Eneja Allmuça
Debatuese në  Laboratorin Universitar të Debatit, Edicioni Katërt.

Shoqëria është pasqyrë e faktorëve të ndryshëm që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Teknologjia ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë në dekadat e fundit. Pjesë e këtij zhvillimi teknologjik janë edhe rrjetet sociale si rrjeti më i madh i komunikimit në ditët e sotme. Rrjetet sociale kanë pasur, kanë dhe do të kenë një impakt të paevitueshëm në shoqërinë tonë. Një nga impaktet më të rëndësishme të rrjeteve sociale është komunikimi. Ky rrjet i ka transformuar idetë klasike mbi komunikimin dhe e ka ndryshuar atë rrënjësisht. Me këto mjete ne tashmë mund të komunikojmë me njëri-tjetrin pavarësisht distancave kilometrike dhe të shkëmbejmë informacione në kohë reale.

Impakti tjetër jo më pak i rëndësishëm është ndikimi i rrjeteve sociale në sipërmarrje. Shumë biznese operojnë vetëm në tregun virtual, nëpërmjet këtyre rrjeteve sociale si p.sh., “Instagram”, “Facebook”, etj. Ky ndikim i rrjeteve sociale në biznes haset veçanërisht në aspektin e reklamimit dhe fitimit të klientëve. Kjo mënyrë operimi në treg i bizneseve u ka dhënë bizneseve një mënyrë të re për t’u lidhur me klientët dhe për të promovuar produktet ose shërbimet e tyre. Një nga avantazhet kryesore të kësaj mënyre operimi është aftësia për të arritur një audiencë të lartë për një kohë shumë të shkurtër dhe në mënyrë efikase.  Me rrjetet sociale bizneset mund të ulin kostot e reklamimit klasik dhe të përqafojnë reklamimin me anë të rrjeteve sociale. Këto platforma i japin mundësi bizneseve për të kontrolluar fushatën e tyre të marketingut dhe të përmirësojnë strategjinë e tyre në fushatën pasardhëse. Një përfitim tjetër i mediave sociale për bizneset është afërsia me klientët, platformat e mediave sociale të japin mundësinë që klientët të lënë komente, të bëjnë pyetje dhe të komunikojnë me biznesin. Por nga ana tjetër, kjo mundësi për të lënë komente ndihmon në rritjen e informimit ndaj konsumatorit. Kështu p.sh., mund të marrim një shembull në të cilin, një klient ka pasur një eksperiencë të keqe me biznesin dhe mund ta ndajë këtë informacion me të tjerët. Kjo afërsi dhe ndërveprim që ofrojnë platformat e mediave sociale i bën bizneset më korrekte dhe serioze në veprimtarinë e tyre. Që një biznes të funksionojë duhet të ketë respekt dhe besueshmëri në sytë e konsumatorit dhe në treg.

Një tjetër ndikim pozitiv që kanë sjellë rrjetet sociale është hapja e vendeve të reja të punës. Këto platforma kanë mundësuar krijimin e llojeve të reja të vendeve të punës si menaxherët e rrjetev sociale, “content creator” dhe influencuesit. Bizneset kanë nevojë për një person që të kujdeset për menaxhimin e rrjeteve sociale dhe të ndërmarrë strategji të ndryshme marketingu.  Gjithashtu rrjetet sociale e kanë bërë më të lehtë për punëdhënësit gjetjen dhe rekrutimin e punonjësve të tyre. LinkedIn është një nga mjetet më të përdorura për të gjetur dhe kërkuar punonjës. Kjo platformë i lejon punëmarrësit të njihen me kandidatët e tyre, sepse LinkedIn është kthyer si një “Curriculum Vitae” efektive, sepse përdoruesit ndajnë informacione nga jeta e tyre profesionale duke ndihmuar në rritjen e reputacionit të tyre. Mund të them me bindje të plotë që rrjetet sociale kanë hequr barrierat kilometrike duke mundësuar punësimin online me punëdhënës dhe punëmarrës në vende të ndryshme nga njëri-tjetri.

Megjithëse rrjetet sociale kanë sjellë përfitime të shumta në mënyrën e komunikimit, gjithsesi ato kanë sjellë kërcënime serioze në lidhje me privatësinë dhe shëndetin mendor. A ndikojnë rrjetet sociale në shëndetin e njeriut? Kjo është një pyetje që un do t’i jap një përgjigje bazuar  në studime bashkëkohore që janë bërë. Studimet kanë treguar se përdorimi i mediave sociale mund të ketë efekte negative në shëndetin mendor, duke përfshirë rritjen e ankthit, depresionit, vetmisë dhe vetëbesimit të ulët. Për më tepër, mediat sociale mund të kontribuojnë gjithashtu në mungesën e privatësisë dhe të çojnë në bullizëm kibernetik.

