Dorina Gjipali, Universiteti Luarasi,
Në një shoqëri, ku ne dëshpërimisht kemi nevojë për debat të shëndetshëm për të sfiduar opinionet me argumenta dhe fakte, nuk ka model më të mirë për të rinjtë, sesa debati brenda auditorit universitar. Sot studentët janë të ekspozuar ndaj lajmeve dhe opinioneve në kohë reale në mediat sociale, ndaj opinioneve të prindërve të tyre, të pedagogëve e të moshatarëve të tyre, prandaj debati u ofron mundësinë të ngrenë pyetje dhe të sfidojnë opinionet e njerëzve që i rrethojnë.
Ndërkohë që një pjesë e mirë e njohurive të marra në leksione janë koncepte abstrakte, debati sjell tematika, ngjarje dhe problematika reale brenda auditorëve universitarë. Debati, si instrument edukues e revolucionalizon mësimdhënien dhe mësimnxënien, rrit mendimin kritik dhe vendimmarrjen si dhe vetbesimin tek studentët.
Debatet si një instrument mësimdhënie gjurmohen në Greqinë e lashtë, me Sofistët, Protagoras dhe Aristotelin[i], si pionierët më të hershëm, sot, debatet ekzistojnë në forma të panumërta në çdo shoqëri, duke filluar nga debatet e qeverisë, proceset gjyqësore, deri te debatet në media, ku individët paraqesin pikëpamje të kundërta përmes ndërveprimit shoqëror. Strategjitë dhe metodologjitë e mësimdhënies kanë evoluar me kalimin e kohës sipas nevojave të studentëve dhe ndryshimit të mjedisit universitar.
Si një metodë mësimdhënie, debati përfshin studentët në shprehjen e mendimeve të tyre nga dy këndvështrime konkurruese me qëllim kundërshtimin e argumenteve të njëri-tjetrit. Hulumtimi dhe praktika na tregojnë për debate efektive në formate të ndryshme për qëllime edukuese. Shembujt e debateve universitarë përfshijnë ndarjen e studentëve në grupe kundërshtare që paraqesin me radhë ose diskutojnë në një formë të strukturuar, si dhe simulimin e proceseve gjyqësore.
Një debat që shërben për mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive duhet të përfshijë katër komponentë konceptual: (a) zhvillimin e ideve me përshkrim, shpjegim dhe demonstrim, (b) përplasje mendimesh të mbështetura nga arsye dhe prova, (c) shtrirje ose argumente kundër kritikave, të cilat përsëri kundërshtohen nga kundërshtari, dhe (d) perspektiva, bëhet procesi i peshimit të ideve dhe çështjeve për të përfunduar me një vendim logjik, qoftë për çështjen, ose për prezantimin e argumenteve.[ii]
Në auditorët universitarë është kaq i domosdoshëm debati i strukturuar, me rregulla, etikë komunikimi, ku forcën e ka fjala, ku fiton argumenti. Ky instrument i rëndësishëm, kurrikular apo ektrakurrikular, inkurajon studentët të thellohen në studim, të mendojnë e të analizojnë më shumë, të fitojnë besim tek vetja, të komunikojnë më mirë në publik etj. Debati, gjithashtu lehtëson pjesëmarrjen verbale në auditor, me të cilën studentët hasin vështirësi, përfshin më shumë studentët në auditor. Në planin afatgjatë, debati ndihmon studentët të fitojnë aftësi dhe vlerësim kritik kur paraqitet një temë komplekse.
Puna më e vështirë për tu realizuar në auditorët universitarë është të menduarit kritik. Një student mund të mbarojë tërësisht studimet universitare pa menduar asnjëherë në mënyrë kritike, pa prodhuar asnjë mendim origjinal. Sepse të menduarit kritik, konsiton në kërkimin e linjave e rrymave të reja të mendimit, të reja për studentin, jo domosdoshmërisht të reja për të gjithë shoqërinë. Shumë ish debatues, ndoshta sot lidera, drejtues të lartë e akademikë ia atribuojnë aftësitë e tyre të të folurit publik, leximit dhe debatit. Sepse debati, përmirëson ndjeshëm aftësitë e të menduarit kritik, arsyetimit, të komunikimit dhe analitikës para audiencës së madhe, aftësi me të cilat studentët duhet të pajisen gjatë studimeve universitare.
Më shumë sesa thjesht argumentim, debati, jo vetëm që rrit akademikisht dhe intelektualisht studentin, por përbën një platform ku studenti mëson si të prezantojë më së miri veten duke u projektuar në të ardhmen kur do ti duhet të prezantohet e të bind punëdhënësin për aftesitë e tij. Prandaj debati duhet të jetë pjesë e auditoreve universitarë, në mënyrë që të zbusi hendekun midis jetës akademike dhe botës së jashtme. Të rinjtë që synojnë të hyjnë në tregun e punës sot, duhet të jenë në gjendje të komunikojnë me qartësi, të artikulojnë ide, të arsyetojnë, të ndajnë faktet nga opinionet.
Asnjë veprimtari akademike apo formë mësimdhënëse, e vetme, nuk mund ta realizojë sa më sipër më mirë sesa debati – aftësia për të menduar, për të formuluar përfundime me shpejtësi, për t’iu përgjigjur pyetjeve në mënyrë logjike dhe me qartësi, për të përmbledhur idetë, të gjitha procese që zhvillojnë individin.[iii] Studiuesit, pohojnë se debatet krijojnë lidera. liderat e mëdhenj publik, si Martin Luther King, dikur debatues të aftë në shkollat e tyre, janë bërë të tillë duke formuluar opinionin publik jo duke e diktuar atë.
Le të debatojmë në auditorët universitarë, le të jetë debati pjesë e veprimtarive kurrikulare dhe ekstrakurrikulare në universitetet tona si dhe një strategji mësimdhënie aktive dhe efektive për të motivuar studentët. Le të jetë kjo nismë e SCIDEV një ogur i mirë e të pasohet nga shumë nisma për debate të tjera brenda dhe jashtë auditorëve tanë.
[i] Vo, H. X., & Morris, R. L. (2006). Debate as a tool in teaching economics: Rationale, technique, and some evidence. Journal of Education for Business, 81(6), 315-320.Snider, A., & Schnurer, M. (Eds.). (2002). Many sides: debate across the curriculum. IDEA.
[ii] Snider, A., & Schnurer, M. (Eds.). (2002). Many sides: debate across the curriculum. IDEA.
[iii] Kennedy, R. R. (2009). The poëer of in-class debates. Active Learning in Higher Education, 10(3), 225-236.