Marina Gjoka MSc Marrëdhënie Ndërkombëtare (SCiDEV)

Kurrë më shumë se sot nuk është tentuar për një kontakt kaq të madh midis shteteve që janë aktorët kryesorë ndërkombëtarë. Ata tentojnë të përdorin gjithë mjetet e mundshme për të siguruar një imazh sa më pozitiv në arenën ndërkombëtare dhe kultura si motiv kryesor i dallimit të shteteve nuk bën përjashtim. Ajo është një katalizator që bën një lidhje mjaft të rëndësishme mes politkave të jashtme dhe sjelljes dhe fenomeneve që prekin popujt në pjesën e tyre më të ndjeshme, te emocionet dhe perceptimet. Shpesh këtyre  të fundit nuk ju jepet rëndësia e duhur pasi shtetet kanë të ngarkuar misionin e vështirë “për të treguar dhëmbët” dhe për të dhënë imazhin e një vendii të fuqishëm dhe shpesh nënvlerësojnë fuqinë e softpowerit por si ndërthuret dhe çfarë është Diplomacia Kulturore?

Diplomacia kulturore është një fushë e diplomacisë që merret me vendosjen, zhvillimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me shtetet e huaja nga mënyra e kulturës, artit dhe edukimit. Ajo është gjithashtu një proces proaktiv dhe një projeksion i jashtëm në të cilin institucionet e një kombi, sistemi i vlerave dhe personaliteti unik kulturor promovohet në një formë bilaterale dhe multilaterale.

Ndonëse në jetën e përditshme konotacioni i kulturës në diplomaci nënkupton vetëm anën akademike apo eventet e mëdha shtetërore në fakt sipas antropologëve  ajo ka të bëjë me çdo gjë që na rrethon nga gjuha,sjelljet,festimet apo perceptimet. Në pamje të parë koncepti diplomaci kullturore mund të duket shumë inovator, por ndryshe nga ajo klasike ku shtetet kanë instanca përkatëse përfaqësie dhe mjete me hapa konkretë që duhen ndjekur ajo daton në formën e saj embrionale që në lashtësi pasi mbretërit merrnin dhurata me objekte specifike të një vendi tjetër,apo  më vonë gjatë shekujve kur një formë udhëheqjeje përcolli edhe kulturalisht formën e saj që nga legjislacioni deri te arti dhe për këtë Bizanti është ndoshta shembulli më domethënës.

Përhapjen më të madhe koncepti e pati gjatë shekullit të kaluar sidomos pas Luftës së Dytë Botërore ku u krijuan instancat e para ku shtetet europiane patën një qasje më të hapur drejt përqafimit të këtij koncepti. Nga ana tjetër SHBA e pa gjithnjë si nëndegë të diplomacisë publike. Kjo disiplinë ndjek disa parime thelbësore të cilat i ka pararendëse të misionit të saj. Parimet janë:

  • Respektimi dhe Njohja e Diversitetit dhe Trashëgimisë Kulturore
  • Dialogu Global Ndërkulturor
  • Drejtësia, Barazia & Ndërvarësia
  • Mbrojtja e të Drejtave Ndërkombëtare të Njeriut
  • Paqja dhe Stabiliteti Global

Këto realizohen me disa mënyra dhe tendenca kryesore që shtetet ndjekin sot që përfshijnë imazhimin e shteteve për të krijuar markën-shtet pasi njerëzit shpesh lidhin shtetin me një produkt dhe po ashtu shpesh shtetet sillen si njerëzit. Ngjarjet e mëdha sportive apo artistike mund të sjellin një ndryshim jo vetëm në ekonomi por edhe në perceptimin e tij ndërkombëtarisht megjithatë organizimi i tyre ofron edhe mundësinë e efektit bumerang pasi një realizim jo i mirë mund të sjellë pasoja afatgjatë. Ato mund të përdoren edhe për të dhënë mesazhe të caktuara politike.

Tendenca e programeve të shkëmbimit gjithashtu është një nga mjetet që shtete përdorin dhe ne studentët e sotëm jemi vetë shembull i kësaj tendence. Struktura, si dhe intensiteti i përgjithshëm i aktiviteteve kulturo-diplomatike mund të ndryshojë, në varësi të shtetit dhe përparësive të tij si edhe ambicieve të politikës së jashtme të cilat nuk ndikohen as nga madhësia dhe as nga financat e shtetit. Insituticionet kulturore dhe ambasadat luajnë rolin kryesor në vendin pritës për të përmirësuar imazhin e shteteve të tyre dërguese,këto të fundit ndihmojnë këshilltarët kulturorë dhe specialistët nga ana logjistike menaxheriale dhe financiare. Përpos tyre që zakonisht varen nga misionet diplomatike edhe teatri,kinematografia apo evente unikale të një vendi mund të tentojnë të imponojnë qëndrimin e tyre për vende të caktuara e gjithashtu duhet përmendur se edhe ngjarjet politike ndikojnë së tepërmi në mënyrën si shtetet e bëjnë diplomacinë e tyre. Në BE ky zhanër i diplomacisë ka një organizim më të qartësuar dhe qëllimin e ka më shumë në përçimin e kulturës dhe gjuhës së tyre në të mirë të kulturës vendase më së shumti dhe jo drejt imazhimit për të dhënë një ide të përcaktuar te të tjerët për shtetin.

Në përfundim mund të them me bindje se Diplomacia Kulturore ka një rol të veçantë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare pasi kultura është ajo që prek në mënyrë të drejtëpërdejtë popujt dhe perceptimin e tyre për të tjerët më shumë se diskurset e gjata politike. Diplomacia Kulturore nuk duhet të shihet si një zëvendësim i  metodave të tjera diplomatike, por si një aset i shtuar i tyre i cili vepron në mënyrë konstante dhe të njëjtrajtshme për të realizuar synimet e politikës së jashtme të shtetit përkatës.