Marlin Muça, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës —

Marrëdhëniet ndërkombëtare të pas Luftës së Parë Botërore  dhe deri sot bazohen në një koncept të njohur si siguria e përbashkët (collective security). Ky parim i rezistoi Luftës së Dytë Botërore dhe garantohet sot nëpërmjet një rrjeti kompleks organizatash ndërkombëtare dhe konventash, më të rëndësishmet ndër to si Aleanca e Atlantikut të Veriut  ( NATO), OKB, Bashkimi Europian dhe organet e saj me fokus sigurinë, OSBE dhe shume e shume mekanizma të tjera.  Synimi i institucioneve që  vënë në jetë parimin e sigurisë së përbashkët është ruajtja e paqes dhe status quo-s, në mënyrë që asnjë shtet apo grup shtetesh të munden të cënojnë sovranitetin e një shteti tjeter e për rrjedhojë dhe paqen e mbarë njerëzimit.

Aktorët shtetërore që kanë kërcënuar paqen e globit janë qënë jo të paktë këto 100 vitet e fundit. Perandori, ideologji, aleanca me në thelb ekstremizmin  irridentizmin dhe imperializmin politik e ushtarak janë ndeshur me aleanca e grupe të tjera  shtetesh në mbrojtje të sovranitetit, lirisë dhe demokracisë vetëm për të humbur si pasojë e diferencave në resurse dhe vendosmerisë se atyre që me të drejtën mbronin atdheun dhe lirinë e tyre. Mirëpo rreziku i kësaj sigurie nuk vjen vetëm nga  luftërat e nxitura prej aktorëve shtetërore dhe aleancave të tyre. Në epokën kur jetojmë ekzistojnë dhe disa rreziqe mikroskopike, të afta për të gjunjëzuar shtete të tëra pa nevojën e armëve bërthamore apo fushatave masive ushtarake. Tre muajt e fundit nje pjesë e madhe njerëzimit vuan efektet e Covid 19, një virus qe shkakton pneumoni. Shkenca nuk ka arritur ende te prodhoje nje vaksine apo kure trajtimi për të infektuarit.

Kjo pandemi kërkon bashkëpunimin e të gjitha shteteve  palë në konventa ndërkombëtare apo anëtare të organizatave me fokus sigurinë dhe jo vetëm. Koha kur jetojmë është provë e gjalle e efektivitetit të sistemit ndërkombëtar  që qeveris marrëdhëniet ndërkombëtare. Përvecse provë e zotimeve të veta ligjore dhe morale, kjo periudhë do të rezultojë të jetë dhe vendimtare për sfidën serioze që Kina dhe Rusia i kanë bërë  kohezionit, fuqisë dhe integritetit të Qytetërimit Perëndimor dhe interesave të tij në të gjithë botën. Deri më sot, gjasat janë që brenda këtij qytetërimi ka një  carje të madhe që rrezikon të hedhë poshtë jo vetëm  ngrehinën e Bashkimit Europian por shumë më tepër nga aleancat tradicionale e vendeve europiane me njëra tjetrën dhe marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shpërthimi viral i pandemisë i bëri njerëzit të harrojnë se janë qytetarë të lire të “Europës“. Papritmas ëndrra e një Europe të bashkuar politikisht ra pre e pamundësië së BE për të adresuar në mënyrë adekuate  nevojat dhe urgjencën e shoqërive të prekura rëndë nga efektet shkatërrimtare të virusit. Ashtu si ne fatkeqesite e tjera natyrore, njerëzit ju kthyen Shtetit të tyre për ndihmë, jo një organizmi politik të largët dhe të centralizuar në Bruksel. Këto shtete, nën trysnine shqetesuese të krizes së pandemise mbyllën kufijte, kufizuan lirine dhe të drejtat e qytetarëve me ligj e c`është më e habitshmja treguan pak ose aspak solidaritet me shtetet e tjera simotra qe vuajne po të njëjtën krizë virale në popullin e tyre. Ëndrra e Europës së Bashkuar politikisht u venit nga realpolitika e shekullit të ri që po lind dalëngadalë nga rrënojat e një ëndrre tjetër që po vdes e që lindi në shekujt e kaluar.

Vakumin e Bashkimit Europian dhe  mungesën e solidaritetit të shteteve karshi njëra tjetrës e zëvëndësuan Kina e Rusia, dy vende me një plan të qartë politik për ta shtrirë influencën e tyre në tregjet më të mëdha të botës.

