Më 2 dhe 3 qershor, SCiDEV zhvilloi për herë të parë Forumi Rinor i Debatuesve: “E ardhmja e Arsimit të Lartë në Shqipëri: Bashkëkrijimi i politikave të qëndrueshme”. Eventi u mbajt në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile 2023 dhe një pjesë e financimit u sigurua nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Forumi Rinor i Debatuesve synoi të nxiste diskutimin e hapur dhe bashkëpunimin midis studentëve dhe aktivistëve të rinj me politikëbërës, përfaqësues të akademisë, biznesit dhe shoqërisë civile.
Për këtë qëllim, në dy ditë të njëpasnjëshme, 30 alumni të debatit universitar ndër vite dhe përfaqësues të organizatave studentore punuan në grup nën drejtimin e aktivistëve të “Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi” në temat:
- Lidhja e arsimit të lartë me tregun e punës
- Pjesëmarrja e studentëve në proceset vendimmarrëse të Institucioneve të Arsimit të Lartë
- Digjitalizimi i arsimit
- Qarkullimi i mendjes, diaspora dhe rinia
Secili grup pune hartoi një propozim specifik me qëllim adresimin e sfidave kryesore të identifikuara në fushat e sipërpërmendura. Këto propozime iu prezantuan përfaqësuesve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bashkisë së Tiranës, ekspertëve të transformimit digjital dhe arsimit të lartë, të cilët ndanë me pjesëmarrësit e Forumit informacione të përditësuara dhe rekomandime të vlefshme për propozimet e tyre.
Një përshkrim i shkurtër i propozimeve për të rinjtë mund të gjendet në seksionet e mëposhtme.
Lidhja e arsimit të lartë me tregun e punës
Grupi i punës i fokusuar në lidhjen e arsimit të lartë me tregun e punës synoi të adresonte nivelin e ulët të vizibilitetit të Zyrave të Karrierës në Fakultete. Grupi propozoi disa masa për të rritur nivelin e informacionit mbi Zyrat e Karrierës brenda Universiteteve dhe efektivitetin e tyre, të cilat jepen të përmbledhura si më poshtë:
- Krijimi i zyrave të karrierës brenda universiteteve ku ky shërbim mungon.
- Zhvillimi i një fushate ndërgjegjësuese për rëndësinë e zyrave të karrierës në Universitete.
- Integrimi i studentëve të Programit Master Profesional në Orientimi në Karrierë në Fakultetin e Shkencave Sociale në zyrat e karrierës për të rritur cilësinë e burimeve njerëzore të zyrave të karrierës në Universitete.
- Rritja e vizibilitetit së zyrave të karrierës përmes buletineve mujore, organizimit të vizitave studimore dhe ofrimit të individuale për studentët.
Propozimet u pritën pozitivisht nga aktorët, të cilët dhanë sugjerime dhe rekomandime shtesë për grupin. Znj. Joniada Hito, përfaqësuese nga Zyra e Karrierës në Bashkinë e Tiranës, i sugjeroi grupit të punës që krahas avokimit për zyrat e karrierës në çdo fakultet, të fokusohet në rekomandimin e krijimit të një Zyre qendrore Karriere brenda universiteteve për të lehtësuar kontaktin e palëve të treta me zyrat e karrierës në çdo fakultet.
Pjesëmarrja e studentëve në proceset vendimmarrëse të Institucioneve të Arsimit të Lartë
Grupi i punës vuri në dukje si problemet kryesore në pjesëmarrjen e studentëve në IAL peshën e votës së studentëve në zgjedhjet për senat akademik dhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet organeve përfaqësuese të studentëve. Për të adresuar këto probleme, grupi i punës propozoi ndryshime ligjore në Ligjin për Arsimit të Lartë në Shqipëri të përmbledhura si më poshtë:
- Rritja e përqindjes së peshës së votës së studentëve nga 10% në 25%.
- Parashikimi ligjor i organizimit të Parlamentit Studentor të Universiteteve në Shqipëri.
Lidhur me këto propozime Dr. Ermelinda Durmishi, titullare e Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit konstatoi se rritja e peshës së votës së studentëve është një kërkesë e përsëritur e studentëve, por theksoi se sfida kryesore për studentët është funksionimi i duhur i organeve të tyre përfaqësuese. Sipas saj, studentët duhet të fokusohen më shumë në nxitjen e proaktivitetit të organeve ekzistente të përfaqësimit të studentëve në mënyrë që të ndjehen më të përfaqësuar në proceset vendimmarrëse të IAL-ve. Prof. Asoc. Dr. Nevila Xhindi, ProRektore e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë mbështeti rekomandimet e të rinjve dhe znj. Durmishi dhe shtoi se krijimi i Parlamentit të Studentëve nga vetë organet përfaqësuese të studentëve pa nevojën e ndërhyrjeve ligjore është i mundur nëse studentët e dëshirojnë dhe kanë vullnet për të bashkëpunuar.
