Forumi Rinor i Debatuesve: “E ardhmja e arsimit të lartë në Shqipëri: Bashkëkrijimi i politikave dhe praktikave të qendrueshme” është një forum 2 ditor diskutimi i realizuar nga Qendra “Shkencë dhe Inovacion pë Zhvillim” (SCiDEV) në kuadër të Javës së Shoqërisë Civile 2023, me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri si edhe të Fushatës “Nga Fjala tek Veprimi”, të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Ky event organizohet si vazhdimësi e përpjekjeve të SCiDEV në fuqizimin e kapaciteteve të të rinjve përmes përfshirjes së tyre në programe që nxisin advokimin e bazuar në të dhëna, si “Fushata Nga Fjala Tek Veprimi” dhe Programi Rajonal Lëvizshmërisë për Lidershipin Rinor duke iu ofruar mentorim, mbështetje financiare, ndërlidhje me vendimmarësit si edhe duke promovuar rezultatet e tyre.
Përgjatë Forumit, 30 të rinj, pjesëmarrës të edicionit të tretë të Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi”, alumni të Laboratorit të Debatit Universitar si dhe aktivistë nga grupime studentore e përfaqësues të studentëve në Këshilla Studentorë do të punojnë në grup për të draftuar propozime për zgjidhje në sfidat:
- Lidhja e arsimit të lartë me tregun e punës
- Pjesëmarrja e studentëve në vendimmarrjen e institucioneve të arsimit të lartë
- Digjitalizimi i arsimit
- Qarkullimi i “mendjes”, diaspora dhe rinia
Propozimet e draftuara nga të rinjtë do t’u prezantohen politikbërësve, përfaqësuesëve akademikë dhe aktorëve të interesuar nga shoqëria civile, të cilët do të kenë mundësinë ndër të tjera të diskutojnë së bashku me të rinjtë aplikueshmërinë e propozimeve të tyre në sektorin respektiv si dhe të ndajnë me pjesëmarrësit përpjekjet e institucioneve të tyre në fushat të cilat do të shqyrtohen nga të rinjtë.
Ju ftojmë ti bashkoheni Forumit Rinor të Debatuesve më 2 dhe 3 qershor, për të mësuar më shumë mbi perspektivën e të rinjve dhe aktorëve të tjerë institucionalë, si dhe nga biznesi e shoqëria civile në drejtim të adresimit të sfidave kryesore të të rinjve dhe arsimit të lartë në vend.
Nëse dëshironi të mësoni përmes praktikës si të hartoni propozime politikash dhe të debatoni idetë tuaja me aktorë vendimmarrës, regjistrohuni për t’u bërë pjesë e Forumit Rinor të Debatuesve.
Ky aktivitet u mundësua përmes mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).