Prej disa muajsh, nën iniciativën e Presidentit Xi Jinping, Kina ka ndërmarrë një projekt  ekonomik tejet ambicioz të pagëzuar si “Belt and Road“ initiave. Ky projekt ka për synim shtrirjen e influencës ekonomike kineze kudo në Botë me synimin e qartë për ta përkthyer  në një të ardhme të afërt në influencë politike. Përhapja e teknologjisë 5g nëpërmjet kompanise Huavei që ka shërbyer si kompania flagship e këtij projekti është jehona më e afërt e iniciativës së re kineze në Europën Perëndimore.

Pavarësisht problemeve ekonomike që kriza e virusit po krijon dhe do të krijojë në ekonominë kineze, ky projekt pritet të jetë  gjurma kryesore ekonomike dhe financiare ne botë e një Kinë që pritet të rivalizojë në të gjitha fushat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e saj. Kriza e Korona Virusit nuk e ka ndalur Kinën të rrisë prezencën në Europë dhe Azi duke dërguar ndihma dhe personel mjekësor për të përballuar pasojat e virusit.

Nga ana tjetër, Federata Ruse nën drejtimin e Presidentit Putin prej vitesh tashmë ka ndërmarrë një fushatë të fuqishme informative që synon te dobësojë kohezionin politik të Bashkimit Europian duke sulmuar pikërisht bazat themelore mbi të cilën është ndërtuar  Unioni. Nëpërmjet agjensive të saj inteligjente, një rrjeti të sofistikuar programesh kompjuterike dhe hakerash që fabrikojnë fake news dhe fushatave politike online, Rusia ka mundur të nxisë rritjen e ekstremeve politike në vendet e Bashkimit Europian, të rrisë  ksenofobinë ndaj emigrantëve dhe të ulë ndjeshëm besimin e shoqërive europiane ndaj idesë së një Europe të bërë bashkë. Një Europë e përcarë përkthehet domosdoshmërisht në një Kontinent të dobët. Një  Europë e dobët është një pre e lehtë e makinerisë ruse që synon ta shtrije ndikimin e saj sa më në Perëndim, me qëllimin e largët të zvogëlimit të influencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europën Perëndimore.

Ftohjen e shteteve europiane ndaj njëra tjetrës  në këtë kohë krize nuk mbeti pa e shfrytëzuar as Federata Ruse. Italia, një nga vendet me lidhje të ngushta me Rusinë qysh në kohën e Bashkimit Sovjetik, priti disa tonë ndihma mjekësore këtë jave nga vendi i cili, paradoksalisht, mbështet dhe mbyll marrëveshje si me ekstremin e djathte Lega Nord ashtu dhe me partine e nje ekstremi të një tjetër lloji, atë të 5 Yjeve. 

Ndihmat nga vende te cilat Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i konsiderojne si problematike në qasjen që ato kanë ndaj Perëndimit, sanksionet që këto dy aktorë të fuqishëm politikë i vendosin atyre si dhe mbështetja që kërkohet nga vendet më të vogla  nën një qëndrim të perbashkët shkon në përpjestim të zhdrejtë me solidaritetin që duhej treguar në një kohë kur testohen aleancat dhe partneritetet e mëdha e të qëndrueshme. Fakti që ky solidaritet mungoi i dha një alibi të shkëqyer forcave eurospektike që duan ta shohin Europën të ndarë në shtete sovraniste. I dha gjithashtu një kazus tjetër mjeteve të propagandës ruse dhe kineze për të ushqyer më tej euroskeptizmin si dhe për të dobësuar akoma dhe më tej shestimet e brishta të një Europe të ligur.

Virusi nuk do t`i japë fund Bashkimit Europian por do të ushqeje akoma dhe më kontradiktat e një organizate që i trajton hallkat e saj përbërëse si gur shahu e asgjë më tepër. Do të shëndoshë dilemat e ngjizura prej vitesh të establishmentit europian se ku duan ta cojnë ëndrren e Shumanit dhe të De Gasperit. Pandemia do të nxisë me patjetër  transformimin e projektit te guximshëm europian të shekullit të kaluar, përndryshe vetëm koha mund të zbulojë rezultanten e një bote shumëpolare ku edhe njëherë fatet e saj nuk do të luhen më në Europë, por gjetkë.