Nga Marlin Muca —

*Seri artikujsh blog “Youth Debate: A call to integrity”

Studentët dhe të rinjtë janë shtresa më vitale e shoqërisë. Si të tillë, nga ata pritet pararoja e cdo lloj reagimi, kur vjen fjala në përballjen ndaj  padrejtësive shtetërore dhe autoritarizmir të pushtetit.

Integriteti te të rinjtë sot, nuk mund të shfaqet më mirë se sa nëpërmjet vigjilencës dhe reagimir ndaj cdo lloj akti dhe veprimit të pushtetit, që cënon liritë dhe të drejtat e njeriut. Heshtja jonë sot do t’i hapë udhë padrejtësive më të mëdha nesër.

Dy vitet e fundit, të rinjtë shqiptarë kanë treguar një vetëdije të jashtëzakonshme në raport me të liritë dhe të drejtat e tyre. Për dy muaj me radhë ata protestuan në sheshet dhe fakultetet e Tiranës dhe qyteteve të tjera universitare në vend, për kushte më të mir arsimore. Ditët e fundit, të rinjtë e kryeqytetit protestuan dhunshëm kundër brutalitetit policor dhe arrogancës në qeverisje. Ngjarjet e fundit vërtetojnë se shoqëria shqiptare po përjeton një pjekuri demokratike. Është detyra e të rinjve të angazhuar, studentëve, të diplomuarve dhe profesionistëve të rinj, që të asistojnë këtë procss kaq të rëndësishëm për avenirin e kombit tonë, për të garantuar një të ardhme më të mirë për veten fëmijët dhe brezat që do të vijnë pas nesh.

 

Sot lipset t’i bëhemi barrikadë padrejtësisë, që zullumi i cilësdo qeverie nesër të mos trashet e të na zërë përfund, për të na bërë të largohemi nga Shqipëria apo më keq akoma: të bëhemi palë dhe vegël e autoritarizmit.

Ndaj dhe integriteti nuk mund të mbetet objekt i një shkrimi apo një lustër shkel e shko, e cila më shumë se sa dicka e qenësishme, shërben si alibi e pushtetit për ta na e shitur realitetin tonë si demokratik. Integriteti duhet të shpërfaqet përmes aktivizmit në rrugë, shoqëri civile dhe në formacione partiake. Vetëm në këtë mënyrë të rinjtë mund të ndikojnë në zhvillimet politike dhe shoqërore të një vendi.