Eranda Zorba, studente debatuese

Guy Almes ka thënë: “Ekzistojnë 3 lloj vdekjeje në këtë botë: vdekja e zemrës, vdekja e trurit dhe të qenit jashtë rrjetit.”  Një pohim që ilustron figurën e njeriut modern sot, i cili ka zgjedhur të braktis botën reale dhe të jetojë në virtualitet. Në tërësi duket se njerëzimi është në prag të një revolucioni të ri industrial, ku makineritë e avancuara dhe humanoide do të kenë rol parësor. Faktet janë dy dhe të pamohueshme: së pari jetojmë në epokën e inteligjencës artificiale, ku krahas trurit njerëzor vepron ai kompjuterik i trupëzuar tek pajisjet elektronike dhe së dyti, inteligjenca artificiale ka qasje në një pasuri të jashtëzakonshme të dhënash individuale, çka përbën kërcënim për të drejtat e njeriut dhe shoqërohet me implikime politike, ligjore dhe morale.

Në kushtet që programimi, robotika dhe gjuha kompjuterike janë prezente thuajse kudo jeta individuale po vihet në varësi në një masë gjithnjë në rritje nga inteligjenca artificiale. Progresi teknologjik rrit produktivitetin shoqëror, duke rritur standardin mesatar të jetesës, por nga ana tjetër thekson pabarazitë sociale dhe nxit diskriminimin ndërmjet shtresave të ndryshme shoqërore.  Ajo që mund të thuhet me siguri është se ideja e inteligjencës artificiale është diçka që ka magjepsur dhe njëkohësisht ka trazuar shkencëtarët, inxhinierët dhe filozofët që nga mesi i shekullit të 20-të. Debati duket se është i ndarë në dy kampe të ndryshmë mendimi: ata që druhen se inteligjenca artificiale do të ketë pasoja katastrofike për njerëzimin duke rrezikuar vetë ekzistencën e tij dhe ata që argumentojnë se zhvillimi i inteligjencës artificiale do të ndihmojë në zgjidhjen e problematikave komplekse si një nevojë e pashmangshme e së ardhmes.

Padyshim etapat e civilizimit njerëzor dëshmojnë se progresi i gjithanshëm shoqëror është produkt i inteligjencës në të gjitha format e saj. Konkrretisht, sa herë që shoqëritë kanë kaluar ndryshime shënjuese në dinamikën dhe strukturën e tyre ka qenë rezultat i inovacionit dhe risive teknologjike. Por ndërsa aftësitë përpunuese dhe prakticiteti i pajisjeve kompjuterike janë dyfishuar në intervale të rregullta është zgjeruar më tepër sfera e rrezikut të shkeljes së të drejtave të njeriut, duke vendosur në pikëpyetje ruajtjen e konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërinë e informacionit.

Për sa kohë zbulimi është esenca e teknologjisë, mjafton një klik dhe bota e re që lind na shkëput nga realiteti, na rrëmben me shumëllojshmërinë e ngjyrave, formave dhe stuhinë e informacionit dhe na bën pjesë të saj. Por papritmas kjo botë virtuale na ka tjetërsuar dhe na ka shndërruar në instrumente të saj. Ajo çfarë shumica prej nesh përjeton është një humbje e plotë kontrolli mbi përdorimin e pajisjeve tona. Diagnoza që na prezantohet është se teknologjia nuk po kontrollohet nga përdoruesit, por nga dizenjuesit, të cilët janë duke i dizenjuar aplikacionet që ne të varemi ndaj tyre, duke na rrëmbyer fillimisht vëmendjen dhe më pas të dhënat. Megjithëse kultura e internetit ka sjellë forma të reja të ndërveprimit social dhe e ka zhbërë nocionin kohë dhe hapësirë, ajo shoqërohet edhe me fenomene negative si bullizmi online, vjedhja e identitetit apo sulmet kibernetike.

Fusha e inteligjencës artificiale e fut njerëzimin në një rilindje modern, por paralelisht me këtë krijimi i sistemeve inteligjente duhet të qeveriset nga diapazoni i gjerë i ligjeve në të gjithë botën, që kanë të bëjnë me koncepte të tilla si drejtësia, privatësia, mbrojtja e individit dhe siguria. Kuadri universal për të drejtat e njeriut i vendosur nga Kombet e Bashkuara në 1948 mund të shërbejë si një themel i përshtatshëm . Inteligjenca artificiale nuk duhet të jetë abuzive, por duhet të trajtojnë çdo qenie njerëzore në mënyrë të drejtë dhe të ekuilibruar dhe të mos jetë e prirur për paragjykime dhe diskriminim.

Evolucioni i inteligjencës artificiale paraqet një fushë të re sfidash për pushtetin politik dhe institucional. Vendi ynë, Bashkimi Evropian dhe organizatat e mëdha ndërkombëtare, kanë një sfidë të madhe përpara tyre: të formojnë një kornizë të përdorimit institucionalisht të saktë, shoqërisht të pranueshëm dhe evolucionarisht të zgjuar të inteligjencës artificiale në dobi të njerëzimit. Me kalimin e kohës njerëzimi do të mesojë shumë gjera te reja të cilat do t’i lehtesojnë qasjen në lidhje me inteligjencën artificiale si mike dhe jo armike. Kur të vijë koha e përballjes me teknologjitë superinteligjente ai duhet të jetë gati, duke pasur si armë aftesinë e përshtatjes dhe instiktin e mbijetesës.