Prof. Asoc. Dr. Holta Heba
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Rritemi dhe veprojmë çdo ditë në disa kushte të caktuara, të cilat mund të jenë gjeografike, kulturore, natyrore dhe shoqërore. Hapësira ku jetojmë është e ndërlidhur fort me vetë shqisat tona si dhe me vetë vlerat e formimit tonë. Kjo hapësirë është një lloj pasaporte që na identifikon dhe na dallon nga të tjerët. E ndërtojmë, e krijojmë dhe e shfrytëzojmë në bazë të shijeve kërkesave dhe mundësive që na ofrohen. Përpiqemi t’i marrim më të mirën mjedisit duke treguar ndërgjegjësim dhe përkujdesje. Na duhet të mbajmë  në gadishmëri të lartë shqisat tona, në mënyrë që të mirat e hapësirës t’I ruajmë me  fanatizëm të madh.

Ne njerëzit dhe hapësira ku jetojmë nuk mund të shihemi si dy elementë të ndarë nga njëri-tjetri për aq kohë sa përparimi apo degradimi i të dyve është në varësi të ndërveprimit dypalësh.

Nëse veshit tënd nuk i bën përshtypje zhurma e mjedisit, atëherë gjendja jote mendore është mësuar me këtë zhurmë.

Nëse zhurma komunikon shqetësim për veshin tënd, atëherë kjo shqisë reagon dhe përcjell mesazhin se ty nuk të pëlqen degradimi prej zhurmës. Nëse veshit i komunikohet një melodi, apo një tingull i bukur e i paqtë, nuk ka arsye pse të mos e pranosh që të bën të ndihesh mire.

Nëse syri yt vetëm sheh ashtu kot rastësisht pa vëmendje, atëherë të jesh i bindur që nuk ke pare asgjë. Të shohësh do të thotë që të hedhësh një vështrim të kujdesshëm rreth asaj që të përket, dhe në rast se e sheh të dëmtohet, të reagosh dhe të ngresh zërin për të patur një mjedis të denjë për të jetuar në harmoni me të dhe me gjithë të tjerët.

Nesë ajo që të përket është e bukur dhe po vijon të jetë në të mirën tënde, atëherë reago dhe kontribuo që ta çosh përpara!

Po kur ti sheh nëpërmjet syve të tjetrit? Është pikërisht rasti kur ti nuk sheh me syrin tënd, por me lentet e tjetrit, të cilat të imponohen në varësi të dakordësive që ke bërë me të.

Nëse syri të sheh diçka të bukur, të pastër dhe të mirëndërtuar, nuk ka asgjë të keqe ta thuash me zë dhe ta pranosh me ndërgjegjie të plotë se qenka vërtet mrekulli.

Një mirëadministrim i hapësirës ku ti frymon, kërkon që shqisat të jenë në alert të plotë për të reaguar pro ose kundër, mjaft të mos qëndrosh i fshehur apo indiferent.

Kur ti nuk e do dhe respekton mjedisin ku jeton, mos prit që në një të ardhme të kesh përfitime prej tij, madje mos u habit e mos u zhyt në panik kur ai dikur të ka paralajmëruar se nuk mban e nuk duron dot më. Çdo dëm kundrejt mjedisit, përkthehet si dëm kundrejt teje, ashtu sikurse çdo e mirë kundrejt tij kthehet në përfitim për ty.

Gjithë sy e veshë për të kuptuar se për  çfarë ka nevojë mjedisi yt!
Gjithë sy e veshë për të kuptuar se për çfarë ke nevojë ti!
Mos harro… koha ka treguar se vetë mjedisi ka reaguar me ose pa paralajmërim.