*Ky artikull është pjesë e temave të diskutimit gjatë aktivititetit të zhvilluar më 09/03/2022 në Shkodër në kuadër të projektit “Nga Fjala tek Veprimi-Aktivizëm për punën rinore përmes inovacionit dhe krijimtarisë” që zbatohet nga SCiDEV në bashkëpunim me CCIS dhe ESN Tirana me mbështetjen dhe financimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë.*
Kolindo Vjerdha (Student UNISHK /Fakulteti i Ekomomisë/Programi-Financë-Kontabilitet Viti III)
Në një retrospektivë që po bëja kur po mendoja për të rinjtë si pjesë e të gjithë këtij sistemi të ngritur duke copëzuar nga pak gjithë sistemin arsimor u ndala në një dilemë e cila shton shumë pikëpyetje edhe në rafshin ideologjik.
“A mos vallë ky sistem që është ngritur formon kuadro sepse ashtu i voliten tregut të punës dhe nuk lejon zhvillimin e një individi mbi atë ç’ka ai/ajo është?”Në këtë parashtrim dua të dal nga xhaketa e një studenti të fakultetit ekonomik pasi çdo profesor do më thonte se tregu është përcaktues i pabindur. Dua të flas si një i ri që universitetin e sheh me një qasje tjetër nga sa ai është sot.
Po ta nisim që në gjenezë që në kulturën tonë familjare ne nuk i lejojmë fëmijët të kuptojnë veten, por i orientojmë ato sipas këndvështrimit që prindi ka për jetën. Në klasë të parë e një vazhdim fëmijës i shtohet këndvështrimi që mësuesja ka për jetën, e kështu deri në univesitet ku i bashkangjitet këndvështrimi i një pedagogu. Po t’i ndërlidhim të gjitha këto kuptojmë që mundësia për të gjetur vetën është minimale. Po t’i shtojmë kësaj edhe sistemin e përzgjedhjes në universitet kjo do të ishte krejtësisht e pamundur.
Në këtë sistem një nxënes apo student është rob i bindur i mesatares. Ajo të përndjek në çdo vendimmarrje dhe të kufizon në përzgjedhjet e tua. Në këtë formë i kemi mohuar shumë të rinjve që ndoshta mund të jenë të aftë në fusha specifike, mund të jenë të talentuar nga ana tjetër, që ndjekin ato programe mësimore. E si mund të zgjidhet kjo? Ndoshta më atë formën e vjetëruar në dukje, të dalë nga moda për disa të tjerë, me konkurim të drejtpërdrejt në degën dhe universitetin që dëshiron. Konkurimi i drejtpërdrejt në këndvështrimin tim ngjall barazi dhe i lejon nxënësit, studentit të luftoje për veten, te luftojë për të gjetur veten dhe të ardhmen.
Tregu në vetvete është mbytësi më i madh i ëndrrave, të shumë e shumë të rinjve sepse nuk këmi ditur ta kanalizojmë. Kjo është ana tjetër e medaljes. Nëse ne duam tregun si udhërrëfyes atëherë mos ta tejkalojmë kërkesën e tij dhe pastaj shumë të rinj të mirëarsimuar detyrohen të punojnë në punë të paprofilizuara ose të largohen fare nga vendi, gjë e cila po ndodh në masë vitet e fundit. Këtu hyjnë në punë politikat, për të bashkëdrejtuar gjithë këto inpute dhe që më pas ky sistem të mirëfunksionojë.
Të kthehem pak përsëri te universiteti dhe hapësirat që ai ofron. Dua të theksoj që një student nuk duhet kurrë të anatemohet për shpirtin e tij opozitar pasi po nuk qe sa është i ri, kur do të jetë? Një i ri duhet të ketë të zhvilluar një sy kritik. Hapesirat që studentët të kenë kërkim dhe zhvillim duhet të shtohen, ndoshta në formën e projekteve, ku të gjithë aktivizohen përtej një auditori me pytje/ përgjigje. Problematika që konstatoj shumë të përhapur është fakti që në përgjithësi kemi frike të mësojmë të rinjtë si të shofin me një sy kritik, kemi frikë që ky i ri nesër do të gjykojë vendimmarjet tona. Harrojmë se në këtë formë fomësojmë intelektualë që nuk do të sillen si të bindurit kokëulur të sistemit. Kriticizmi është një kulturë që duhet kultivuar që në bankat e shkollës dhe duhet perfeksionuar në auditoret e universitetit. Kjo qasje do t’i bënte mirë shoqërisë dhe mirëfunksionimit të hallkave të çfarëdo niveli vendimmarrës nesër.
Duke dashur ta përmbyll do të perifrazoja një mesazh drejtuar çdo aktori dhe faktori pjesë të këtij sistemi. Vendi ynë ka nevojë për intelektual me një mendësi të re dhe jo për robot “aprovues” të rinj, prandaj çdo hallkë duhet të bashkëpunojë për të përmirësuar këtë sistem ku të gjithë jemi rob të tij.