Msc. Endi Kalemaj
Debate Alumnus
Shtetet e ndryshme në botë e trajtojnë institutin e pronësisë në legjislacionet e tyre duke iu referuar dallimeve të sendeve në dy kategori kryesore, që janë sende të luajshtme dhe të paluajtshme, për faktin e thjeshtë se sjellin pasoja të ndryshme juridike. Për sendet e paluajtshme edhe për shkak të natyrës së tyre është zbatuar ligji lex rei sitae, i cili parashikon zbatimin e ligjit të vendndodhjes së sendit. Ligji i vendndodhjes së sendit përcakton më pas edhe mënyrat e fitimit dhe humbjes së pronësisë[1]. Në rastin kur një shtetas i huaj ka një pronë të paluajtshme në Shqipëri, atëherë tagrat e pronësisë do të përcaktohen në bazë të ligjit shqiptar dhe anasjelltas. Edhe legjislacioni shqiptar për ndarjen e sendeve ka pasur parasysh tri kritere:
a) natyrën e sendeve;
- b) destinimin e tyre;
- c) përcaktimin ligjor.
Kodi ynë civil i ndan sendet në të luajtshme dhe të paluajtshme, dhe më konkretisht: “sende të paluajtshme janë tokat, burimet e rrjedhjet e ujërave, drurët, ndërtesat, ndërtimet e tjera notuese të lidhura me tokën dhe çdo gjë që është e trupëzuar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme me tokën ose ndërtesën. Të gjitha sendet e tjera, duke përfshirë edhe çdo energji tjetër natyrore, janë sende të luajtshme.”[2]
Duke parë rëndësinë e madhe që i kushton legjislacioni ynë i brendshëm rregullimit të së drejtës së pronësisë, është e nevojshme që edhe ligjet për të drejtën ndërkombëtare të bëjnë një rregullim të nevojshëm dhe gjithëpërfshirës. Ligji i vitit 1964 bënte një rregullim të vakët të së drejtës së pronësisë, duke parashikuar rregullimin e saj në një dispozitë të vetme, ku në të parashikohej se: “Posedimi, pronësia dhe të drejtat e tjera mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme rregullohen nga legjislacioni i shtetit në të cilin ndodhen sendet. Pronësia dhe të drejtat e tjera reale mbi anijet dhe aeroplanët rregullohen nga legjislacioni I shtetit të flamurit të anijes ose aeroplanit[3]”. Pra, duke parë këtë dispozitë kuptojmë që është shumë pak për të rregulluar të drejtën e pronësisë, kur ne dimë që, pronësia përbën një kategori të rëndësishme ekonomike dhe juridike nisur nga marëdhëniet ekonomike-shoqërore që lidhen me të[4]. Kjo dispozitë nuk rregullon disa aspekte të rëndësishme të së drejtës së pronësisë, siç janë: fitimi apo humbja e pronësisë, nuk përcaktonse në cilin legjislacion duhet të drejtohemi për të bërë vlerësimin nëse një send është i paluajtshëm apo i luajtshëm, gjithashtu nuk shprehet mbi pronësinë intelektuale, sendet në transit, mjetet e transportit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore apo edhe letrat me vlerë. Por duke parë kohën kur është miratuar ky ligj, kuptojmë se një ndër arsyet kryesore se pse e drejta e pronësisë ka një rregullim të pakët, është se shteti i atëhershëm komunist nuk e njihte pronën private dhe me legjislacionin e atëhershëm prona e paluajtshme ishte e përjashtuar nga qarkullimi civil.
Të gjitha aspektet e sipërmendura dhe që nuk ishin të rregulluara nga Ligji mbi të Huajt të vitit 1964, janë rregulluar nga ligji “Për të drejtën Ndërkombëtare Private” të vitit 2011.
