Eranda Zorba, studente debatuese dhe aktiviste e Fushatës Nga Fjala tek Veprimi
Zgjedhjet e para demokratike janë të rëndësishme për procesin e tranzicionit. Në histori çfarëdolloj procesi transformativ që ka çuar në kalimin nga një regjim në tjetrin është themeluar mbi zgjedhjet. Kush vjen në pushtet dhe merr pushtetin pretendon që interpreton sovranitetin popullor dhe vetë regjimet moderne themelohen mbi konceptin e sovranitetit popullor, i cili duhet të jetë i matshëm dhe këtë e mundësojnë zgjedhjet. Në një regjim demokratik zgjedhjet duhet të jenë instrumenti primar dhe i vetmi instrument nëpërmjet të cilit arihet tek pushteti.
Sipas përkufizimit klasik të Max Weber: “partitë janë në thelbin e tyre të brëndshëm organizata të krijuara në mënyrë të lirë mbi bazën e rekrutimeve të lira duke patur gjithmonë si qëllim kërkimin e votave në zgjedhje për të siguruar poste politike”. Partitë politike përfaqësojnë grupe të caktuara shoqërore, që kanë një program dhe luftojnë për të mbrojtur interesat e grupit që i përkasin. Por, mbi të gjitha partitë politike së bashku më aktorët e rëndësishëm politikë janë makineria e zhvillimit të demokracisë.
Në dhjetor të vitit 1990 u pranua pluralizmi politik në Shqipëri dhe zgjedhjet e ’91 u panë si një mekaznizëm procedural për të marrë pushtetin dhe për të testuar forcën politike të subjekteve. Tereni i përfaqësimit bëhet i matshëm, pasi institucioni i Parlamentit nga institucion formal gjatë komunizmit kthehet në institucion substantial dhe praktikisht jeta politike e vendit rrotullohet rreth tij.
Partitë politike dalin nga menaxhimi i drejtpërdrejtë i institucioneve dhe futen në kuadrin e sferës publike. Nuk ka një numër kufizimi të partive politike, sepse në të kundërt shkelet një nga të drejtat themelore të njeriut që është e drejta e asocimit. Është pjesë e vullnetit individual të grupimeve apo të individëve që të artikulohen në forma dhe mënyra përfaqësimi dhe ky element bën të mundur nga pikëpamja ligjore zhvillimin e logjikës demokratike. Nëqoftëse, në regjimin komunist pushteti ishte i përqëndruar, me vendosjen e pluralizmit pushteti copëzohet. Duke i përcaktuar regjimin në bazë të raportit që ka shteti me shoqërinë, liria zgjerohet dhe kjo i ofron shoqërisë më shumë mundësi dhe opsione për të vepruar. Kjo është një mënyrë sesi pushteti kufizohet, cka lidhet me peshën e opinionit publik. Në këtë kontekst qeveria duhet të marrë vendime jo vetëm në raport me rezultatin e zgjedhjeve, por dhe në raport me atë që është ndjeshmëria publike, sepse një politikë publike e cila prodhon një ndjeshmëri negative mund të pëkthehet në të ardhmen në një rezultat elektoral negativ.
Tre kriteret për zgjedhjet janë zgjedhje të lira, të fshehta dhe me rezultat të paparashikueshëm. Por, në Shqipëri një nga problemet më të mëdha është korrupsioni, dhe këtu përfshihet edhe shitblerja e votës. Pra, deficiti demokratik është edhe për efekt të korrupsionit, i cili është shndërruar në një fenomen të natyrës kulturore. Sot votuesi shqiptar është i pasigurt për vlerën e votës së tij, pasi shpesh herë forca politike e subjekteve testohet me mjete jolegjitime. Për këtë arsye edhe elektorati gri ka ardhur duke u rritur në numër. Partitë politike do të duhej të shërbenin si grupe të organizuara qytetare të cilat do të ndikonin në drejtimin e shtetit, në implementimin e programit zgjedhor në bazë të zotimit apo “kontratës zgjedhore” në raport me qytetarin afër të cilit do të duhej të ishin vazhdimisht dhe jo vetëm gjatë fushatës parazgjedhore.
Mungesa e mekanizmave kushtetues për të kontrolluar dhe sanksionuar veprimtarinë e partive politike në rast se ato shkelin parimet kushtetuese në organizimin e tyre të brendshëm, kanë ndikuar që organizimi i partive politike të jetë largë standarteve evropiane. Në një shtet demokratik partitë politike duhet të jenë para së gjithash demokratike brenda vetes së tyre, në mënyrë që ato të mund të prodhojnë demokraci për vendin dhe për të gjithë shoqërinë gjatë ushtrimit të pushtetit politik. Kultura e munguar e dialogut politik ka lënë gjurmë në mungesën e tolerancën dhe të debatit kritik brenda partive apo në luftën e pamëshirshme ndaj fraksioneve të brendshme. Tensionet e brendshme nuk zgjidhen përmes instrumenteve demokratike, por përmes përjashtimit, shkarkimit, ndarjes, dhe krijimit te partive më të vogla alternative politike.
Modeli i sotëm partiak ofron argumente të shumtë të ikjes nga modeli kushtetues transparent dhe demokratik në funksionimin shumëplanësh brenda tyre, të kontrastit midis bazës ligjore dhe statusore dhe sjelljes faktike përgjatë aktivitetit politik, si dhe të mbi-pushtetit që partitë politike kanë në vendimmarrjen politike dhe institucionet kushtetuese, publike dhe politike. Tradita demokratike e brishtë dhe keqkuptimet mbi kulturën politike dominuese, e cila i referohet partive si burim pushteti e privilegjesh, ka rritur pritshmëri direkte dhe të menjëhershme të qytetarëve ndaj partive, duke u transferuar këtyre të fundit monopolin e vendimmarrjes pa pjesëmarrje direkte qytetare. Në këtë konteks, edhe qasja e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka qënë një qasje e mangët institucionale si pasojë e luftës së vazhdueshme të klasës politike për pushtet qeverisës. Vullneti politik vijon të dominojë dhe kushtëzon funksionimin e sistemit demokratik dhe institucioneve të pavarura.