Kriton Kuçi —

Në këtë periudhë kur gjithnjë e më shumë po duken të qarta pasojat tragjike që pandemia COVID 19 po lë në thuajse të gjithë botën, me mijëra jetë të humbura dhe me sisteme shëndetësore gjithmonë e më shumë në vështirësi, duket se Bashkimi Evropian po kalon përsëri ditë të vështirë,  në planin politik, ekonomik dhe institucional. Ashtu si pandemia po nxjerr gjithmonë e më shumë në pah difektet dhe problematikat e sistemit egzistues, në të njëjtën mënyrë po dalin në pah edhe difektet e strukturës së Bashkimit Evropian, të institucioneve të tij, të aftësisë dhe të vullnetit për të marrë vendime kolektive në favor të qytetarëve dhe sidomos të atyrë të vendeve më të varfëra.. Difekte dhe problematika të cilat u shfaqën në të njëjtën mënyrë gjatë krizës së borxheve. Gjithmonë kriza të tilla të mëdha i vendosin shoqëritë, politike përballë sfidave të mëdha. Sfida që për tu përballuar me sukses kërkojnë, ndryshime mënyrash të menduari, tejkalim të stereotipeve dhe paragjykimeve, ndryshime strukturash politike dhe ekonomike. 

Dhe përsëri në qendër gjendet debati. Dhe përsëri dilemat egzistencialiste që kanë gati 10 vite me rradhë që po turbullojnë Bashkimin Evropian. Cili është kuptimi i Bashkimit Evropian? Cilat janë vlerat mbi të cilat ky Bashkim mbështetet? A egzistojnë në praktikë këto vlera apo janë thjesht koncepte abstrakte? Cfarë do të thotë solidaritet? Deri ku duhet shtrirë ky solidaritet? A janë bilancet më të rëndësishme se njerëzit? A janë  shtetet anëtare të barabarta mes tyre? A duhet që integrimi evropian të vazhdojë me shtete të reja?

Ditët e fundit kemi qenë të gjithë dëshmimtarë të seancave të stërgjatura të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe të ngurrimit të shumë vendeve anëtare për të marrë hapa të rëndësishëm dhe thelbësorë për të përballuar krizën e pandemisë në mënyrë të përbashkët. Dhe kemi qenë dhë jemi dëshmimtarë të masave të pamjaftueshme që janë marrë. Nuk është dicka e re. Një ngurrim i tillë, dhe debate të tilla kanë qenë të pranishme edhe gjatë krizës së borxheve, me vendimet dhe masat e marra në atë periudhë jo vetëm të gabuara por edhe të pranuara më vonë si të tilla.

Dhe sot gjendemi përsëri përballë të njëjtave dilema dhe të njëjtave ngurrime. Me ndryshimin e vetëm që nëqoftëse gjatë krizës së borxheve rreziku dukej sikur i përkiste vetëm disa vendeve periferike të BE-së sot rreziku duket se është i përbashkët. Them duket sepse rreziku ndoshta përsëri nuk është i njëjtë për të gjithë. Edhe sot disa vende janë më të afta për ta përballuar krizën e pandemisë krahasuar me disa të tjera. Edhe sot brenda shoqërive tona ka njerëz të cilat i vuajnë pasojat e krizës më shumë se disa të tjerë. Dhe vendet të cilat hasin vështirësitë më të mëdha  sot janë ato vende të cilat u goditën më shumë nga kriza e borxheve dhe u detyruan të marrin masa shtrënguese dhe të bëjnë shkurtime buxhetorë kryesisht në sistemet e tyre shëndetësore. Dhe njerëzit të cilët hasin vështirësitë më të mëdha sot janë po ata të cilët paguan cmimin më të lartë gjatë viteve të krizës së borxheve. Dhe përsëri duket sikur cdo gjë fillon nga e para. Si një rreth vicioz.

Rritemi duke menduar se jemi qenie racionale të cilat mësojnë nga gabimet e tyre. Këtë besim në vazhdim ua atribuojmë edhe institucioneve politike, ekonomike dhe sociale  që krijojmë dhe që me rradhën e tyre ndërtojnë mënyrën se si bashkëjetojmë dhe bashkeegzistojmë. Mësohemi të besojmë se gjenerata së cilës i përkasim ka më shumë mundësi, më shumë prosperitet  se sa ajo paraardhëse dhe se gjenerata që do vijë do të ketë akoma më shumë se sa e jona. Ja ndoshta mbi këto cështje ja vlen të drejtohet debati. A jemi të tillë?