Erti Poka, Fakulteti i Drejtësisë, UT —
Padyshim që premisa kryesore e Bashkimit Europian jo vetëm si koncept utopik dhe në dukje shpeshherë i paarritshëm, por edhe si një praktikë, e cila ka vendosur në një sfidë të madhe shtete, të cilat kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj familjeje homogjene në pamje, por heterogjene në realitet është që të hiqen dhe të eleminohen pikërisht këto elementë, të cilat i bëjnë shtetet të jenë të ndryshme.
Kjo gjë kërkon të rregullojë gabimet e së kaluarës duke tentuar të harrohen copëzat e mbetura gjallë të ekstremizmave të të dyja krahëve politikë, qoftë të majta, qoftë të djathta. Në teori lloji i parë i ekstremizmit zhvillohet kur problematikat janë të shumta dhe vështirë të artikulueshme dhe zemërimi është i madh e njerëzit tentojë të ndajnë me njëri- tjetrin pikërisht këtë urrejtje, ndërsa lloji i dytë i ekstremizmit ndodh kur duhet një dorë e fortë për të drejtuar ,pasi krizat janë të mëdha, por të identifikueshme e askush nuk është i aftë të ndaje me të tjerët atë që ka. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh në këto momente.
Covid- 19, ishte prova e rradhës për durimin e liderëve për të mbrojtur interesat e vendeve të tyre e duket se kur vështirësia troket tek dera të gjithë bëhen nacionalistë e mendojnë për veten e tyre. Një pjesë e mirë e vendeve në të gjithë botën kanë mbyllur kufijtë, për shkak të mospërhapjes së virusit, por duket se dalëngadalë po mbyllin edhe kufijtë e asaj se çfarë janë të gatshëm të pranojnë. Italia, vendi jonë fqinj, ka hasur në ndalesa të shumta doganore të materialeve kundër luftës ndaj Covid-19, Bashkimi Europian nuk është treguar aq bashkëpunues sa në situata të tjera tragjedish natyrore ose njerëzore, duke dhënë një mesazh të heshtur të shprehjes: “Të gjithë për vete, Zoti për të gjithë.” Por, të gjithë jemi koshientë se gjeopolitika, kërkon diplomaci e çdo shtet mundohet ta mbulojë sadopak këtë parim, nëpërmjet të cilit po qeveriset në këto momente.
Padyshim që çdo vend po përballet në një shkallë të ndryshme me këtë pandemi globale, e cila ka ndaluar aktivitetin human në një shkallë të lartë, por padiskutim të ndryshme për çdo vend, ama diçka është e sigurtë, që aleatët e vërtetë njihen në kohë të vështira. Për fat të keq në një periudhë të tillë vështirësish ku nevojtarët janë të shumtë e ofruesit të paktë duket se marëdhëniet diplomatiko- shtetërore, jo vetëm nuk i interesojnë përmirësimit të marrëdhënieve, por thjesht shpalosin anën egoiste të gjithësecilit, e cila padyshim që është e jusitifkuar në një situatë të tillë. E kur rrethanat përcaktojnë zgjidhjet, janë të pakta ato që mund të bëhen për të arritur në një balancim të situatës.
Gjithmonë krizat kanë prodhuar ekstrem, e me fuqizimin e ekstremistëve nacionalistë në Europë viteve të fundit për shkak të ardhjes së shumtë në numër të emigrantëve të paligjshëm, madje edhe në shtetet tona fqinje, duket se një situatë e tillë krize ku çdokush “mendon për veten” ka favorizuar fuqizimin e ideologjive nacionaliste. Shumë individë e shohin të arsyeshme një logjikë të tillë, ku secili mendon për vete, po kjo nuk është aspak pranë premisave të Bashkimit Europian, i cili si qëllim kryesor ka pikërisht shuarjen e nacionalizmit, nëpërmjet krijimit të një formacioni të përbashkët shtetëror, e nëse kjo tingëllon shumë utopike, të paktën krijimin e një ambienti, i cili kultivon vlerat e përbashkëta e jo diferencat, të cilat për hir të së vërtetës janë të dallueshme.
Mbyllja e kufijve fizikë, do pasojë edhe një mbyllje të kufijve intelektualë, duke bërë që kombet të mendojnë në vetën e parë. Sa herë globi përplaset me luftën për mbijetësë, instiktet “survival” dalin në pah duke i bërë të ditur të gjithëve, se konflikti shmanget, vetëm duke shmangur kontaktin, pra me pak fjalë urën e vetme të një marrëdhënieje të mirë, për të cilën Bashkimi Europian ka investuar kaq shumë kapital intelektual e ekonomik.
Përsa kohë Covid- 19 të jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve, askush nuk do të mendojë më për të mbështetur prirje “të qëndrës”, pasi të gjithë do të jenë duke menduar për veten e tyre dhe kjo është mëse normale. Më i kujdesshmi në këtë situatë duhet të jetë vetë Bashkimi Europian, i cili nuk duhet të lejojë që pikërisht kjo ego e shtuar në kushte jonormale të shkatërrojë aspiratat për të cilat ka punuar kaq shumë. Dita kur çdo gjë të ketë mbaruar, do të jetë dita kur të gjithë të kuptojnë se kë kanë mik e kë armik, ashtu siç edhe Makiaveli, tek vepra “Princi”, pohon, “të gjithë e shohin atë se çfarë ti je, por pak e përjetojnë dhe kuptojnë realisht se çfarë po kalon.”