Bullizmi kibernetik mund të ketë pasoja serioze në shëndetin mendor, duke përfshirë depresionin dhe mendimet për vetëvrasje.[1]

Një studim i vitit 2019 e lidhi përdorimin e mediave sociale me pagjumësinë. Gjumi i rregullt dhe me cilësi të lartë është thelbësor për mirëqenien dhe provat tregojnë se problemet e gjumit kontribuojnë në efekte negative të shëndetit mendor, si depresioni dhe humbja e kujtesës. Përveç efekteve negative në gjumë, mediat sociale mund të shkaktojnë beteja për shëndetin mendor duke i ekspozuar individët ndaj bullizmit kibernetik.

Në një sondazh të vitit 2020 me më shumë se 6,000 individë të moshës 10-18 vjeç, studiuesit zbuluan se rreth gjysma e tyre kishin përjetuar bullizëm në rrjetet sociale. Sondazhet kombëtare dhe studimet e bazuara në popullatë tregojnë se bota e mediave sociale mund të ketë efekte shkatërruesenëshëndetinmendortëpërdoruesve.                                                                                            Vetëm në SHBA, gjetjet e sondazhit tregojnë një rritje prej 25% të tentativave për vetëvrasje midis adoleshentëve midis 2009 dhe 2017. Një studim i vitit 2019 sugjeroi që adoleshentët që përdorin mediat sociale për më shumë se 3 orë në ditë  kanë më shumë gjasa të përjetojnë probleme të shëndetit mendor, si depresioni, ankthi, agresioni dhe sjellje antisociale.[2]

Zhvillimi i teknologjisë dhe i ketyre rrjeteve sociale ka sjellë një tjetër sfidë për realitetin tonë si ajo e gjuhës së urrejtjes. Gjuha e urrejtjes është përhapur rëndomtë tek rrjetet sociale për shkak të lirisë së përdorimit dhe aksesimit që ka çdokush për të thënë diçka. Pavarësisht se kompanitë e rrjeteve sociale po investojnë në identifikimin dhe eliminimin e gjuhës së urrejtjes ata e kanë patur të pamundur dhe misionet e tyre kanë dështuar.  Përvec dështimit nga ana e kompanive të rrjeteve sociale, kemi një dështim institucional. Institucionet ligjzbatuese hasin vështirësi në identifikimin dhe gjetjen e personit që përdor një gjuhë urrejtje dhe diskriminuese. Media sociale ofron anonimitet duke iu dhënë përdoruesve një lloj imuniteti të fuqishëm.

Një nga ndikimet më negative që kanë rrjetet sociale është privatësia. Sa të sigurt jemi ne gjatë përdorimit të këtyre platformave. Kush na e ofron sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave.

Privatësia është një nga të drejtat themelore e parashikuar nga një sërë instrumentesh ndërkombëtarë, duke përmendur më kryesoren “Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”. Konventë e cila ka shënuar një kthesë historike në trajtimin e individëve me të drejta dhe liri themelore. Kjo konventë nuk vepron vetëm, por ka ndihmësit e saj që janë shtetet dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo gjykatë ka dhënë një kontribut të domosdoshëm në promovimin e lirive themelore të njeriut, sidomos në lidhje me të drejtën e privatësisë, të parashikuar nga neni 8 i Konventës.

Teknologjia është bërë pjesë e pandashme e kohëve moderne, dhe përdorimi i saj ka hapur diskutime të reja në lidhje me privatësinë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur për një sërë cështjesh që përfshin përdorimin e rrjeteve sociale dhe të drejtën për privatësi. Në këto cështje gjykata ka vënë në dukje që përdorimi i rrjeteve sociale mund të shërbejë si transmetues i të dhënave personale pa autorizimin e subjektit të cënuar. Gjykata ka arritur në konkluzionin që e drejta për privatësi duhet të jetë e balancuar me disa të drejta të tjera të rëndësishme siç janë, e dreja e shprehjes dhe e interesit publik.

Për shembull, gjykata ka mbajtur qëndrimin që individët të cilët janë figura publike duhet të jenë më tolerantë ndaj rrjeteve sociale. Përveç kësaj, gjykata ka pranuar se platformat e rrjeteve sociale kanë përgjegjësinë për të respektuar privatësinë e përdoruesve të tyre dhe për të marrë masat e duhura për të mbrojtur të dhënat personale. Kjo përfshin detyrimin për të shkëmbyer dhe përpunuar informacion të saktë, dhe të marrë me pëlqimin e përdoruesit.

