Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) organizoi takimin e parë koordinues të Fushatës nga Fjala tek Veprimi duke shënuar kështu nisjen e kësaj iniciative në kuadër të Edicionit të tretë të Debatit Universitar. Ky projekt mbështeten nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Këtë edicion, SCiDEV do të mbështes me mini grante 14 të rinj, debatues të Programit Kombëtar të Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik në Shqipëri, Debati Universitar – Edicioni III. Të rinjtë përfaqësojnë fusha studimi të ndryshme nga qytete universitare si Durrësi, Shkodra, Tirana, Korça dhe Vlora. Ata janë përzgjedhur pas një thirrje të hapur për aplikime dhe rreth 50 aplikimeve të marra. Të rinjtë do të punojnë me dy mentore të ndara në grupe në tema që kanë të bëjnë më të dhënat personale, shërbimet digjitale, rininë dhe diasporën dhe trashëgiminë industrialë, të gjitha këto të lidhura me programet strategjike të SCiDEV dhe temat e debatit të tyre si edhe kontekstin në shoqërinë Shqiptare.
E reja e kësaj fushate është që këtë edicion të rinjtë do të trajnohen nga Faktoje.al dhe Citizen Channel për edukimin për media dhe informim dhe si të prodhojnë materiale mediatike për advokim si pjesë e projektit Youth RAP të IREX Albania. Qëllimi i projektit është t’i pajisë të rinjtë me njohuri për edukimin mediatik, verifikimin e fakteve dhe raportimin etik dhe multimedial. Duke bashkëpunuar me IREX dhe organizatat partnere Faktoje.al dhe Citizen Channel ne synojmë që të rinjtë të aftësohen jo vetëm për t’u bërë qytetar kritik dhe të angazhuar, por edhe kontribuues me shkrime në media dhe postime/reagime në rrjetet e tyre sociale mbi temat më me interes për ta dhe komunitetet ku ata jetojnë.
Gjithashtu, këta 14 të rinj i shtohen 15 të rinjve të angazhuar tek Fushata nga Fjala tek Veprimi të organizuar në Shkodër, Tiranë dhe Korçë në kuadër të projektit “Nga fjala tek veprimi – Aktivizim për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë” të mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe zbatuar nga SCiDEV, ESN dhe QSKN.