Klajdi Logu- Universiteti Europian i Tiranës

Ambicia për tu arsimuar, për të zotëruar një diplomë universitare dhe për të ushtruar një profesion mbetet motori i atyre që ndjekin shkollën çdo ditë dhe kontribuojnë gjithashtu në peisazhin arsimor në vend. Duke qenë se bota është në ndryshim të vazhdueshëm, si modelet arsimore ashtu edhe kërkesat e vetë shoqërisë kërkohet të plotësojnë kërkesat e institucioneve dhe kompanive që në thelb janë pjesë thelbësore e këtij rrethi të virtytshëm. Kjo është epoka e klasave inteligjente, e përmbajtjes dixhitale. Vitet e fundit kemi parë një ndryshim dramatik në qasjen ndaj aftësive dhe arsimimit në vend. Mendësia është formësuar nga futja e teknologjisë në zhvillim në çdo aspekt të jetës sonë por edhe sfidat shoqërore, natyrore & shëndetësore.

Ndërkohë që institucionet e arsimit të lartë dhe profesionistët kanë filluar të kuptojnë ndikimin e zhvillimeve dhe sfidave të reja, shkollat ​​tona duhet të ecin me kohën dhe të fokusohen në metodat e reja të të mësuarit. Duhet të ndryshohet mënyra si mësojmë. Mësimi përmendësh i bazuar në përzgjedhjen e ngurtë të librave do t’i pengojë studentët të përdorin përfitimet e teknologjisë dhe evolucionin e përmbajtjes. Është e rëndësishme që studentët të ekspozohen ndaj një sërë qasjesh të të mësuarit pasi një qasje ndërdisiplinore ndaj koncepteve dhe aftësive është e nevojshme për të funksionuar në një botë që është gjithnjë e më shumë e ndërlidhur dhe multikulturore. Është një nevojë esenciale për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje që mund të mbështesë të mësuarit konceptual në krahasim me modelin aktual të të mësuarit përmendësh, duke çuar në aftësi më të mira.

Eshtë i rëndësishëm edukimi me bindjen dhe faktin që ndryshimet bashkëkohore e kërkojnë që individët duhet të përqendrohen në mësimin e vazhdueshëm në vend që të mbështeten në një diplomë akademike të fituar vite më parë.Orientimi instrumentalist ndaj qëllimit të shkollë si hapësirë për zotërimin e një diplome universitare si formë për të faktuar formalisht aftësinë apo mjeshtërinë krijon asgjë më shumë sesa peisazhin formë pa përmbajtje, bashkë me kostot e inflacionit dhe zhvlerësimit të diplomës në treg.

Në shoqërinë bashkëkohore, peisazhi po ndryshon me shpejtësi mes paqëndrueshmërisë, pasigurisë, kompleksitetit dhe paqartësisë, dhe sistemi arsimor duhet të pajisë brezin eardhshëm me aftësi thelbësore për të vepruar me sukses në këtë mjedis. Ka nevojë për të zhvilluar aftësi si të menduarit kritik, zgjidhja e problemeve, kreativiteti si pjesë e edukimit. Sot, studentët kanë filluar t’i përgjigjen natyrës në ndryshim të punës dhe kanë filluar të marrin më shumë kontroll mbi mësimin e tyre. Nxënësit duan qasje në një arsim i cili jo vetëm që u siguron atyre njohuri bazë, por në fakt i lidh njohuritë e tyre me perspektiva më të mira punësimi. Eshtë i rëndësishëm inkurajimi për më shumë diversitet të përmbajtjes dhe të të nxënit.Gjeneratat e reja të studentëve janë të ndryshëm nga ato të disa viteve më parë, ndër të tjera sepse përdorin më shumë teknologjinë në klasat tradicionale. Teknologjia është bërë natyrë e dytë në rutinën dhe jetën e studentëve, ndaj nuk e konceptojnë se studimi duhet bërë ndryshe.

Për këtë arsye, është thelbësore të eksplorohen modele të reja të mësimdhënies për të përmirësuar të nxënit. Me opsionet teknologjike të disponueshme në industri sot, është e mundur që të ketë alternativa për të mësuar dhe avancuar arsimin në kuptimin më të gjerë të fjalës. Në këtë drejtim, lëvizshmëria bëhet një çështje me rëndësi parësore. sepse sot është thelbësore që studentët të mund të vazhdojnë trajnimin e tyre profesional praktikisht nga çdo vend, në çdo kohë dhe kudo në botë.Materialet mësimore do dhe duhet të kenë gjithnjë e më shumë natyrë hibride. Ndërsa industria ofron zgjidhje të ndryshme teknologjike, është e rëndësishme prezenca e vullnetit për të përqafuar ndryshimin si domosdoshmëri e zhvillimit dhe suksesit. Pandemia e Covid – 19, faktoi asgjë më shumë sesa faktin që mësimi është esencial dhe duhet të jetë i vazhdueshëm dhe sesi teknologjia na mundësoj vazhdimësinë dhe rrëzoi pengesat. Ato vende apo institucione që refuzojnë të ndryshojnë, janë të destinuara për të dështuar. Institucionet arsimore nuk janë dhe nuk duhet të jenë vende të mbyllura ku dija fle, por fabrika të mendimit bashkëkohor shkencor dhe ndryshimit progresiv.