Elvisa Qosja, studente viti III Bachelor, Shkenca Politike, FShS, UT —
Deri më sot ishim mësuar me një marrëdhënie të ngushtë midis shteteve, ku nëse një shtet do të kishte një problem, do të zgjidhje nga organizatat ndërkombetare, dhe anëtarët e tjerë do të solidarizoheshin me situatën e ndodhur. Ishim mësuar me një Amerikë që do të shprehte solidaritet e të bëhej bashkë moralisht madje dhe me ndihmë të drejtpërdrejte për shtetin në nevojë, anëtar të organizatës.
Marrëdhënia e SHBA-së dhe Evropës Perëndimore ka qenë e ngushtë për vite të tëra, kjo si pasojë e interesave të ndersjelltë dhe qasjes demokratike që ato kishin. SHBA-ja ka qenë gjithmonë një aleat i ngushtë për Evropën Perëndimore. Kjo u pa më qartë gjatë luftës së ftohtë ku interesi ishte më i madh sepse BS nuk duhej lënë që të kishte ndikim e të fuqizohej më shumë
Por, edhe pse ishin bashkë në një kah, shtetet e Evropës Perëndimore dhe SHBA-të u treguan egoistë. Ato kërkonin që të fuqizoheshin dhe të rrisnin hegjemoninë e tyre duke përfituar nga aleanca. Rast i tillë është çështja e Egjiptit në 1955 ku SHBA, Britania dhe Franca ishin bashkë për të larguar ekspansionizmin e komunizmit. Në një moment, SHBA largon Britaninë dhe Francën nga zonat që kishin influencë duke i vendosur këto zona nën ndikimin e saj. Është pikërisht momenti ku Franca e kupton që duhet të kishte ushtri të sajën të fuqishme. Por, në këtë moment, gjithashtu u vu re që edhe një shtet i dobët e pa influencë si Egjipti po luante me dy superfuqitë botërore dhe boshtet Perëndim – Lindje. SHBA i ofronte ndihmë per Digën e
Asuamit ndërkohë që Egjipti njihte Kinën komuniste.
Siç e shohim, edhe shtetet e vogla mund të luajnë një rol të madh në momentë të caktuara historike. Marrëdhenia e arenës ndërkombëtare është egoiste. Ndonëse shtetet më të fuqishme rreken të shfytezojnë ato më të vogla, Perëndimi na është shfaqur gjithmonë i bashkuar dhe shtetet afër njëri – tjetrit. Por sot po shfaqet një realitet tjetër. Shtetet perëndimore po bëhen çdo dite e më shumë egoiste, ndërkohë që organizatat heshtin në interes të shteteve më të mëdha e më të fuqishme.
Pikërisht në këtë kohë të vështirë shikojmë një Itali që zë vendin e Frances në 1955. Italia sot ndodhet e vetmuar përballë pandemisë botërore. Jo se shtetet e tjera jane bashkë, por duke qenë se Italia po e vuan më shumë se çdo vend tjetër pasojat e kësaj sëmundjeje, ajo nuk po merr
ndihmë, sidomos nga Bashkimi Evropian. Një nga qëllimet e BE-së është ndihma, zgjidhja bashkërisht e problemeve, por sot BE e la vetëm Italinë. Interesant është fakti se BE ndihmon Ballkanin Perëndimor dhe jo një shtet anëtar të sajin. BE braktis Italinë dhe kërkon të rrisë ndikimin në Ballkanin Perëndimor. Mos ndoshta kjo sjellje është si kundërpërgjigje a mesazh ndaj Italisë?! Apo Italia nuk ka ku shkon ndërsa në Ballkanin Perëndimor mund të rrisë ndikimin e saj Turqia, Kina ose Rusia?!
Pasi të kalojë e gjithë kjo, mendoj se struktura në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk do të ndryshojë thelbësisht. Organizatat do të vazhdojnë të funksionojnë në interes të shteteve më të fuqishme. Shtetet do të nxiten disi drejt nacionalizmave, do të përpiqen që gjithnjë e më shumë në interesat e tyre kombëtare por pa u shkëputur nga marrëdhëniet e jashtme sepse siç e pamë në rastin e Italisë, vetëm nuk mundt’i dilet. Le të shpresojmë se koha do të shërojë edhe këtë plagë e do ta bëjë që të mbetet një kujtim i hidhur njëjtë si tërmetet gjatë vitit 2019. Gjithsesi, po koha do ta tregojë.