Më 2 maj, SCiDEV zhvilloi gjysmëfinalen e Edicionit IV të Debatit Universitar. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të Laboratorit të Debatit Universitar-Nga Fjala Tek Veprimi, pjesë e Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë, i realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”.
4 skuadrat e përzgjedhura përgjatë Maratonës së Debatit Universitar debatuan mbi politikat e arsimit të lartë, largimin e të rinjve si dhe politikat e taksimit në vend.
Temat e paketës kërkimore të cilat u përzgjodhën me short nga studentët debatues jepen si më poshtë:
Tema e debatit të skuadrave | Qasje afermative | Qasje Opozitare |
Binjakëzimi i universiteteve shqiptare me universitete evropiane do ta ulë trendin e largimit të të rinjve nga vendi. | UVLORA | FDUT |
Taksimi i sheshtë është model më i përshtatshëm se ai progresiv për kontekstin shqiptar. | UMSH | FEUT |
Temat e debatit të liderve | Qasje afermative | Qasje opozitare |
Universitetet shqiptare duhet të favorizojnë në renditje aplikantët e angazhuar në veprimtari vullnetare/komunitare. | FDUT | UVLORA |
FEUT | UMSH |
Në këtë fazë të kompeticionit të debatit universitar, u aplikua eleminimi direkt i skuadrës me numrin më të ulët të pikëve sipas vlerësimit të jurisë. Skuadrat finaliste të Edicionit IV të Debatit Universitar u shpallën Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Universiteti Ismail Qemali Vlorë përballë Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës
Debati i parë i gjysmëfinales u zhvillua mes skuadrave debatuese të Universitetit Ismail Qemali Vlorë dhe Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në debatin mes skuadrave, skuadra debatuese e Universitetit të Vlorës argumentoi se binjakëzimi i universiteteve shqiptare me ato evropiane do ta rriste cilësinë e universiteteve shqiptare. Në mbështetje të qasjes pro temës ata shtuan se pajisja e studentëve shqiptarë me diploma të njohura nga vendet e Bashkimit Evropian do ta ulte incentivën e të rinjve për t’u larguar nga vendi për cilësi më të mirë arsimimi. Skuadra opozitare nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, artikuloi se punësimi është motivi kryesor pse të rinjtë largohen nga vendi dhe njohja e diplomave shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian do ta lehtësonte largimin e të rinjve nga vendi.
Në debatin mes liderve, Andi Kasa, lider i skuadrës Debatuese të Fakultetit të Drejtësisë mbrojti qëndrimin se universitetet duhet të favorizojnë në renditje aplikantët me eksperienca vullnetare duke paraqitur modelin e universiteteve prestigjoze në botë si dhe duke argumentuar se nisma do të nxiste qytetarinë aktive në vend. Lideri i skuadrës së Universitetit të Vlorës, Indrit Lita mbrojti qasjen kundër duke argumentuar se universiteti është vend i dijes dhe se favorizimi i në renditje i aplikantëve me eksperienca vullnetare, diskriminon të rinjtë nga zonat rurale me akses të kufizuar në mundësi angazhimi komunitar.
Në përfundim të debateve, juria vlerësoi të dyja skuadrat për debatin qytetar dhe përgatitjen dinjitoze të bërë. Me një diferencë të ngushtë pikësh, juria kualifikoi në finale skuadrën e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë përballë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës
Skuadrat debatuan temën “Taksimi i sheshtë është më i përshtatshëm se ai progresiv për kontekstin shqiptar.”, ku skuadra e UMSH mbrojti qasjen pro dhe FEUT atë kundër. Skuadra e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë e mbështeti tezën duke artikuluar se taksimi i sheshtë është më i drejtë dhe incentivues për qytetarët dhe bizneset, ndërsa skuadra nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës argumentoi se taksimi progresiv rrit të ardhurat e buxhetit të shtetit si dhe duke artikuluar se taksimi progresiv ndihmon konsumatorët fuqi më të ulët blerëse.
Në përfundim të debatit, juria vendosi të kualifikojë për në fazën finale Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.