Klajdi Logu, pedagog UET dhe mentor në debatin universitar për integrimin

Sistemi komunikues, për dekada me rradhë ka luajtur rolin kryesor në zhvillimin e shoqërive, sepse ai afekton në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën dhe veprimtarinë e anëtarëve të shoqërisë. Shoqëria s’është asgjë tjetër përpos një emërtim për numrin e individëve të lidhur ndërmjet tyre nëpërmjet ndërveprimit. Format, mënyrat dhe mediumet me të cilat njerëzit ndërveprojnë kanë ndryshuar shumë në rrjedhën e kohës. Teknologjia është një ndër faktorët më të rëndësishëm në ndryshimin dhe prodhimin e formave të reja. Mediat sociale dhe përdorimi i smartphonëve janë një fakt dhe realitet i shoqërisë teknologjike.

Për Marcuse (2006) në qytetërimin e përparuar industrial ekziston ‘një robëri e rehatshme, e butë, e arsyeshme, demokratike, një shenjë e progresit teknik’. Ne shoqërinë bashkëkohore, interneti dhe mediat sociale kanë ndryshuar thelbësisht formën e marëdhënieve ndërpersonale. Përtej avantazheve të zhdukjes së konceptit të kohës dhe hapësirës në komunikim, interneti dhe teknologjia kanë ndikuar në zvogëlimin e aftësive ndërpersonale dhe krijimin e varësisë së individëve ndaj komunikimit online.

Media sociale është një komponent thelbësor, kryesor në shoqërinë post-industriale. Mediat sociale kanë transformuar në mënyrë dinamike formën e marrëdhënieve njerëzore, mbi të gjitha kanë influencuar edhe vetë identitetin social të individëve. Individi është tepër i ndjeshëm ndaj shikimit përkufizues të tjetrit dhe kur njerezit nderveprojne sipas Goffman (1959) ata perpiqen te  shfaqin nje pjesë të vetes e cila të jetë e pranueshme nga të  tjerët.

Sipas Jakob (2015) media sociale ka hequr pengesat e komunikimit dhe ka krijuar një kanal komunikimi të decentralizuar dhe hap derën për të gjithë për të pasur një zë dhe të marrin pjesë në një mënyrë demokratike. Sipas tij, ‘ironikisht, media sociale është duke na kthyer në një nga gjeneratat më antisociale. Ne preferojmë t’i zhvillojmë bisedat në internet sesa në një takim ballë për ballë, dhe shumë prej tyre kanë zëvendësuar ndërveprimin njerëzor me platforma të përshtatshme si Facebook, Twitter dhe Instagram’.

Media sociale kështu ka nxitur një kuptim të rremë të “lidhjeve” në internet dhe miqësive sipërfaqësore që prodhojnë  probleme emocionale dhe psikologjike. Po ashtu, ekspozimi i tepërt ndaj modeleve online të jetës, që vjen nga dominimi i shoqërisë së konsumit, i bën njerëzit që gjithë kohës të jenë të ekspozuar ndaj diçkaje më të mirë se ajo që ata kanë, i nxisin që te mos vlerësojnë gjërat që kanë dhe të jenë gjithmonë në ankth dhe të pakënaqur.

Dëmi tjetër i mediave sociale është krijimi lehtësisht i varësisë dhe zvogëlimi i aftësive ndërpersonale, duke çuar në sjellje antisociale, pasi pjesa më e madhe e komunikimit sot zhvillohet online. Ne e shofim këtë tablo, çdo ditë, në kafene, në shkollë, në shtëpi, që njerëzit shpenzojnë shumë kohë fokusuar në aparatët e tyre celularë sado në prezencën e njerëzve të tjerë afër.

Njerëzit janë gjithnjë e më shumë të varur nga objektet, produkte të punës së tyre. Sipas Marcuse (2006) njerëzit e shohin veten në mallrat e tyre; ata e gjejnë shpirtin e tyre tek automobili i tyre; tek telefoni i tyre, tek shtëpia e tyre, tek pajisjet e kuzhinës së tyre. Ka ndryshuar pikërisht mekanizmi, që e lidh individin me shoqërinë e vet, dhe kontrolli social është ankoruar në nevojat e reja të prodhuara prej këtij kontrolli.

Shoqëria teknologjike tashmë është një realitet që faktohet vazhdimisht dhe pambarimisht përpara nesh. Gjithçka është e orientuar drejt saj dhe gjithçka lidhet me të, saqë është krejt e vështirë, por jo absurde, të mendojmë një realitet tjetër të pavarur nga prezenca e saj. Më e rëndësishmja është vullneti dhe aftësia e individit për ruajtjen e autenticitetit të qenies së tij, atë që e bën njerëzore dhe menaxhimi ose përdorimi më i zgjuar i produkteve të punës së tij.