SCiDEV mbajti Festivalin e të Drejtave Digjitale në Tiranë më 17 dhe 19 dhjetor 2022 në ambientet e Qendrës Kulturore “Tulla”. Festivali i të Drejtave Digjitale në Tiranë përbën eventin përmbyllës të projektit me të njëjtin titull, i cili u realizua në kuadër të Programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë

I shtrirë në 2 ditë, ky event bëri bashkë 25 të rinj, të cilët më 17 dhjetor, krijuan databazën online me informacione mbi të drejtat digjitale me mbështetjen e tre mentorëve, ekspertë të të drejtave digjitale. Databaza gjendet si një nënfaqe në website e SCiDEV, dhe ajo përmban informacione mbi:

  • Burime për t’u informuar më shumë mbi të drejtat digjitale
  • Guidë praktike për të adresuar një çështje pranë Komisionerit për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale dhe të Drejtën e Informimit
  • Si të veprojmë në rast se na vidhen të dhënat personale?
  • Masat teknike që duhen ndërmarrë në rastet e hackimit të emailit.
  • Prezantimet e realizuara nga të rinjtë në seritë Youth Led Digital Rights Talks
  • Mundësi karriere në fushën e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale

Për të aksesuar databazën klikoni këtu.

Më pas, më19 dhjetor të rinjtë e Festivalit të të drejtave digjitale prezantuan databazën përballë një audience me bashkëmoshatarët e tyre. Të pyetur për eksperiencën e tyre në Festivalin e të drejtave digjitale në Tiranë, pjesëmarrësit e cilësuan si një mundësi informimi dhe ndërgjegjësimi mbi nevojat për rritjen e alfabetizmit digjital në shoqëri, dhe si një platformë për fuqizimin e të rinjve për përfshirje aktive në rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat digjitale. Përshypjet e të rinjve për përvojën si pjesëmarrës të projektit mund ta ndiqni këtu

Përpos databazës, SCiDEV prezantoi po ashtu gjetjet e studimit “Mapping of digital rights violations in Albania”, përmes të cilit pjesëmarrësit e eventit u njohjen me rrjedhjet e të dhënave në Shqipëri ndër vite, si dhe diskutuan mbi sfidat dhe perspektivat e rritjes së ndërgjegjësimit për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe nisma të mundshme të të rinjve në kuadër të promovimit të të drejtave digjitale. 

Mbi projektin “Festivali i të drejtave digjitale në Tiranë”

Festivali i të drejtave digjitale në Tiranë është një projekt i implementuar përgjatë periudhës qershor-dhjetor 2022 nga SCiDEV në kuadër të Programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkisë Tiranë. Projekti rriti ndërgjegjësimin e të rinjve mbi të drejtat digjitale, si dhe përfshirja  aktive e të rinjve si promotorë të tyre. Për realizimin e këtij qëllimi, SCiDEV lançoi një thirrje për aplikim për të rinjtë e grupmoshës 17-29 vjeç, të cilët dëshironin të thellonin njohuritë e tyre në fushën e të drejtave digjitale. 

Mes 70+ aplikimesh, 25 të rinj nga profile të ndryshme studimore si shkencat sociale, drejtësia, shkencat kompjuterike dhe teknologjia e informacionit, u përzgjodhën për t’u bërë pjesë e projektit, brenda së cilit do të mentoroheshin nga ekspertë ligjorë, të sigurisë digjitale si dhe të mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe do të mbështeteshin për të realizuar një seri bashkëbisedimesh rinore me fokus promovimin e të drejtave digjitale. 

Projekti nisi me aktivitetin Tirana Digital Right Talk: Youth Exploring threats on our rights in the digital world, i mbajtur më 21 gusht në ambientet e Tumo Tirana, ku të rinjtë e Tirana Digital Rights Festival dhe të rinjtë e programit OriginAL u njohën me nocionet bazë të të drejtave digjitale, si dhe me kuadrin ligjor evropian për mbrojtjen e të dhënave personale (GDPR) përmes prezantimeve të mentorëve si dhe punëve në grup. 

Muaji shtator iu dedikua përgatitjes së planeve të mentorimit dhe materialeve informuese nga ekspertët e përzgjedhur për të qenë mentorë të të rinjve, dhe në datat 7, 8 dhe 10 tetor, SCiDEV realizoi Programin e Mentorimit Digjital, një cikël 3 ditor mentorimi online, i dizenjuar me qëllim njohjen e pjesëmarrësve me nocionet bazë të sigurisë digjitale, të kuadrit ligjor shqiptar e evropian për të drejtat digjitale, si dhe rëndësisë së mbrojtjes së privatësisë gjatë lundrimit në internet. 

