Ana Lena, Fakulteti i Drejtësisë, UT —

Pandemia e Covid-19 ka shkaktuar në të gjithë globin një krizë, që mund të marrë përcaktorë të tillë si shëndetësore, ekonomike, institucionale, psikologjike, etj. Kësaj vorbulle nuk i ka shpëtuar as Shqipëria, e cila vetëm disa muaj më parë pësoi humbje të rënda njerëzore dhe materiale si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Ajo që në zhargonin popullor flitet si krizë, në kuadrin ligjor shqiptar njihet me termin e “masave të jashtëzakonshme”. Dhe në këte shkrim do të trajtoj pikërisht rastin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe ‘fatin’ e të drejtave të njeriut pas shpalljes së saj.

Kushtetuta parashikon se masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje1. Si nje sëmundje infective, pushtimi nga Covid 19 përbën një fatkeqësi natyrore.

Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit2.  Kështu me vendim nr.243, datë 24.3.2020 me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37 (Paprekshmëria e banesës), 38 (Liria e lëvizjes), 41 paragrafi 4 (Shpërblimi nga shpronësimi), 49 (Liria e profesionit dhe mbrojtja shoqërore e punës), 51 (E drejta e grevës), të Kushtetutës 3.

Shumë shtete janë kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe media se nën pretekstin e pandemisë po dhunojnë të drejtat e liritë themelore4 dhe Shqipëria nuk i mungon kësaj liste, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore. Kjo duket qarte në: rastin e shtetasve shqiptarë që kane mbetur të bllokuar në kufirin greko-shqiptar në Kapshticë dhe Kakavijë prej datës 3 prill në kushte të vështira jetese dhe pa një argument bindës ligjor; kushtetueshmëria e akteve normative të Këshillit të Ministrave; projekt- amedamentet e maxhorancës për Kodin Penal ku parashikohen dëmime jo porprocionale me heqje lirie; debatin për publikimin e emrave të të infektuarve, etj.5

Kushtetuta sanksionon se organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.6 Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut 7.

Shembujt e mësipërm tregojnë se si de facto po vihet në pikëpyetje parimi i njohur i padhunueshmërisë të të drejtave kushtetuese. Mesa duket Covid-19 ka prekur jo vetem shëndetin publik por ka dobësuar edhe demokracinë. Ndërkaq mbetet për t’u parë si dhe sa do të respektohet shteti i së drejtës në ditët në vijim deri në mposhtjen e armikut të padukshëm.