Abel Brahusha
Perceptimi ynë mbi realitetin njeh dy elementë që formësojnë botëkuptimin dhe qasjen tonë ndaj jetës: materialen dhe shpirtëroren. E para mbush boshllëkun shpirtëror ndërsa e dyta kërkon materialen si mjet lidhës për t’u vetëmbushur. Këto dy komponentë janë në dialektikë të përhershme me njëra-tjetrën por edhe të detyruara për të simbiozuar. Pikat e këtij konvergimi dialektiko-simbiotik bashkohen për të krijuar tablonë në të cilën pikturohet ekzistenca jonë. Korrelacioni materiale-shpirtërore na udhëheq pashmangshmërisht në zgjedhjet që bëjmë të cilat pasqyrohen në veprimet që kryejmë. Nëse balanca mes materiales dhe shpirtërores luhatet ndjeshëm, njeriu rrezikon të ekstremizohet në maniak fetishist të materiales ose dishepull fatalist të shpirtërores. Ruajtja e balancës të peshores është më se esenciale sepse duke e siguruar atë garantojmë ekuilibrin e peshores që na mban në të ashtquajturin mes i artë. Në pikëpamjen aristoteliane të çështjes, virtyti etik është qëndrimi në mesin e artë për të qenë i barazlarguar nga ekstremet. Si shembull merret virtyti i të qenit kurajoz, me cilësinë e kurajos në mes dhe të qenit moskokëçarës dhe frikacak nëpër ekstreme (Maden, 2023). Në këtë kontekst, konsumerizmi nënkupton arratisjen nga mesi i artë për t’u strehuar në gjirin e materiales në njërin ekstrem. Ky fenomen shpirtvdekjeprurës u zhvillua më tej me avancimin industrial të shekullit XX që pasoi me superprodhim dhe megareklamim (Vaidya). Reklamimi i produktit është i dobishëm për çdo biznes por megareklamimi është injektim i materiales në psikikën njerëzore që shoqërohet me efektin anësor të bonifikimit shpirtëror. Nëpërmjet kësaj strategjie të mirëmenduar, korporatat filluan të komandonin dëshirat e qenies humane duke i orientuar ato vetëm drejt materiales. Krijimi i patologjisë materialiste ekstreme erdhi se materialja është e prodhueshme dhe fitimprurëse monetarisht në ndryshim me shpirtëroren. Kapja e trenit të lumturisë u proklamua se arrihej nga ngritja artificiale e statusit shoqëror duke konsumuar sa më shumë mallra. Të parët që fuqizuan këtë trend ishin individët me të ardhura të konsoliduara, të cilët kishin tashmë fuqi blerëse. Me afirmimin e jetësesës së konsumit dhe fuqizimit të mëtejshëm të saj paralelisht me zhvillimin teknologjik, shoqëria e masës u godit financiarisht nga konsumerizmi për shkak se u detyrua të shpenzojë për konsum të panevojshëm me ëndrrën “për t’u bërë si ata më lart” e mosmbetjen mbrapa në një shoqëri bullizuese ndaj jokonsumeristëve. T’i bësh ballë trendeve dhe presionit shoqëror do të thotë të vendosësh me vullnetin tënd që të krijosh njëfarë distance nga shoqëria. Shkëputja nga turma është thelbësore për njohjen e vetes dhe dëshirave natyrale por masa zgjedh për të mos dalë nga zona deluzionale e komfortit dhe mosgjykimit, që në fakt vetëm rehati s’është.
Filozofë dhe aktivistë antikonsumeristë i reklamohen masës (nga të njëjtat korporata shpirtvdekjeprurëse) si përbindësha që kinse nuk lejojnë progresin e shoqërisë. Duke pasur mjetet e prodhimit dhe propagandës në duart e tyre, këto korporata me ndikim ndërkombëtar iniciojnë “cancel culture” për këdo që kundërshton mendësinë konsumeriste dhe rebelohet në mënyrë të argumentuar ndaj tyre. Më absurdja është se janë sërish po këto korporata që trumpetojnë demokracinë duke e shfaqur atë si fasadë të konsumerizmit që duan ta importojnë kudo e tek kushdo. Duke qenë se është artificial, konsumerizmi ndikon ndjeshëm në degradimin human e atë natyror. Për prodhimin e sendeve të panumërta që ushqejnë babëzinë e të pangopurve, shfrytëzohen punëtorë në vendet në zhvillim, që si duket “zhvillimin” po e marrin duke u shërbyer elitave kotësidashëse që përfitojnë nga krahu i tyre i lirë i punës. Krahas shfrytëzimit human, ndotja masive që këto fabrika i sjellin mjedisit është e frikshme. Cilësia e ajrit, ujërave dhe tokës në këto vende është në prag të kolapsit.
