Petrina Broka, mentore dhe pedagoge, Fakulteti i Drejtësië, Universiteti i Tiranës
Jemi gati 12 muaj nga ardhja zyrtarisht e virusit Covid 19 edhe në vendin tonë. Sigurisht, që për të gjithë ne përballja me realitetin e ri, që ky virus solli, nuk ishte e njëjtë. Por, gjithsesi për të gjithë rezervoheshin sfida të reja, beteja të reja, të panjohura dhe që vijojnë të mbeten edhe sot si të tilla. Pavarësisht realitetit të ri, ajo që ne duam të shohim, është ajo drita në fund të tunelit, e cila pavarësisht se mund të jetë e largët, na jep shpresë dhe forcë për të vijuar përpara.
Përveç dhimbjes, sigurisht që ky realitet i vështirë na bëri të zbulojmë edhe forcën e madhe njerëzore, që duhet të mbijetojë, të bashkëjetojë, të përshtatet, nënshtrojë, sundojë, qoftë edhe mbi këtë virus. Gjithashtu, virusi na bëri të kuptojmë sa i rëndësishëm është ndërveprimi mes njëri tjetrit, bashkëpunimi njerëzor dhe ruajtja e vlerave të çmuara në shoqëri.
Dhe në kuadër të kësaj panorame të përgjithshme të realitetit të sotëm, dua të ndalem në një vlerë të çmuar si integriteti. Integriteti është një cilësi, që duhet ta ketë çdo person në një shoqëri të shëndetshme dhe sigurisht është një vlerë e domosdoshme, që duhet të ketë çdo qytetar, çdo student i sotëm dhe profesionist i nesërm, në çdo fushë veprimi.
Diktuar nga situata aktuale në të cilën ndodhemi, një fushë e cila ka nevojë për më shumë integritet mbetet shëndetësia. Edhe profesionistët e kualifikuar të saj, sikurse lavdërohen për punën e palodhur të tyre, shpesh përfliten edhe për integritetin e tyre. Situata e pandemisë Covid 19 na kujtoi të gjithëve se sa e rëndësishme është të kesh profesionist me integritet në këtë fushë, kur jeta e çdo pacienti mbetet tërësisht në duart e tyre. Sigurisht, që askush nuk do të dëshironte të gjendej në duart të nje personeli shëndetësor pa integritet dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë thellë mbi rolin dhe kontributin që edhe çdo qytetar duhet të japë mbi ruajtjen e integritetit.
Rreth dy vite më parë, protesta studentore na dëshmoi se edhe arsimi ka nevojë për ruajtjen dhe garantimin e integritetit, edhe në këtë fushë kaq të rëndësishme në formimin e qytetarëve dhe profesionistëve të së ardhmes. Kjo protestë ishte një dëshmi e gjallë dhe reale mbi domosdoshmërinë e ruajtjes dhe garantimit të integritetit edhe në këtë fushë, po ashtu aq të përfolur, por që tashmë ka nevojë për më shumë veprim dhe zbatim të rregullave të qarta, transparente dhe rigoroze, për të ruajtur dhe garantuar këtë vlerë të çmuar.
Po ti rikthehemi disa viteve më parë, të gjithë jemi dëshmitarë për domosdoshmërinë e garantimit të integritetit për profesionistët e drejtësisë. Reforma në Drejtësi u ideua dhe po vijon zbatimin e saj pikërisht me qëllimin për të garantuar dhe për t’i mundësuar qytetarëve një pushtet gjyqësor, që do të duhet të ofrojë vetëm drejtësi, në sajë të profesionistëve me integritet të lartë moral dhe profesional. Rezultatet e deritanishme të kësaj reforme, janë tregues të qartë se mosbesimi i qytetarve tek drejtësia nuk ka qenë i pabazë, pavarësisht numrit të ulët të rasteve të përgjegjësisë përpara ligjit të profesionistëve të fushës.
Këto 30 vite kanë treguar, që për më shumë integritet ka nevojë edhe politika. Sa më shumë persona me integritet në politikë, aq më shumë politika të drejta dhe të zbatueshme në realitet do të kemi. Mirëqeverisja nuk mund të arrihet pa inegritet.
Sigurisht që integriteti është domosdoshmëri në të gjitha fushat, ku lista nuk mund të jetë asnjëherë shteruese, duke përfshirë si funksionarët më të lartë shtetërorë edhe atë bujkun, blegëtorin në fshat, që për të jetuar duhet të kultivojë dhe prodhojë prodhime bujqësore e blegtorale, të cilat kërkojnë integritet, në mënyrë që të mbërrijnë tek konsumatori ashtu siç duhet, sipas standarteve ligjore.
Mungesa e integritetit në një shoqëri rezulton në një barrë, e cila rëndon mbi të gjithë shoqërinë dhe pengon ndjeshëm zhvillimin social dhe ekonomik të saj.
Shqipëria vazhdimisht ka marrë nisma ligjore e institucionale për të luftuar këtë fenomen. Gjithashtu, ka nënshkruar edhe një sërë konventash ndërkombëtare në këtë fushë, ka përshtatur legjislacionin me këto standarde ndërkombëtare, e disa herë ka qenë kali i betejave të ashpra elektorale, ku të gjithë akuzojnë të gjithë, si të korruptuar e të gjithë premtojnë, që kur të vijnë në pushtet, do të dënojnë të korruptuarit.
Por, a mjafton ligji? A mjaftojnë përgjigjet institucionale? A mjaftojnë reformat?
Nëse integriteti do të ish udhërrëfyesi, në hartimin e legjislacionit dhe zbatimi i tij do të kryhej në mënyrë rigoroze, me integritet të plotë, sigurisht që këto do të ishin të mjaftueshme. Përsa kohë që praktika tregon ndryshe, do të thotë që duhet bërë më shumë. Megjithatë, pa dyshim nevojitet marrja e masave që rrisin transparencën, konkurrencën e lirë dhe efektive, si dhe konkurrencën e ndershme, masa që zvogëlojnë mundësinë për të kryer akte korruptive apo elemente të tjerë të nevojshëm në këtë drejtim. Por, pa dyshim një element kyç për suksesin e kësaj përqasjeje është pikërisht edhe edukimi për integritetin.
Arsimi është një mjet shumë i fuqishëm për të edukuar integritetin. Megjithatë, edukimi i integritetit duhet të fillojë në një moshë sa më të hershme, duke u përfshirë në të gjithë sistemin arsimor, si një pjesë e mirëintegruar e kurrikulave mësimore. Nga ana tjetër, ai duhet plotësuar me të mësuarin jo formal e atë informal, me anë të aktiviteteve të ndryshme edukative, trajnimeve, fushatave të ndërgjegjësimit, ku fëmijët e të rinjtë duhet të jenë në qendër të këtyre aktiviteteve, si pjesëmarrës të rëndësishëm e jo thjesht si “dekor”, që të kuptojnë sa më parë se integriteti është një vlerë e çmuar dhe e domosdoshme, për sukses vetjak dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë, për ta bërë Shqipërinë më të mirë për veten dhe brezat që do të vijnë.