Digjitalizimi i arsimit
Grupi i digjitalizimit e fokusoi punën për propozimin e tyre në sfidat aktuale me të cilat përballen studentët në Universitetet publike për të aksesuar shërbimet bazë administrative në fakultetet e tyre. Për të përmirësuar situatën, grupi propozoi:
- krijimin e një platforme regjistrimi online që u ofron studentëve mundësinë të aplikojnë për një gamë të gjerë dokumentesh procedurat e të cilave aktualisht zhvillohen fizikisht.
- Ndërkaq vizioni i tyre afatgjatë për platformën ishte kthimi i saj në në një medium ku studentët dhe profesorët mund të angazhohen në mësimdhënie hibride.
Prof.Asoc. Dr. Nevila Xhindi evidentoi si sfidë për propozimin mungesën e dispozitave ligjore për mësimin online dhe të kombinuar në Ligjin aktual për Arsimin e Lartë në Shqipëri. Ndërkaq, Dr. Erjon Curraj i sugjeroi grupit të hulumtojë kostot e mundshme të propozimit, të marrë në konsideratë se universitetet publike priren të jenë më komplekse se universitetet private për shkak të numrit më të madh të studentëve dhe të eksplorojnë në punimin e tyre kërkimore efektet e mundshme të digjitalizimit të arsimit në vend.
Qarkullimi i mendjes, diaspora dhe rinia
I udhëhequr nga aktivistët e Fushatës “Nga fjala te Veprimi”, grupi i punës për diasporën dhe rininë synoi të propozonte një zgjidhje për ndërveprimin e kufizuar mes të rinjve nga diaspora me të rinjtë në Shqipëri. Ata propozuan:
- një platformë qeveritare kushtuar profesionistëve të rinj shqiptarë në vend dhe diasporë.
- Nëpërmjet kësaj platforme profesionistë të rinj nga diaspora shqiptare në mbarë botën do të ofronin kurse online për kolegët e tyre dhe do të kenë mundësinë të ndjekin kurse të gjuhës shqipe të të dizajnuara dhe ofruara nga bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri.
- Platforma do të shërbente ndër të tjera edhe si një medium për rrjetëzimin dhe ndarjen e mundësive për përdoruesit e regjistruar.
Aktorët e pranishëm sugjeruan se nevojitet më shumë punë për të siguruar qëndrueshmërinë e platformës dhe se nevojiten kërkime të mëtejshme për të identifikuar saktë përfitimet e përdoruesve të platformë. Albano Roçi, specialist në Drejtorinë e Diplomacisë Publike dhe Diasporës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme përshëndeti grupin për idenë dhe theksoi se ekziston një nevojë e madhe për të lidhur të profesionistët e rinj shqiptarë nga diaspora me bashkëmoshatarët e tyre në Shqipëri.
Përgjatë muajit qershor, 12 aktivistët e Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi” do të vazhdojnë me programin e mentorimit për të finalizuar 4 dokumentet e politikave duke u bazuar në rekomandimet e marra gjatë forumit. Këto dokumente do të finalizohen me mbështetjen e mentorëve dhe do të promovohen nga SCiDEV duke lehtësuar edhe takime advokuese të të rinjve me vendimarrësit për prezantimin e rekomandimeve finale. Ky forum evidentoi një interes të madh nga të rinjtë për të bashkëkrijuar propozime konkrete për probleme të arsimit të lartë që i prektin drejt për drejtë. Gjithashtu, shërbeu për të përmirësuar aftësitë e të rinjve jo vetëm në prezantim në publik por edhe në dialog dhe përballje me argumenta dhe evidence me vendimmarrës apo ekspertë të fushës. Për më tepër ishte një aktivitet që nxiti rrjetëzimin dhe shkëbimin mes të rinjve të programit të debatit, me aktivistë, studentë dhe alumni të mëparshëm të debatit që tashmë janë profesionist të rinj.
Forumi Rinor i Debatuesve: “E ardhmja e arsimit të lartë në Shqipëri: Bashkëkrijimi i politikave dhe praktikave të qendrueshme” ishte një forum 2 ditor diskutimi i realizuar nga Qendra “Shkencë dhe Inovacion pë Zhvillim” (SCiDEV) në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile 2023, me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri si edhe të Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi”, të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Ky event organizohet si vazhdimësi e përpjekjeve të SCiDEV në fuqizimin e kapaciteteve të të rinjve përmes përfshirjes së tyre në programe që nxisin advokimin e bazuar në të dhëna, si “Fushata Nga Fjala Tek Veprimi” dhe Programi Rajonal Lëvizshmërisë për Lidershipin Rinor duke iu ofruar mentorim, mbështetje financiare, ndërlidhje me vendimmarësit si edhe duke promovuar rezultatet e tyre. SCiDEV synon ta vazhdojë këtë praktikë dhe të organizojë në vitin e ardhshëm Forumin Rinor të Debatuesve.