Qeveritë mbarëbotërore mblidhen në forume e konventa mjedisdashëse për të thënë shumë e bërë pak, prej se janë pikërisht ato që me lidhjen kovalente me korporatat nuk promovojnë dashjen e mjedisit por mbushjen e boshllëkut shpirtëror me anë të materiales. Patjetër që materialja është shpeshherë mjet lidhës për realizimin e dëshirave tona shpirtërore(p.sh udhëtimet) por në kuadër të shoqërisë postmodernisto-konsumeriste, materialja është kthyer në qëllim në vetvete. Rrjetet sociale, ndoshta dukuria më kontroverse e postmodernizmit, promovojnë, hiper-reklamojnë e gati ulërasin përqafimin e konsumerizmit, me kontrast në thelb por ngjashmëri në formë me britmën e Albert Kamysë në lidhje me përqafimin e absurdit. (Maguire, 2015)
Përvojat jetëndriçuese si udhëtimet, pavarësisht se kërkojnë bazën materiale për konkretizimin e tyre, ato prodhojnë diçka që kënaq shpirtin duke mos qenë konsum i rëndomtë. Buçitja e mediave, qoftë sociale apo vizive, edhe një eksperiencë unike dhe mendjehapëse si udhëtimi duan ta përshfaqin si mundësi për konsumerizëm duke drejtuar ndjekësit në vende luksoze si Dubai apo Las Vegas. Këto dy realitete janë shembuj të përafërt se si konsumerizmi fshihet pas gjethes së “zbulimit dhe përjetimit të një vendi të ri”. Ashtu siç rrjetet sociale ndikojnë me algoritmin e tyrë në përmbajtjen që na ofrohet, edhe korporatat ndjekin të njëjtën mënyre duke ndërhyrë në algoritmikën e trurit si e si që njeriu të dëshirojë në një mënyrë sa më materialiste të mundshme.
Efektet socio-ekonomike të këtij orkestrimi shfaqen kryesisht në pjesën e ulët të shtresës së mesme si grup kryesor që e pëson ekonomikisht nga konsumerizmi, duke qenë se një pjesë jo e vogël e të ardhurave të kësaj shtrese shoqërore shpesh sakrifikohen për konsum që mbush arkat e korporatistëve e manjatëve. Bullizimi i fëmijëve që nuk kanë mundësi të jenë konsumeristë nga bashkëmoshatarë të rritur në ambient familjar konsumerist është efekti më i dhimbshëm social që sjell konsumerizmi në postmodernizëm. Fëmija, i panjohur me mënyrën e funksionimit të shoqërisë që fetishizon materialen, fajëson prindërit e tij për mungesën e mallrave të panevojshëm, duke u bërë kësisoj në mënyrë të pafajshme e pavetëdijshme konsumeristi më i ri. Prindërit rëndom bëjnë çmos që dëshirat e fëmijës të plotësohen, të pafuqishëm për ta edukuar ndryshe fëmijën sepse edhe ata vetë ëndërrojnë të jenë konsumeristë aktivë.
Mania për t’u dukur me anë të materiales që posedohet dhe jo asaj çka posedohet në brendësi është modeli ordiner që shoqëria po ndjek duke u futur në një qorrsokak që helmon shpirtin dhe përbuz kulturën e rrënon intelektin. Vetëdijësimi mbarëshoqëror është i domosdoshëm për të kompensuar dëmin që korporatat në bashkërendim me interesa të hapura apo të nëndheshme po i bëjnë planetit e shoqërisë. Përgjatë historisë, ringritja kulturore e intelektuale ka kërkuar rrënimin e modeleve korruptive, në kuptimin e pasojave gërryese të saj. Shembja e piramidës konsumeriste nis nga poshtë-lart sepse nëse presim të kundërtën jemi duke pritur avionin në port. Largimi nga fluturaket e fantazisë që injekton konsumerizmi dhe ndryshimi i kursit të anijes që çan detin korporatist është zgjidhja e vetme drejt ringritjes. Përndryshe, do të shkërrmoqemi si kulla e Babelit.
Bibliografi
Maden, J. (2023). The ‘Golden Mean’: Aristotle’s Guide to Living Excellently. Philosophy Break.
Maguire, L. (2015, February 27). Camus and Absurdism. Philosophy Talk.
Vaidya, D. Consumerism. Wallstreetmojo.