Marlin Muça —

Para pak muajsh shteti Kinez shpërnguli me forcë rreth 1 milion ujgurë për t`i dërguar në kampe të mëdha përqëndrimi ku do të riedukoheshin sipas parimeve marksiste. Ky precedent tregoi se sistemi politik i Kines i lejon kësaj të fundit të kryejë akte që bien ne kundërshtim me liritë e të drejtat e njeriut, pa e vrarë mendjen për pasoja apo sanksione politike të jashtme dhe të brendshme. Gjurmimi ekstrem që autoritetet kineze i bënë të infektuarëve me virusin,  thyen çdo legjislacion ndërkombëtar të ndërtuar për këto skenarë. Mbyllja e çdo veprimtarie ekonomike, kulturore apo politike nuk u shoqërua me pakënaqësitë e këtushme, përkundrazi, u prit me qetësi e bindje nga popullata vendase.

Bashkimi Europian ishte një histori komplet tjetër. Në dallim nga Kina, shtetet  e Unionit duhet të respektonin  kornizën ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare të miratuar apo ratifikuar pikërisht për këto lloj situatash. Koha që procedurat kërkojnë për të vëne në zbatim planin e masave vonon përgjigjen ndaj përhapjes së virusit duke e bërë më të vështirë mobilizimin e njerëzve dhe burimeve në menaxhimin e situatës.

Një tjetër dallim, është dhe natyra e opinionit publik në dy modelet e përmendura më lart. Në sistemet diktatoriale nuk ka një opinion publik ndaj dhe mbështetja popullore është e pafundme për cdo iniciativë qe ndërmerr shteti. Mungesa e kësaj pengese i krijon mundësi diktaturave te kenë në dispozicion një masë të jashtëzakonshme njerëzish të gatshëm jo vetëm për t`iu bindur urdhërave por edhe të jenë pjesë aktive e fushatave dhe masave që merren në parandalimin e krizave. Në shtetet perendimore, opinioni publik mbetet një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në politikbërje. Përvec vonesave që shkaktojnë procedurat ligjore, qeverisë i duhet të ndërtojë paralelisht dhe një fushatë piari në mënyrë që të ketë shumicën e opinionit publik pro veprimeve të saj. Edhe nëse ajo arrin të ketë në krah shumicën dërrmuese të njerëzve që janë të aftë të reflektojnë mbi realitetin që i rrethon, përsëri kjo mbeshtetje nuk do të jetë e pafundme dhe e përjetshme. Kjo specifikë e demokracive liberale do t`i bëjë shtetet të harxhojnë energji të dyfishtë si në përballimin e krizave ashtu edhe në marketimin e tyre në sytë e publikut.