Autorë: Andi Kasa, Loreta Çermeli, Valmir Visha

Ky dokument politikash ofron një analizë të problemeve të ofrimit të këshillimit të karrierës në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri (IAL) si dhe disa rekomandime të vlefshme për institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e këshillimit të karrierës në IAL-të e vendit.

Pavarësisht rëndësisë që këshillimi i karrierës luan për orientimin e mirë të studentëve në tregun e punës, një sërë problematikash ligjore dhe organizative i pengojnë zyrat e karrierës në njësitë kryesore të IAL-ve.

Në plan ligjor, krijimi i zyrave të karrierës është subjekt i së drëjtës së vetë IAL-ve për të parashikuar, hapur, ose mbyllur në përputhje me frymën ligjore dhe statutore, organe siç mund të jenë zyrat e karrierës. Mungesa e detyrimit ligjor për krijimin e këtyre zyrave ka bërë që një pjesë e IAL-ve të mos krijojnë zyra karriere, gjë që i privon studentët nga marrja e këtij shërbimi.

Sa i takon dimensionit organizativ, zyrat ekzistente të këshillimit të karrierës  kanë një vizibilitet shumë të ulët të veprimtarive të tyre dhe po ashtu shërbimet e tyre perceptohen si jo mjaftueshëm eficiente nga studentët. Gjetjet nga pyetësori i administruar në funksion të këtij dokumenti politikash evidentojnë se 70% e studentëve të anketuar nuk kanë informacion për ekzistencën e zyrave të karrierës në njësitë kryesore ku studiojnë. Vetëm 14.4% e studentëve që kanë dijeni për ekzistencën e zyrave te karrierës kanë marrë shërbim nga zyra dhe më pak se gjysma e tyre janë të kënaqur nga shërbimi i marrë.

Për përmirësimin e kësaj situate, grupi i punës për hartimin e këtij dokumenti politikash propozon rekomandime për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, IAL-të, zyrat e këshillimit të karrierës dhe sektorin privat. Rekomandohet që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me aktorë relevantë të fushës në pushtetin qendror e lokal, sektorin privat e akademinë, të zhvillojë vlerësime të nevojave të tregut të punës me qëllim informimin e nismave e fokus orientimin e karrierës së të rinjve dhe që IAL-të të parashikojnë organizimin dhe funksionet e zyrave të këshillimit të karrierës, të garantojnë infrastrukturë të përshtatshmë për ofrimin e shërbimeve të zyrës si dhe të përmirësojnë transparencën e vizibilitetin e zyrave të karrierës.

Sa i takon përmirësimit të shërbimit të ofruar nga zyrat, dokumenti ofron një set me masa praktike e konkrete që do të ndihmonin zyrat e karrierës të organizojnë më me eficiencë shërbimin e tyre si dhe të përmirësojnë vizibilitetin e aktivitetit të tyre tek studentët.

Për t’u njohur me këto masa dhe rekomandime, lexoni dokumentin e plotë të politikave këtu.

Ky dokument politikash  u zhvillua në kuadër të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, pjesë e Edicionit IV të Debatit Universitar, Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.