Siç përmendëm më sipër, parimi që ndiqet në të drejtën e pronësisë, si në legjislacionin e huaj, por edhe atë shqiptar është parimi i lex rei sitae, dhe ky parim është përcaktuar shumë qartë edhe nga ligji ynë për të drejtën ndërkombëtare private, ku shprehet se: “Pronësia, posedimi dhe të drejtat e tjera reale mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme rregullohen nga ligji i shtetit në të cilin ndodhet sendi. Fitimi apo humbja e pronësisë, posedimi dhe e të drejtave reale rregullohen nga ligji I shtetit, në territorin e të cilit ndodhet sendi në kohën e verifikimit të rrethanave faktike, që përcaktojnë fitimin ose humbjen e këtyre të drejtave. Përcaktimi nëse një send është i luajtshëm apo i paluajtshëm bëhet sipas ligjit të shtetit ku ndodhet sendi.[5]
Letrat me vlerë janë letra të cilat kanë një vlerë nominale, të cilat do të përdoren për t’u shndërruar, për t’u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë, psh. aksione, bono, fonde të përbashkëta.[6] Pronësia e këtyre sendeve fitohet jo nëpërmjet dorëzimit, por nëpërmjet rregjistrimit të tyre. Parimi I lex rei sitae zbatohet edhe për letrat me vlerë. Ligji për të drejtën ndërkombëtare private parashikon se: “Të drejtat mbi titujt e regjistrueshëm dhe të negociueshëm rregullohen nga ligji i shtetit në të cilin ndodhet rregjistri. Fitimi dhe humbja e këtyre të drejtave rregullohen nga ligji i shtetit në të cilin ndodhet letra me vlerë, në kohën e kryerjes së aktit, mbi të cilin bazohet fitimi apo humbja e së drejtës.[7]” Pra, një shtetas i huaj, i cili ka blerë letra me vlerë shqiptare, do t’i nënshtrohet zbatimit të ligjit shqiptar. Në lidhje më të drejtat e fituara ligji i vitit 2011 shprehet se:” Në rastet e ndryshimit të vendndodhjes së sendit, të drejtat e fituara, sipas ligjit të shtetit ku gjendej sendi, nuk mund të ushtrohen në kundërshtim me ligjin e shtetit të vendndodhjes së re të tij.[8]”
Për sendet në transit ligji në nenin 39 parashikon se të drejtat reale mbi këto sende rregullohen nga ligji i shtetit të destinacionit. Kurse për të drejtat mbi mjetet e transportit rregullohen nga ligji i shtetit, në territorin e të cilit janë rregjistruar[9]. Ligji i ri për të drejtën ndërkombëtare private ka rregulluar edhe mbrojtjen e sendeve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore. Ligji parashikon se: “Kur sendet, që përfshihen në trashëgiminë kulturore të një shteti, dalin jashtë territorit të tij në mënyrë të paligjshme, rivendikimi i tyre rregullohet nga ligji i shtetit nga ku ka dalë sendi, në fuqi në kohën e daljes së sendit. Shteti, nga i cili ka dalë sendi, mund të zgjedhë të zbatojë ligjin e shtetit, në territorin e të cilit gjendet sendi në kohën e rivendikimt të tij[10].
Ligji I ri për të drejtën ndërkombëtare private ka sjellë risi edhe në rregullimin e të drejtës së pronësisë intelektuale, ku kjo e drejtë përfshin të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera mbrojtëse të ngjashme siç janë, patentat, markat tregtare. Ligji ynë njeh në këtë rast “parimin e territorialitetit” ose “parimi i mbrojtjes së shtetit”. Kjo do të thotë se në këtë rast për të rregulluar këtë marrëdhënie do të zbatohet ligji i shtetit në të cilin do të kërkohet mbrojtja ligjore e pronës intelektuale prej paditësit. Kjo parashikohet në nenin 42, sipas të cilit: “Ekzistenca, vlefshmëria, objekti, pronësia, transferueshmëria, kohëzgjatjë dhe shkelja e së drejtës së autorit, e të drejtave që lidhen me të dhe e të drejtave të tjera intelektuale të paregjistruara rregullohen nga ligji i shtetit për të cilin kërkohet mbrojtja.
Ekzistenca, vlefshmëria, objekti, pronësia, transferueshmëria, kohëzgjatja dhe shkelja e të drejtave industriale të regjistruara rregullohen nga ligji i vendit, që ka dhënë ose regjistruar të drejtën.” Rregullimi që bën ligji ynë në lidhje me pronësinë intelektuale është i njëjtë me rregullimin që bën edhe rregullorja e Romës(II), në të cilën parashikohet se ligji i zbatueshëm për konfliktet në lidhje më pronën intelektuale do të jetë ligji i shtetit për të cilin do të kërkohet mbrojtja.[11] Pra, kuptojmë se ligji ynë është në të njëjtën linjë me atë europian dhe të dy ligjet zbatojnë “parimin e territorialitetit”.
Si përfundim mund të theksojmë se nga krahasimi i të dy ligjeve kuptojmë se të dy ligjet kanë si parim kryesor “parimin e lex rei sitae” në lidhje me të drejtën e pronësisë.
[1] E drejta ndërkombëtare private, Ardian Kalia
[2] Neni 142 Kodi Civil RSH
[3] Neni 16 Ligji nr.3920, dt.21.11.1964
[4] E drejta ndërkombëtare private, Ardian Kalia
[5] Neni 36 Ligji nr.10428, dt.02.06.2011
[6] Ligji nr.9879, dt.21.02.2008 “Për titujt”, Kodi Civil
[7] Neni 37 Ligji nr.10428, dt.02.06.2011
[8] Neni 38 Ligji nr.10428, dt.02.06.2011
[9] Neni 41 Ligji nr.10428, dt.02.06.2011
[10] Neni 40 Ligji nr.10428, dt.02.06.2011
[11] Neni 8 REGULATION (EC) No 864/2007 Romë(II)