Dr. Benita Stavre, Dr. Romeo Terolli

Debati universitar sot ka krijuar një hulli të re të përfshirjes së vëmendjes së brezit të ri në drejtime që  në fakt nuk janë pika fokale diskutimi për të rinjtë e kësaj moshe. Ndërkohë që vëmendja kryesore e gjimnazistëve dhe studentëve ngelen veprimet apo mosveprimet e shtresës që pasurinë dhe famën i shohin lehtësisht të fitueshme, media çuditërisht duket ta frymëzojë edhe me shumë këtë shembull jo shumë të shëndetshëm shoqëror. Debati mediatik i tryezave të rrumbullakta, gjysmë të rrumbullakta, apo ovale, në të cilat moderatori jo shumë profesionist do të dëshironte ta mbyllte emisionin më shpejt se koha e përcaktuar për shkak të degradimit të fjalorit dhe idesë brenda debatit, tani janë zëvendësuar me një shembull edhe me të keq të debatit banal mbi tema të rëndomta, gënjeshtra të bardha dhe të zeza, mbi të përditshmen e të rinjve shqiptarë.

Në këtë kuadër, vlera e debatit studentor rritet tek mendon që pjesëmarrësit me dëshirë zgjedhin ta largojnë vetën nga sa më sipër dhe të fokusohen në një/disa fusha që i shohin si mënyra të denja integrimi në shoqëri. Formati i debatit, me mundësinë e sugjerimit/përzgjedhjes së temave, angazhimin në kërkim konkret të anës përmbajtësore të tyre, në ruajtjen e etikës së komunikimit, mbështetur në argumentim ose pranim të mendimit ndryshe, e bën studentin tëvetëdijshëm që ka mundësinë dhe aftësinë të komunikojë në lidhje me tema që kanë rëndësi konkrete për shoqërinë që e rrethon.

Njëra prej temave që dukej se zgjoi më tepër interes këtë radhë ishte: “Votimi në Shqipër duhet tëbëhet në mënyrë elektronike”. Kjo për faktin se për shkak të moshës së re, studentët pjesëmarrës e shohin të domosdoshme që reforma në procesin zgjedhor të nxitet sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas fjalorit të Cambridge University zgjedhjet janë: “një kohë kur njerëzit votojnë për të zgjedhur dikë për një punë politike ose zyrtare”. Mekanizimi për të realizuar procesin zgjedhore është vota e cila ushtrohet prej të gjithë anëtarëve të një shteti në kuptim formal e juridik me moshë ligjore mbi 18 vjeç.

Sot, Shqipëria gjenden në një fazë të implementimit të projekteve pilot për zhvillimin e votimeve në mënyrë elektronike. Sipas Rodney Smith (2009) vendet që konsiderojnë përdorimin e makinerive elektronike të votimit zakonisht zbatojnë studime pilot përpara se të adoptojnë këto teknologji votimi në mënyrë universal. Në bazë të një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është përcaktuar se në Republikën e Shqipërisë në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023 do të jenë tre bashki pilot (Vorë, Kamëz, Elbasan) në të cilat do të implementohet pjesërisht sistemi i votimit elektronik të zgjedhësve, ndërkohë që në 58 bashki të tjera votimi do të zhvillohet në mënyrë tradicionale.

Nisur nga përvoja e procesit elektronik të pjesëshëm të zhvilluar në një zonë zgjedhore në zonën e Tiranës (konkretisht zona zgjedhore 40) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, sistemi elektronik dëshmoi disa avantazhe shumë të rëndësishme, të cilat duhen të jenë objekt për zhvillimin e votimit elektronik në të gjithë vendin. Së pari, votimi elektronik është një proces që paraqet efikasitet të rritur në raport me votimin tradicional. Procese të tilla si hapja apo mbyllja e kutive të votimit, procesi i administrimit të kutive apo materialeve zgjedhore, procesi i numërimit, të cilat zgjasin në kohë eleminohen. Këtu vjen në ndihmë teknologjia, ku përmes sistemeve respektive zgjedhore rezultatet paraqiten në kohë reale. Së dyti, votimi elektronik paraqet një proces me saktësi të përmirësuar në raport me votimin tradicional. Kjo ndodh sepse sistemet e teknologjisë së informacionit programohen në atë mënyrë që të dhënat e ofruara të jenë të vërteta dhe të kontrollueshme. Për rrjedhojë, këtu shmangen edhe gabimet njerëzore të cilat ndodhin gjatë procesve tradicionale. Ky lloj votimi ofron gjithashtu mundësinë e votimit të emigrantëve. Sipas Instat (2021) diaspora shqiptare përllogaritet në 1.5 milion banorë. Duke qënë që pjesa me e madhe e emigrantëve nuk e kanë mundësinë fizike për të qënë në vendin e tyre ditën kur zhvillohen zgjedhjet, votimi elektronik do t’iu jepte mundësinë e votimit nga vendi ku ata janë vendosur. Së fundmi, ky votim ul nivelin e fenomeneve të dënueshme nga ligji siç mund të jenë ndikimet pranë qendrave të votimit, fotografimet e votave, shënimet në fletët e votimit për identifikimin e votës, presionin që mund të ushtrohet nga aktorë të tjerë, etj.

Gjetjet e mësipërme të të rinjve pjesëmarrës në fazën pilot të debatit institucional, tregojnë se shprehja e së drejtës së tyre të votës, nuk është lehtësisht e ndikuar nga prirja apo përkatësia partiake e familjes së tyre dhe as nga presioni i gjerë shoqëror dhe mediatik që i shoqëron shpesh proceset zgjedhore në Shqipëri. Mbështetja e argumentimit të mësipërm me të dhëna nga burime aktuale të literaturës e reflekton këtë edhe më qartë. Me sa duket, debati ka filluar të krijojë qytetarë më të vetëdijshëm mbi rolin që kanë në shoqëri, dhe mbi të gjitha më të përgatitur për të ofruar një shembull ndryshe të bindjes/mosbindjes shoqërore në të ardhmen.