*Ky artikull është pjesë e temave të diskutimit gjatë aktivititetit të zhvilluar më 09/03/2022 në Shkodër në kuadër të projektit “Nga Fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë” që zbatohet nga SCiDEV në bashkëpunim me CCIS dhe ESN Tirana me mbështetjen dhe financimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë.*
Mario Çurçija, PhD (Departamenti Administrim Biznes, FE – Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”)
Në momentin që flasim Shqipëria pritet të marrë ftesën shpejt, flasim brenda vitit, autorizimin për hapjen e negociatave zyrtare të hyrjes në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian në të cilin shqiptaret aspirojnë, një institucion politik i përbërë nga 27 vende anëtare në zgjerim të vazhdueshëm, është një krijesë politike që rrjedh nga identiteti europian i cili është sigurisht më i madh se vetë Bashkimi Europian dhe kjo është Europa.
Pra, çfarë është Europa? Kjo është një pyetje që mund të ketë shumë përgjigje në varësi të kontekstit.Kemi Europën politike që përmenda më lart.Kemi Europën koncept gjeografik si kontinent.Kemi Europën koncept monetar, monedhë, valutë që nënkupton një hapësirë gjeografike e cila përdor monedhën euro si mjet shkëmbimi zyrtar. Por çdo koncept i veçantë, specifik është pjesë e një më të koncepti me të gjere, me të madh i cili është identiteti europian. Ai identitet europian për formimin e të cilit institucioni i universitetit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Përse them që Universiteti ka dhënë një kontribut të madh për identitetin europian?
Universiteti nga pikëpamja e etimologjisë rrjedh nga fjala latine universitas – universitatis, që do të thotë bashkësi, korporatë, shoqatë. Universitatis – është një komunitet, një shoqatë studentësh dhe pedagogesh e cila ka lindur për herë të parë në Bolonja gjatë mesjetës në vitin 1088 si një model i arsimit të lartë i karakterizuar nga natyra e veçantë e mësimdhënies. Një bashkim vullnetar studentë – pedagogë të organizuar në fakultete siç është sot.
Në atë kohë sigurisht që kishte institucione të arsimit të lartë përvec universitetit, por këto institucione ishin nën drejtimin e pushteti publik të mbretit (të autoritetit shtetëror) ose ishte nën autoritetin e kishës. Universiteti i Bolonjës ndryshon për nga natyra laike tij dhe të qënit i pavarur nga pushteti publik, si dhe ishte një istitucion arsimor i hapur për të gjithë njerëzit – rast i rrallë për kohen dhe shoqërinë e atëhershme – pavarësisht nga shtresa shoqërore të cilës i përkisnin, prandaj studentët mund të ishin fshatarë, bij fshatarësh, zantatçinjsh, punëtorësh, tregtarësh apo aristokratësh. Modeli i Universitetit të Bolonjës triumfon si një model jashtëzakonisht i suksesshëm dhe brenda një shekulli përhapet në gjithe Europen (një shekull për standardin tonë është një përiudhë e gjatë, por për përhapjen e ideve të modeleve për periudhën në të cilën flasim – mesjeta -, një shekull nuk është një përiudhë shumë e gjatë) pra brenda një shekulli kemi Universitetin e Bolonjës dhe po ashtu në Itali Universitetin e Padovës, në Napoli Federico Secondo, në Angli Oksford dhe Kembrixh, në Spanjë – Salamanca, në Francë Sorbonnen, në Gjermani etj. Këtu kemi universitetin si një faktor i rëndësishëm për formimin e identitetit europian, sepse kemi një model standard të përbashkët të mësimdhënies – Universitetin –, por kjo nuk mjafton, sepse forma pa përmbajtje nuk ka vlerë.
Për sa i përket përmbajtjes, i referohemi procesit të mësimdhënies. Në radhë të parë kemi leksionet dhe tekstet universitare që janë të ngjashem nder të gjitha universitetet. Një element tjetër unifikues është prania e “pedagogëve udhëtues” për të cituar Umberto Eco-n, profesorë vizitues që lëvizin nga një universitet në një tjetër. Intelektualë të rëndësishëm në skenën europiane si Thomas Aquinas, pastaj shumë shekuj më vonë Erasmusi i Roterdamit, Nikolas Koperniku e shumë të tjerë, të cilët përveçse intelektualëve të shkëlqyer, ishin edhe profesorë universiteti të cilët leviznin nga një universitet në tjetrin, sa një semester në tjetrin, pikerisht në ato institucione arsimore – Universitetet – në të cilat më pas do të formohej klasa e re drejtuese europiane.
