Më 28 dhe 29 maj, SCiDEV zhvilloi edicionin e dytë të Forumit Rinor të Debatuesve: “Bashkëkrijimi i Politikave dhe Praktikave të Qëndrueshme” si event pasues i Forumit të Shoqërisë Civile të mbajtur në tetor të 2023 në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit me mbështetjen financiare të Open Society Foundation Western Balkans.

Forumi Rinor i Debatuesve është një event i konceptuar nga SCiDEV me qëllim fuqizimin e kapaciteteve praktike të të rinjve për të hartuar propozime politike inovative si dhe për të promovuar dialogun konstruktiv, gjithpërfshirës dhe të orientuar kah zgjidhjes.  Forumi bën bashkë studentë, aktivistë dhe profesionistë të rinj në 2 ditë intensive pune në grup për konceptimin e alterantivave që synojnë të adresojnë sfida prioritare për të rinjtë shqiptarë dhe për zhvillimin e vendit. Propozimet e të rinjve vendosen përballë aktorëve nga shoqëria civile, akademia, biznesi dhe përfaqësues nga institucionet, të cilët diskutojnë me të rinjtë aplikueshmërinë e propozimeve të tyre në praktikë.

Tematikat e këtij edicioni të Forumit Rinor të Debatuesve u frymëzuan në gjetjet e Grupit Tematik mbi Mobilitetin, i drejtuar nga SCiDEV pjesë e Forumit të Shoqërisë Civile 2023, duke i kombinuar me një dimension të fortë të politikave sociale në mbështetje të studentëve, si një fushë ende e paeksploruar mjaftueshëm në kontekstin shqiptar.

Në këtë artikull ju do të gjeni përshkrim të sintetizuar të 4 propozimeve të hartuara nga të rinjtë e edicionit të dytë të Forumit Rinor të Debatuesve në fushat:

  1. Braingain & Bashkëpunim Rajonal
  2. Universitete Sipërmarrëse
  3. Qasja e studentëve në shërbime psiko-sociale
  4. Karta e Studentit

 

Braingain & Bashkëpunimi Rajonal-DiasporaInn: Një platformë lidhëse mes të rinjve të rajonit dhe diasporave respektive

Të rinjtë e drejtimit “Braingain & Bashkëpunimi Rajonal” identifikuan si problem të përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor fenomenin e ikjes së mendjes (braindrain) dhe kapacitetet e limituara për thithjen e trurit (braingain). Në këtë kontekst, grupi i të rinjve, i udhëhequr nga advokueset Siesta Mersini dhe Eglantina Ndraci erdhën me propozimin e krijimit të një platforme digjitale ku profesionistë të grupmoshës 21-35 vjeç nga Ballkani Perëndimor kanë mundësi të krijojnë bashkëpunim me anëtarë të diasporës respektive me qëllim gjenerimin e propozimeve inovative për adresimin e sfidave në vendet e tyre respektive. E titulluar DiasporaInn, platforma u propozua nga grupi i të rinjve të ngrihej me mbështetjen financiare të 6 qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të zbatohej si projekt i RYCO.

Platforma DiasporaInn u mundëson përdoruesve të regjistruar në të të lidhen me ekspertë të rinj nga vendi amë, diaspora dhe rajoni me të cilët kanë mundësi të vendosin bashkëpunim për të aplikuar në thirrjet e hapura posaçërisht në platformë nga qeveritë e vendeve të origjinës në përputhje me nevojat dhe prioritetet e tyre. Përfaqësuesit nga qeveritë, në cilësinë e donatorëve të platformës u jepet mundësia të përzgjedhin propozimet më të volitshme në përputhje me interesat dhe kriteret e përcaktuara prej tyre dhe të bëra publike në platformë, si dhe janë përgjegjës për ofrimin e mbështetjes financiare dhe logjistike për implementimin e propozimeve të të rinjve. Si pjesë e angazhimit në platformë, grupi i punës parashikoi një event vjetor rajonal (ForumInn) ku grupet përfituese nga grantet e qeverive respektive të secilit shtet prezantojnë konceptin e propozimit të tyre dhe ecurinë me projektin, me qëllim ndarjen e praktikave të mira mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Z.Kreshnik Loka, Drejtues i Zyrës Lokale të RYCO në Shqipëri dhe Z.Dhimitraq Xhaçka, specialist i Drejtorisë së Bashkëpunimit Rajonal të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e vlerësuan propozimin e të rinjve si ambicioz dhe inovator, mirëpo theksuan se konfliktet e pazgjidhura mes shteteve të rajonit përbëjnë pengesë serioze për çuarjen përpara të propozimit.

