“Brain Drain”, “rrjedhja e trurit”, nënkupton emigrimin e konsiderueshëm të individëve të cilët kanë arsimim, trajnime dhe që janë profesionistë në shumë raste. Fenomeni i “emigrimit të trurit” po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmentin më jetik të një shoqërie.

Çdo vit, rreth 10% e numrit të studentëve, referuar një raporti nga INSTAT “Diaspora në Shifra, 2020” zgjedhin të studiojnë jashtë vendit. Ekspertët e shohin me shqetësim këtë fenomen, pasi kjo përbën rrjedhje të trurit dhe vendit në terma afatgjatë do t’i mungojë shtylla e shoqërisë dhe ekonomisë.

Sipas Monitor.al, Shqipëria ka rrjedhën më të lartë të trurit në rajon, 40% e të larguarve nga 2012-2019 janë të arsimuar.

Rrjedhja e trurit në Shqipëri është një problem i thellë që po e varfëron vendin nga kapitali njerëzor dhe është një pengesë e vazhdueshme për zhvillimin e vendit.

Qëllimi i hartimit të këtij studimi është të evidentojmë problematikat me të cilat shoqërohet fenomeni i “largimit të trurit” dhe sugjeron zgjidhje praktike dhe afatshkurtra në zbatim për të ndihmuar në zvogëlimin e këtij fenomeni në Shqipëri si dhe të joshjen rinisë së diasporës për t’u kthyer. Për ta realizuar këtë, burime lokale dhe ndërkombëtare janë analizuar dhe studjuar duke argumentuar se fenomeni i “ikjes së trurit” është një fenomen shqetësues, i cili ndikon në zhvillimin e ardhshëm të vendit.

Ky punim synon të fokusohet në ikjen e trurit dhe të rekomandojë politika specifike të nevojshme për të transformuar “ikjen e trurit” në “qarkullim të trurit.”, me fokusin ne keto tre pika: 1) ftesa për të rinjtë e diasporës të kthehen në Shqipëri dhe të mbajmë në vendin tonë të rinjtë tanë, 2) përmirësimi i kurrikulave në universitete, 3) ofrimin dhe funksionimin i zyrave të këshillimit të karrierës nëpër universitete ose nivel vendor.

Në fund të studimit, konkluzione të ndryshme janë listuar duke adresuar sugjerime mbi zgjidhjen e tyre.

Adaptimin e  kurrikulave në Universitetet Shqiptare, të cilat kanë probleme në koherrencë dhe në cilësi, si e tillë sugjerohet që të ndërmerren masa nga vetë Universitetet për t’i bërë funksionale strukturat që i kanë krijuar tashmë, duke krijuar plan-veprime dhe hartime të rubrikave specifike ku do konsistojë puna e tyre, me qëllim sigurimin e cilësisë dhe ruajtjen e standarteve sipas udhëzimeve të ASCAL-it, të krijojnë kalendarin Akademik në fillim të çdo viti  studimi dhe të përfshijnë Fokus-Grupet e studentëve për të ndjekur problemet më nga afër.

Zyrat e këshillimit të karrierës kanë tashmë një kontribut jetësor, hapja e tyre në nivel vendor, ose universitar ka shumë peshë për lidhjen e të rinjve në vend dhe atyre në diasporë,  këshillimin e karrierës dhe  punësimit për ta.  Për të përmirësuar situatën, bashkitë dhe universitetet duhet që të aplikojnë në projekte të tilla si Risi Albania ose projekte të ngjashme, të lidhin partneritet me financues ose ta krijojnë vetë me vendim senati këtë zyrë duke e financuar me buxhetin e tyre.

Të ripërcaktohen kuotat e diasporës në varësi të preferencave të të rinjve të diasporës , me fokusin për degë specifike, duhet të përmisohen kërkesat e aplikimit dhe detyrimeve post diplomimit të tyre si dhe këto kuota mos të jenë fiktive por pjesë e rregullores dhe Strategjisë Kombëtare të Diasporës Shqiptare 2021-2025.

Raporti i shkurtër mund ta lexoni këtu.

Ky raport i shkurtër është punë e grupit të të rinjve debatues që u bënë pjesë e Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi” në kuadër të Edicionit III të Debatit Universitar, Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Zhvillim Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, të financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Autorë: Sindi Caushi, Universiteti i Tiranës; Elisabeta Revaj, Universiteti Ismail Qemali, Vlora; Eranda Zorba, Universiteti i Tiranës dhe mentoruar nga Dr. Erida Curraj, SCiDEV.

Pikëpamjet në këtë raport janë të autorëve dhe jo domosdoshmërisht të SCiDEV apo OSFA