Kështu që gjatë mesjetës ne kemi të shpërndarë në të gjithë Europën të njëjtin model arsimor – Universitetin – pak a shumë të njëjtët profesorë që lëvizin për një semestër nga një universitet në tjetrin, një gjuhë te përbashkët – latinishja – dhe pak a shumë të njëjtat leksione, tema, çështje debati.
Gradualisht, falë kontributit të disa faktorëve – nder ta i rëndësishëm Universiteti – krijohet identiteti europian nga i cili rrjedh BE, në të cilin ne si shqiptare aspirojme të behemi pjese – ketu unë them aspirojme të jemi pjese e institucionit politik europian domethënë Bashkimi Europian, por jo Europa sepse ne sidoqoftë i përkasim këtij kontinenti, këtij identitet europian, pavarësisht se nuk jemi pjese e institucionit politik BE. Universiteti luan një rol të rëndësishëm në formimin e të njëjtave institucione ku ne dëshirojmë të jemi sot.
Cili është roli i universitetit në kohën tonë?
Padyshim që qëllimi i deklaruar në misionin e secilit fakultet fokusohet në përgatitjen dhe specializimin e studenteve në një fushë specifike. Për shembull, meqenëse unë jam pedagog i ketij departamenti, misioni për Departamentin e Administrim Biznesit ”është pajisja e studentëve me aftësi dhe njohuri për një karrierë profesionale në menaxhim”. Ky është një shembull qëllimi të veçantë për një fakultet, por ajo që është e përbashkët për të gjitha fakultetet është qëllimi i paisjes të studentëve me një skemë mendore, një strukturë mendimi, një metodologji të përballimit me problematikat dhe situatat sa më racionale dhe logjike të jetë e mundur. Qëllimet dhe Mjetet që përdorim mund të ndryshojnë, pasi janë të përkohshme, por vlefshmëria e metodologjisë së skemave mendore, të strukturave të mendimit racional logjik janë të a-temporale, të përhershme. Janë pikërisht skemat mendore, metodologjia dhe të menduarit logjik argumentues që mësohen në universitet të cilat u mundësojnë profesionistëve të së ardhmes të përballen pa frike me ndryshimet dhe flukset e informacionit.
Pra të ndalemi te ndryshimet dhe fluksi i informacionit; le ti marrim me radhe secilën.
Ndryshimet. Mendoni për fushën e kontabilitetit: një i diplomuar në ekonomi, i cili ka marrë siç duhet njohuritë bazë të kontabilitetit dhe ka mësuar e kuptuar logjikën e kontabilitetit – domethënë gjuhën përmes së cilës flet biznesi për veten – nuk preokupohet shume, nuk ka frike nga ndryshimet në legjislacion, të cilat, sic është kohet e fundit procesi i fiskalizimit, e bëjnë të nevojshme përdorimin e mjeteve dhe software të reja të punës, pasi ai di të veprojë me kontabilitetin, jo thjesht din të bëjë faturat kontabël. Veshtiresitë si pasoje e ndryshimeve në mënyrën e regjistrimit të kontabilitetit janë lehtësisht të kapërcyeshme nga ai, ndryshe nga një “kontabilist” i cili ka mësuar vetëm të hedhe shifrat në një software kontabilitetit.
Për të cituar një filozof Italian Umberto Galimberti: Të vepruarit dhe të bërit janë dy gjëra të ndryshme dhe, në të njëjtën mënyrë, të mësosh të veprosh dhe të mësosh të bësh janë dy gjëra të ndryshme.Të veprosh nënkupton një pjesëmarrje emocionale dhe intelektuale, një angazhim përsonal i individit, ndersa të bësh nënkupton procesin e ekzekutimit të dickaje në menyren më efikase të mundshme, e ngjashme në mos e njëjtë me atë të makinerive. Dhe ku më mirë se në Fakultetin e Ekonomisë janë të njohura keto koncepte, ku mësohen avantazhet e ndarjes së punës sipas Adam Smith, të manaxhimit dhe organizimit shkencor sipas Frederic Taylor domethënë të prodhimit masiv – fordizmit – dhe të shoqërise të konsumit të koheve moderne. Avantazhet janë të padiskutueshme, por specializimi dhe ndarja e punës e orientuar drejt efikasitetit dhe fitimit, duke shtrënguar hapësirën e veprimit të punonjësit vetëm për detyren që i takon dhe duke e komanduar punonjësin drejt ekzekutimit të detyrave në mënyrën më të saktë të mundshme për një qëllim të përcaktuar nga organizimi, specializon punonjësin dhe kufizon përgjegjësinë individuale, pasi e cliron atë, i heq njeriut përgjegjesinë morale nga pasojat e veprimeve të tij. Rreziku është i madh! Krimet me të madhe në historinë e njerezimin janë bere nga njerez të rendomtë, amoral sic përshkruan Hannah Arendt banalitetin e të keqes.
