Në vijim të vizionit të SCiDEV për një rol të shtuar të Rrjetit Alumni të Debatit Universitar, më 23 janar ish debatues nga të gjitha edicionet e mëhershme të Laboratorit të Debatit Universitar u mblodhën për të diskutuar mbi organizimin e Edicionit të Pestë të Laboratorit të Debatit Universitar. Laboratori i Debatit Universitar -Nga fjala tek Veprimi është një program i implementuar prej 5 vitesh nga SCiDEV me synimin për të promovuar qytetarëinë proaktive, mendimin kritik, aftësitë në komunikim publik  dhe për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse të studentëve shqiptarë.

Përgjatë mbledhjes, pjesëmarrësit u njohën me risitë kryesore të Edicionit V të Debatit Universitar, tek të cilat përfshihen pëcrfshirja e universitetit të Elbasanit dhe Universitetit të Gjirokastrës në kompeticionin e debatit, ulja e numrit të anëtarëve të skuadrës nga 4 në 3, si dhe mundësia për aplikim në grup dhe individualish për t’u bërë pjesë e programit.

Alumnit pjesëmarrës i mirëpritën risitë e këtij edicioni dhe po ashtu dhanë propozime dhe rekomandime për zbatimin sa më efektiv të tyre, duke demostruar gatishmërinë e tyre të vazhdueshme për t’u angazhuar në këtë drejtim.

Disa nga rekomandimet e alumnive pjesëmarrës ishin shtimi i minutazhit për çdo anëtar skuadre të debatit dhe rishikimi i numrit të temave në paketën kërkimore, për t’iu lejuar debatuesve të ardhshëm të kenë kohën e mjaftueshme për t’u thelluar mbi temat e debatit universitar.  Për sa i takon temave të reja të paketës kërkimore alumnit propozuan tema me fokus të drejtat në punë, uljen e moshës së votimit, përdorimin e pajisjeve elektronike në klasë, ndikimin e ndryshimeve konsumatorëve në mjedis, rolin e nacionalizmit në politikën e vendeve, integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe lirinë e lëvizjes.

Në përfundim të diskutimit, alumnit vendosën afate konkrete për të dërguar propozimet e tyre për tema, krijimin e grupeve të punës sipas fushave të angazhimit në rrjet si dhe votimin e propozimeve në mënyrë elektronike në përputhje me parimet e vendimmarrjes demokratike.

Të gjithë ish debatuesit nga edicionet e kaluara të debatit universitar mund të regjistrohen për t’u bërë pjesë e Rrjetit Alumni këtu.