Universitete Sipërmarrëse: Një “departament” për Inovacionin dhe Menaxhimin e Sipërmarrjeve

Nën drejtimin e advokuesve Jani Nini dhe Nertila Spaho, grupi i universiteteve sipërmarrësve erdhi me propozimin e krijimit të modelit të një strukture të posaçme përgjegjëse për konsolidimin e kulturës sipërmarrëse brenda universiteteve. Funksionet kryesore të kësaj strukture do të ishin:

  1. Zhvillimi i strategjive afatgjata për projektet e universitetit dhe pozicionimin e tij në raport me kërkesat e tregut;
  2. Sigurimin e financimeve, menaxhimin e burimeve të nevojshme dhe të ardhurave të mundshme;
  3. Integrimin e praktikave sipërmarrëse në programet mësimore dhe kërkimore;
  4. Realizimin e projekteve me impakt të lartë;
  5. Krijimin e Inkubatorëve për mbështetjen e startup-eve dhe sipërmarrjeve të reja.

Dr. Altin Sholla, administrator i Tirana Business University ndau rekomandime specifike me të rinjtë, ku ndër të tjera theksoi nevojën për të rishikuar terminologjinë ligjore për emërtimin e strukturës, për të shmangur paqartësinë e propozimit të tyre ndaj aktorëve përgjegjës.

Qasja e studentëve në shërbime psiko-sociale: Një bord monitorimi për mirëqenien psikologjike në universitetet shqiptare

Të frymëzuar nga modeli i Universitetit të Zagrebit dhe me indicie nga situata aktuale në Universitetin e Tiranës, si universiteti më i madh publik në vend sa i takon ofrimit të mbështetjes psikologjike për studentët, grupi i qasjes së studentëve në shërbime psiko-sociale nën drejtimin e advokuesve Naze Deda dhe Ardi Kallamoqi, propozuan krijimin e një organi brenda universiteteve i cili do të ishte përgjegjës për organizimin e ofrimit të mbështetjes psikologjike për studentët dhe stafin pedagogjik të universitetin. I quajtur “Bordi i monitorimit të mirëqenies psikologjike në universitet», ky organ do të ishte përgjegjës për ngritjen dhe monitorimin e zyrave të këshillimit psikologjik në të gjitha njësitë kryesore të universitetit. Grupi po ashtu propozoi ndërrendimin e këtij organi me aktorë të tjerë me rëndësi si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Urdhri i Psikologut për të vendosur sinergji me Planin e Veprimit të Shëndetit Mendor 2023-2026 si dhe për të siguruar shkëmbimin e ekspertizës dhe monitorimin e pavarur të funksionimit të këij organi.

Znj. Joniada Hito, përgjegjëse e Zyrës së Këshillimit të Karrierës pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale të Bashkisë Tiranë, e përshëndeti propozimin nga të rinjtë si dhe u rekomandoi të rinjve të përfshinin në propozimin e tyre edhe arsimin parauniversitar dhe të propozonin krijimin e një strukture e cila monitoron ofrimin e shërbimit psikologjik brenda institucioneve arsimore në nivel kombëtar.

Karta e Studentit: Një Bord Monitorimi për Kartën e Studentit

Grupi i Kartës së Studentit nën drejtimin e advokueseve Altea Hoxhaj dhe Sidorela Vatnikaj identifikoi si problem kryesor në raport me Kartën e Studentit në Shqipëri mungesën e transparencës së institucioneve përgjegjëse për zbatimin e kartës së studentit si dhe mungesën e ofertës për shërbime që impaktojnë në mënyrë direkte kostot e jetesës së studentëve si ushqimet e shportës, transporti, pajisja me literaturë, etj. Si zgjidhje të këtyre sfidave, grupi propozoi krijimin e «Bordit të Kartës së Studentit», një strukturë pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me përfaqësues nga ministritë e linjës, bashkitë e qyteteve ku ka universitete, bizneset, universitetet dhe studentët me funksionet:

  1. Monitorimi i funksionimit të Kartës së Studentit në nivel Kombëtar
  2. Hartimi i një raporti vjetor për funksionimin e Kartës së Studentit në Shqipëri
  3. Lobim për zgjerimin e përfitimeve nga karta e studentit

 

Cili është hapi i rradhëz për propozimet?

SCiDEV do të mbështesë të rinjtë në advokimin pranë institucioneve përgjegjëse për zbatimin e propozimeve të tyre. Propozimet e të rinjve, shoqëruar me komentet e politikbërësve gjatë forumit do të zgjerohen nga advokuesit e Fushatës “Nga Fjala Tek Veprimi” në 4 dokumente  të dedikuara politikash, të cilat do të jenë publike dhe  do të shërbejnë si një bazë e qëndrueshme informacioni për mbështetjen e iniciativave shoqërore dhe institucionale veçanërisht në funksion të politikave më gjithpërfshirëse sociale për studentët.