Dr. Erida Curraj —
Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV) organizoi sëbashku me Shoqatën e Gjuhësisë Shqiptare dhe KS Faktor në datën 16 Maj, Webinarin nr 4 “Ne dhe Shqipja”. Në këtë takim virtual u mblodhën kërkues, studiues dhe profesorë të gjuhës shqipe, studentë dhe të tjerë të interesuar, për të diskutuar për gjuhën shqipe, për përdorimin e saj në ligjërimin e shkruar dhe në ligjërimin e folur publik, për evoluimin e saj, si edhe për ruajtjen, lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës sonë.
Gjuha në vetvete është një organizëm i gjallë që evoluon në kohë dhe si e tillë i përgjigjet emancipimit të shoqërisë, kulturës e teknologjisë. Platformat digjitale të komunikimit dhe rrjetet sociale kanë sjell një shpërfillje të thellë në përdorimin publik të gjuhës shqipe. Ligjërimi i shkruar nuk kalon në filtrin e redaktimit dhe ligjërimi i folur nuk kalon në filtrin e monitorimit, për pasojë vërehen shmangie nga normat e gjuhës dhe natyrshëm lind shqetësimi – A po tjetërson gjuhën shqipe përdorimi i rrjeteve sociale? A mund të quhen fajtorë vetëm rrjetet sociale për tjetërsimin e gjuhës shqipe? Çfarë ndikon në deformimin e gjuhës shqipe në titrat e lajmeve e filmave, në tekstet e reklamave promovuese, apo edhe në shtypin e përditshëm, në revista e deri në botime shkencore?
Shqetësimet që zgjon, sidomos dy dekadat e fundit, përdorimi publik i gjuhës shqipe nuk mund të kufizohet vetëm me problematikat aq të qenësishme të sistemit arsimor. Një vëmendje e veçantë dhe e merituar i kushtohet zgjerimit të komunikimit me shkrim përmes rrjetit duke mos respektuar rregullat e gramatikës dhe sintaksës. Nisur nga një aktualitet i tillë, gjatë takimit u parashtruan se si, në thelb, gjuha e shkruar gjymtohet pasi, ajo pëson të meta që në zanafillë, që në procesin e leximit. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm pasi, në një masë të madhe, prirja e përgjithshme është ajo e përcjelljes së të njëjtave boshllëqe gramatikore, drejtshkrimore e deri semantike nga leximi në shkrim. Shkruhet keq pasi lexohet pak e këtu, debati zgjerohet dhe përfshin industrinë e leximit të librit, shtypin (e shkruar ose virtual), mediat audio-vizuale etj.
Takimi ishte shumë i sukseshëm se jo vetëm nxorri në pah disa nga problemet më emergjente dhe më të rëndësishme që cënojnë cilësinë e gjuhës shqipe por edhe u adresuan disa zgjidhje të tyre, ato janë të disa niveleve, nivel strategji kombëtare, institucional dhe individual.