlerë e shtuar për përvetësimin dhe gjallërimin e saj.

Pjesë e Misionit tim “ Të ruajmë dhe të mbrojmë gjuhën shqipe”

 

 

 

 

 

 

[1] Referuar Prof. Dr. Rami Memushi