Duke u bazuar në dijet e përfituara gjatë sesioneve të programit të mentorimit digjital, si dhe interesat kërkimore e profesionale, të rinjtë pjesëmarrës përzgjodhën një nga drejtimet e mentorimit, të cilat listohen si më poshtë:

  1. Kuadri ligjor shqiptar mbi mbrojtjen e të dhënave personale, me fokus në Ligjin Shqiptar për Mbrojtjen e të dhënave personale si dhe në analizimin e udhëzimeve e vendimeve të Komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale
  2. General Data Protection Regulation dhe mbrojtja e të dhënave personale, me fokus në legjislacionin evropian për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe masat praktike për rritjen e privatësisë në lundrimin në internet.
  3. Siguria Digjitale, me fokus në llojet e sulmeve kibernetike dhe masat teknike për mitigimin e risqeve. 

Në secilin grup mentorimi, të rinjtë patën mundësinë të ndiqnin tetë seanca mentorimi si dhe të punonin në grup për të realizuar një event publik në formatin e një bashkëbisedimi rinor, me qëllim ndarjen e dijeve të përftuara gjatë sesioneve të mentorimit si dhe promovimin e të drejtave digjitale tek të rinjtë. Seria e bashkëbisedimeve rinore mbi të drejtat digjitale u titullua Youth Led Digital Rights Talk. 

Të rinjtë pjesëmarrës realizuan 3 Youth Led Digital Rights Talks, me tema të frymëzuara nga çështjet kryesore të diskutuara përgjatë sesioneve të mentorimit. Youth Led Digital Right Talk i parë, i titulluar “Privatësia në erën digjitale” u zhvillua më 21 nëntor nga grupi i mentorimit të GDPR dhe mbrojtja e të dhënave personale. Në këtë sesion, të rinjtë e Tirana Digital Rights Festival, ndanë me pjesëmarrësit nocionet kryesore të legjislacionit evropian për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe parametrat për vlerësimin e privatësisë së platformave digjitale më të përdorura. 

Grupi i Kuadrit Ligjor Shqiptar për të drejtat digjitale, realizoi Youth Led Digital Right Talk e dytë me temë “Sfidat dhe perspektivat e ligjit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave personale”, më 1 dhjetor. Së bashku me të rinjtë e ELSA Albania, pjesëmarrësit e Tirana Digital Rights Festival diskutuan mbi parashikimet dhe boshllëqet ligjore të Ligjit Shqiptar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe mbi përafrimin e ligjit shqiptar me Rregulloren Evropiane të Mbrojtjes së të dhënave personale (GDPR). 

Të rinjtë e drejtimit të Sigurisë Digjitale, iu bashkuan iniciativës së javës së integritetit duke e mbyllur serinë e Youth Led Digital Right Talks me bashkëbisedimin me temë “Integriteti në erën digjitale”. Të rinjtë shtjelluan për pjesëmarrësit e eventit nocionin e etikës digjitale, si dhe ndanë me ta fakte mbi digjitalizimin e rajonit, si dhe këshilla praktike për të identifikuar dhe trajtuar risqet digjitale. 

Projekti kulmoi me organizimin e hackathonës, më 17 dhjetor në ambientet e Qendrës “Tulla”, ku përgjatë 1 dite, pjesëmarrësit e Festivalit të të drejtave digjitale të Tiranës punuan për krijimin e databazës me informacione për të drejtat digjitale. Ajo u prezantua në eventin final të projektit, më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e Klajdi Priska, përgjegjës politikash dhe koordinator projekti pranë Kongresit Rinor Kombëtar. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai përgëzoi përfshirjen dhe përpjekjet e të rinjve të Festivalit të të drejtave digjitale në Tiranë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtat digjitale. Diskutimet e realizuara mbi rrjedhjen e të dhënave dhe sfidat dhe perspektivat e promovimit të të drejtave digjitale në Shqipëri nxorrën në pah konsensusin e përgjithshëm të pjesëmarrësve se ka ende shumë punë për të bërë sa i takon informimit të shoqërisë dhe përdorimit të përgjegjshëm të mjeteve digjitale.  

SCiDEV është i vendosur për të kontribuar në mënyrë të qëndrueshme në këtë drejtim si dhe për të promovuar parimet e qytetarisë digjitale përmes ndërgjegjësimit dhe krijimit të sinergjisë me aktorë lokalë dhe rajonalë me objektiva të ngjashme.