Në kuadër të projektit “Nga fjala tek veprimi – Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë”,i cili është i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), zbatuar nga, Scidev, ESN Albania dhe Qendra për Studimet e Krahasuara dhe Ndërkombëtare (CCIS) ditën e hënë datë 21 Mars 2022, u zhvillua forumi rinor, ku pesë të rinj, aktivistë të ESN Tirana, Klea Dahari, Julian Sopaj, Kevin Topi, Anisa Omeri dhe Sara Frroku prezantuan nismën më të re rinore në ndihmë të transportit publik-urban në Tiranë.
“Në një kohë kur numri i popullsisë në Tiranë po pëson vetëm rritje, zhvillimi i transportit publik është një e ardhme e pashmangshme.” – Anisa Omeri Aktiviste ESNAlbania
Projekti synon të lehtësojë gjetjen e informacionit mbi linjat urbane në qytet, në dobi të studentëve vendas dhe atyre ndërkombëtar. Përmes inovacionit në qasje, harta digjitale e stacioneve dhe linjave urbane përkthehet në një format ambientalist nëpërmjet pikave orientuese të pajisur me QR code.
Me pjesëmarrjen e veçantë të znj. Bora Muzhaqi, Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, znj. Enxhi Lipa, Tirana European Youth Capital 2022 dhe znj. Greta Kokalari, Shoqata për Integrimin e Zonave Informale SHIZI – AIIA, në moderimin e Lutjona Lula, bashkëthemeluese e ESN Tirana. Forumi bëri bashkë aktorë të ndryshëm, duke promovuar modelin e bashkëpunimit, sinergjisë dhe ndërlidhjen me organizata dhe nisma të ngjashme jo vetëm kombëtare por edhe rajonale, si Regional Youth Cooperation Office – RYCO.
Znj. Muzhaqi u fokusua në mundësitë që do t’u ofrohen të rinjve nga grupmosha të ndryshme, zhvillimet e strategjisë së rinisë si dhe mundësi konkrete suporti kushtuar idesë së prezantuar nga të rinjtë. Pa harruar këtu statusin e Tiranës si qyteti i rinisë për 2022 dhe morinë e aktiviteteve edukuese, social- kulturore, argëtuese që i japin të rinjve mundësinë për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe implementimin e projekteve.
“Ndihem shumë e entuziazmuar që ky projekt më mundësoi të jap kontributin tim në përmirësimin e jetës së studentëve. Si një e re e ardhur nga rrethet, e di shumë mirë që orientimi me linjat e urbaneve është tmerrësisht i vështirë. Gëzohem kur mendoj se ne mund t’i japim zgjidhje këtij problemi.”- Sara Frroku Aktiviste ESNAlbania
Përgjatë muajve në vijim aktivistët e ESN Tirana do të angazhohen në zhvillimin e seancave informuese me studentë të fakulteteve, diskutime me grupet e interesit, realizimin e video-ve informuese, dhe përgatitjen e materialeve nën sloganin “GJEJE” për t’i ardhur në ndihmë përdoruesve të transportit publik të orientohen nëpër stacionet dhe urbanet e qytetit.
“Projekti nga fjala tek veprimi është një eksperiencë unike për mua. Me mbikqyrjen e ESN Tirana, na është dhënë mundësia që problemet që kemi ne si të rinj t’i debatojmë dhe të propozojmë nisma konkrete për to. Transporti urban në Tiranë është një problematikë që kushdo e has në përditshmërinë e vet. Zgjidhja që ne kemi propozuar është sa inovatore dhe aq efiçente. Personalisht jam entuziast për projektin që kemi ndërmarrë, jo vetëm për zgjidhjen që kemi propozuar, por për të gjithë procesin se si kemi arritur atje. Kam patur mundësinë që aftësitë e mia t’i vendos vazhdimisht në provë dhe deri tani jam i kënaqur me rezultatet e arrira. Besoj se dhe pjesa tjetër e grupit ka përfituar diçka nga kjo eksperiencë e deri tanishme.”- Kevin Topi Aktivist ESNAlbania
“Duke parë se ishte një problem që shqetëson studentët prej vitesh, unë së bashku me grupin vendosëm të bëjmë këtë projekt duke ju ardhur në ndihmë të gjithë studentëve dhe turistëve që vizitojnë Tiranën çdo ditë. Kontributi im është idejimi dhe lançimi i pyetësorit nga ku do arrijmë të mbledhim të dhëna specifike dhe të sakta rreth përdoruesve të transportit urban, dhe sa ndikim do të ketë projekti në zbatim.”-Julian Sopaj Aktivist ESNAlbania
“GJEJE”!… Jo, nuk ka humbur gjë. Ne jemi këtu për të mos lejuar që kjo të ndodhë. Veç duke skanuar QR code-in mendohet të arrihet një koordinim i volitshëm në stacionet e autobuzave dhe linjave në qytetin e Tiranës.”- Klea Dahari Aktiviste ESNAlbania