Igli Domi, ALUMNI
Ky artikull synon të japë një kornizë të shkurtër historike mbi kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë përgjatë ngjarjeve të ndryshme historike, ku rëndësi i është kushtuar gjithashtu edhe rolit të saj në ditët e sotme. Duke analizuar rolin e diasporës, përfshirjen e saj në çështjet kombëtare dhe lobimin në arenën ndërkombëtare, ne mundemi të vlerësojnë se diaspora shqiptare përfaqëson një mundësi të madhe, ende pak të shfrytëzuar për shkak se lidhjet me diasporën nuk janë të ngushta. Diaspora shqiptare në Amerikë i referohet shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emigracioni nuk është dukuri e re për shqiptarët. Fillesat e tij në Shqipëri ndeshen pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, me largimin e një numri të madh banorësh nga trevat shqiptare të pushtuara nga osmanët. Shqiptarët e parë që emigruan në Shtetet e Bashkuara ishin arbëreshët e Italisë në vitet 1884-1886,[1] të cilët janë ndjekur nga valë të tjera emigrantësh shqiptarë, që nga fundi i Luftës së Parë Botërore deri në ditët e sotme. Sipas statistikave zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetojnë rreth 400.000 shqiptarë.[2]
Kombi shqiptar ka përfituar nga ndikimi politik, intelektual dhe financiar i diasporës shqiptare, në veçanti nga diaspora shqiptare në Amerikë.[3] Mërgata shqiptare në Amerikë kishte mundësi më të mëdha për zhvillimin e veprimtarisë së saj në të mirë të lëvizjes kombëtare duke zhvilluar një veprimtari më të gjerë atdhetare.[4] Pikërisht kjo diasporë, në fillim të shek. 20, vendosi një standard në angazhimin e saj në mbështetje të vendlindjes së tyre. Hapi i parë në këtë drejtim ishte themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra” (1912), organizatës më të madhe të emigracionit shqiptar, në të cilën u bashkuan figurat më të shquara të shqiptarëve të Amerikës dhe gazetës “Dielli” të krijuar prej saj.
Në hyrjen e Kanunores së Shoqërisë, shkruhej: “Neve shqiptarë të Amerikës, mbetëm shumë të mallëngjyer nga liria, fuqia e bashkimi i popullit amerikan dhe kemi dëshiruar shumë të kuptojmë udhën, e cila i çoi ata në qeveri solide, duke e ndjerë sapo të kishim neve një të tillë, fati ynë si komb do të ishte fort larg.”[5] Kjo shoqëri kulturore e drejtuar nga Fan Noli dhe Faik Konica luajti rol thelbësor në bashkimin e emigrantëve shqiptarë, ruajtjen e ndjenjës kombëtare, hapjen e shkollave shqipe, botimin e librave shqip, mbështetën luftën për liri e pavarësi, kundërshtuan ndërkombëtarisht coptimin e Shqipërisë dhe kontriubuan në Autoqefalinë e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Gjithashtu sollën elementë të qytetërimit që ndikuan në përhapjen e arsimit kombëtar, kulturës e të mënyrës së jetesës perëndimore.
Eksponentët e “Vatrës” i përqëndruan përpjekjet e tyre dhe në sensibilizimin e diplomacisë amerikane në mbrojtje të çështjes shqiptare, në momentin që rëndësia dhe ndikimi i Shteteve të Bashkuara po rritej në arenën ndërkombëtare.[6] Rast konkret është lobimi i Fan Nolit tek presidenti Wilson për nevojën e sigurimit të Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë në përfundim të Luftës së Parë Botërore.
Si përfaqësues i “Vatrës”, Fan Noli i përcolli Wilson-it shqetësimet për coptimin e Shqipërisë nga fuqitë Ballkanike. Me aftësitë e tij prej diplomati Noli e bindi presidentin amerikan të mbronte çështjen shqiptare, ku falë ndërhyrjes së tij personale dhe me forcë në fund të Konferencës së Paqes e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi përfundimtar i saj. Veprimtaria lobuese e shqiptarëve të Amerikës rezultoi mjaft efikase në një moment delikat për shtetin shqiptar. Sigurisht që ky nuk ëshë moment i vetëm kur lobimi i diasporës shqiptare ka sjellë përfitime për shqiptarët.