Një nga çështjen e GJEDNJ në lidhje me të drejtën e privatësisë e cila ka lidhje me rrjetet sociale është Delfi v. Estonia. GJEDNJ shqyrtoi përgjegjësinë e një portali lajmesh në internet për komentet e bëra nga përdoruesit e palëve të treta në faqen e tij të internetit. Rasti kishte të bënte me një artikull të botuar në Delfi, një portal lajmesh estonez, për një kompani tragetesh. Artikulli gjeneroi një numër të madh komentesh, disa prej të cilave u konsideruan shpifëse dhe fyese nga gjykatat estoneze. Delfi pretendoi se nuk mund të mbante përgjegjësi për komentet e bëra nga përdoruesit e saj, pasi kishte marrë masa të ndryshme për të monitoruar dhe hequr përmbajtjen e paligjshme. Megjithatë, gjykatat estoneze e gjetën Delfi-n përgjegjëse për komentet, duke e urdhëruar atë që ti paguajë dëmet kompanisë së trageteve.

GJEDNJ-ja la në fuqi vendimin e gjykatave të Estonisë duke deklaruar se e drejta e lirisë së shprehjes duhej të balancohej me të drejtën për respektimin e jetës private. Gjykata konstatoi se roli i Delfi si një portal lajmesh komerciale nënkuptonte se ajo kishte përgjegjësinë për të parandaluar ose hequr komentet shpifëse dhe se nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për ta bërë këtë. [3]

Çështja Delfi AS kundër Estonisë vërtetoi se portalet e lajmeve në internet mund të mbahen përgjegjës për komentet e bëra nga përdoruesit e palëve të treta në faqet e tyre të internetit dhe se ata kanë përgjegjësinë të marrin masa të arsyeshme për të parandaluar ose hequr përmbajtjen e paligjshme. Rasti ka implikime të rëndësishme për mbrojtjen e privatësisë dhe lirisë së shprehjes në epokën dixhitale. Gjykata ka mbajtur të njëjtin qëndrim në një sërë cështjes të tjera siç janë: MTE and Index v. Hungary (2020)[4].  Gjykata mbajti qëndrimin tek të dyja çështjes që media sociale është përgjegjëse për komentet shpifëse të postuara nga përdoruesit në përgjigje të artikujve që ata kishin botuar. Gjykata theksoi se platformat nuk kishin zbatuar një sistem efektiv për identifikimin dhe heqjen e komenteve shpifëse për të parandaluar dhe korrigjuar dëmin e shkaktuar. Gjykata ka pranuar se platformat e rrjeteve sociale kanë për detyrë të marrin masa të arsyeshme për të mbrojtur privatësinë dhe dinjitetin e individëve që janë subjekt i përmbajtjes së postuar.

Në përgjithësi, jurisprudenca e GJEDNJ-së për të drejtën e privatësisë në kontekstin e mediave sociale ka theksuar rëndësinë e garantimit që platformat në internet të marrin masat e duhura për të mbrojtur privatësinë dhe reputacionin e individëve, duke e balancuar këtë edhe me nevojën për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

KONKLUZIONE                                                                                                                                                        

Nga analiza e mësipërme kuptojmë rëndësinë dhe pashmangshmërinë e rrjeteve sociale në ditët e sotme. Nuk  mund ta mohojmë që këto platforma kanë transformuar mënyrën e jetesës së gjithsecilit. Megjithatë, rrjetet sociale krijojnë situata të tjera serioze dhe problematike, më kryesorja privatësia. Kohët e fundit është një shqetësim global në lidhje me menaxhimin e të dhënave personale nga platformat e rrjeteve sociale. Bota virtuale e këtyre aplikacione përbëhet nga komunikime personale, fotografi, pamje të fytyrave të ndryshme, të trupave. Sytë si një mjet identifikimi, posedohen nga këto aplikacione dhe ne nuk kemi sigurinë e plotë në lidhje me konfidencialitetin e tyre.

 

[1] https://medium.com/@coorevitshenri/the-impact-of-social-media-on-mental-health-f0e4d5622b3b

[2] medicalnewstoday.com/articles/social-media-and-mental-health

[3] globalfreedomofexpression.columbia.edu/cases/delfi-as-v-estonia/

[4] mte-v-hungary