Punonjësi bën pa ditur përse! Veprime bëhen sepse: keshtu e kërkon puna – keshtu e kërkon pronari – keshtu e kërkon shefi – keshtu e kërkon proçesi. Dhe pastaj kur ndodh ndryshimi në natyren e punës, pronarit, shefit apo procesit – njeriu nuk është në gjendje të përshtatet sepse ai e bën atë punë pa e ditur përse e bën, njësoj si studenti i cili mëson përmendësh pa e ditur çfarë po meson, dhe kur ndodh ndryshimi, duke qenë i paaftë të përshtatet me ndryshimin, hidhet tutje si një faktor prodhimi apo si një makineri të cilës tashmë i ka mbaruar koha e duhet të fshihet nga inventari.
Të ndalemi te pika tjetër: fluksi i informacionit. Kërkoni në Google fjalën Paris dhe ndër sugjerimet e para që do t’ju shfaqen është Kulla Eifel, e cila është një objekt relativisht i ri. Kulla Eifel është monumenti turistik më i fotografuar në Instagram. Nëse ne duam të mesojmë për Parisin nëpërmjet google, vëmendja jonë largohet nga historia e vertetë e Parisit nëse klikojme të objekti me i famshem i Parisit Kulla Eifel, e cila është e vjetër vetëm 100 vite, nderkohë Parisi është një qytet me histori 2000-vjeçare.Jemi të bombarduar nga fluksi i informacionit, me të dhëna, shifra, grafike, reportazhe të ndryshme nga burime të ndryshëm, të cilat në vend që të japin informacionin e duhur, në vend që të sqarojnë opinionin publik dhe të lehtësojnë zbulimin e të vërtetës, shpesh janë burim dezinformimi dhe shtrembërimesh. Le të marrim për shembull rastet e fake news – lajmeve fallso – në lidhje me vaksinat Covid dhe sharlatanët që mbushin ekranet televizive apo rrjetet sociale me marrezira mbi sterilitetin e shkaktuar nga vaksinat apo mikro-chip që injektohen në trup nga infermieret e e djallit të blere nga Bill Gates. Kjo është vërtetim i asaj shprehjes të famshme të Umberto Eco: “Rrjetet sociale i kanë dhënë të drejtë fjale batalione budallenjsh. Më përpara budallai fliste vetëm te kafeneja e lagjes pas një gotë vere, pa i bërë dëm kujt. Pastaj shoket i thonin pusho, ndërsa sot në rrjetet sociale fjala e budallait ka të njëjtën vizibilitet me një fitues cmimi Nobel. Është pushtimi i budallenjve!”
Lind pyetja, si të mbrojme veten? Si të mbroheni ju studentët nga ndryshimet e të ardhmes të pasigurtë? Si të mbroheni nga bombardimi me informacione? Përgjigja më e lehtë do të ishte t’i drejtohesh një eksperti dhe të lexosh vetëm BBC-në si burimi i lajmeve më i besueshëm. Por kjo nuk është zgjidhja! Jo gjithmonë mund të gjeni nje ekspert dhe jo çdo gjë mund ta gjeni te BBC.Mënyra me e mirë është të dini të arsyetoni me mendjen tuaj në menyre logjike bazuar mbi fakte objektive, të njohësh metodologjinë dhe modelet teorike, të cilat megjithëse ndonjëherë duken të mërzitshme dhe jo shumë konkrete, ato janë mënyra më e mirë për t’u përballur me paqartësinë e të tashmes dhe pasigurinë së ardhmes.
Dhe në zhvillimin e këtyre aftësive intelektuale Universiteti ka shumë për të dhënë.