Ngjarjet më të rëndësishme historike të Shqipërisë nuk do të kishin të njëjtin përfundim pa angazhimin e diasporës shqiptare në Amerikë. Duhet ta pohojmë faktin se sot më shumë shqiptarë jetojnë jashtë shtetit shqiptar, duke përfshirë edhe Kosovën. Emigracioni është një fenomen i pandalshëm, i cili i ka shoqëruar shqiptarët në periudha të ndryshme historike, prandaj duhen krijuar mundësitë e lidhjeve me të ngushta me të gjitha diasporat shqiptare në pjesë të ndryshme të botës.
Për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, emigracioni mund te konsiderohet deri diku ose përgjithësisht si një fenomen negativ, sepse të larguarit janë të rinj në moshë pune, njerëz të kualifikuar ku përbërja demografike e një vendi është një element që ndikon në zhvillimin e ekonomisë.[7] E rëndësishme është të mendohet se si të përfitohet nga ky realitet i pashmangshëm. Përfitim do të përbënin investimet nga diaspora. Investitorët nga diaspora do të përgjigjen, sepse përveç motivit të fitimit janë të frymëzuar edhe nga faktorë socialë dhe emocionalë për të investuar në vendin e tyre.
Diaspora shqiptare në Amerikë u mor si rast për të treguar gadishmërinë e emigrantëve shqiptarë për të ndihmuar në zhvillimin e vendit. Rëndësia e shqiptarëve të amerikës nuk ka ndryshuar edhe në momentet në të cilat flasim, pasi po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë. Ekonomia e vendit ka përfituar ndjeshëm nga hyrjet e remitancave, rreth 1.4 billion $ sipas përllogaritjeve nga Banka Botërore.[8] Megjithatë ekziston nevoja për të mbështetur mënyra të reja për promovimin e angazhimit të diasporës për të ruajtur dhe forcuar lidhjen e tyre me Shqipërinë dhe për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe sociale të vendit. Për këtë, fillimisht duhen njohur karakteristikat bazike dhe aspektet kryesore të zhvillimit të diasporaës shqiptare në Amerikë,[9] në mënyrë që të përcaktohen fushat kryesore ku mund të kontriubohet.
Fjalë kyce: Diasporë, emigracion, “Vatra”, lobim, shoqëri kulturore
Bibliografi:
[1]Sulemani, V., (2009). The Albanian diaspora: immigration and settlement experiences, Toronto Metropolitan University. Thesis. https://doi.org/10.32920/ryerson.14649450.v1, fq. 33
[2] Faqja zyrtare e Ministrit të Shtetit për Diasporën, (2023). Pasaporta e Diasporës, Tiranë. https://online.fliphtml5.com/dmiin/kgyt/#p=16
[3]Kostovicova, D., Glenny, M., Mai, N., Ragaru, N., Schmidt, F., & Vickers, M. (2008). Albanian diasporas and their political roles. In J. Batt (Ed.), Is there an Albanian question? (pp. 73–86). European Union Institute for Security Studies (EUISS). http://www.jstor.org/stable/resrep07041.8, fq. 75
[4] Akademia e Shkencave e Shqipërisë, (2009), Historia e popullit shqiptar 3, Tiranë: Toena, fq. 514
[5] Po aty, fq. 523
[6] Duka, Valentina, (2014), Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë: Albas, fq. 111
[7] Gjorduni c. F. , (2021), The Role of Diaspora in the Promotion of the Albania Economy, , Proceedings of The 3rd International Conference on Research in Business, Management and Finance, Bari. https://www.dpublication.com/wp-content/uploads/2021/06/123-5041.pdf
[8] Germin organization, (2020). Discussion with Albanian diaspora in USA: remittances a footprint for development, https://germin.org/discussion-with-albanian-diaspora-in-usa-remittances-a-footprint-for-development/, Prishtinë
[9] Nedelkoska. L. (2015), The Albanian Community in the United States: Statistical Profiling of the Albanian-Americans,https://growthlab.cid.harvard.edu/files/growthlab/files/usadiasporaprofile_final.pdf, Cambridge