Renis Bakalli —
Viti 1776. Adam Smith me pasurinë e kombeve i dha shoqërisë teorinë moderne të zhvillimit ekonomik duke argumentuar se ndërhyrja shtetërore në ekonomi është përgjithësisht e dëmshme dhe se interesit public i shërbehet më mire nëpërmjet konkurrencës në tregun e lirë. Megjithëse Smithi e shkroi këtë libër për të kaluar kohën ai e pa atë në këndvështrimin e ndikimit social si për punëtorët, murgjit, fermerët, tregtarët, pronarët e anijeve etj. David Ricardo pak kohë më vonë i dha jetë teorisë së tij të avantazheve krahasuese e cila qëndron në thelb të të gjitha marrëveshjeve të mëpastajshmë të tregtisë së lirë duke i dhënë hov zhvillimit ekonomik të vendeve. Shekuj më vonë, Ayn Rand, një noveliste e shekullit të 20-të dhe nje nga influencueset e Alan Greenspan (njeriu më jetëgjatë në krye të Rezervës Federale Amerikane), do të mbronte zellshëm principet e arsyes dhe kapitalizmin ‘’Laissez faire’’në novelën e saj të katërt, të fundit dhe më të gjatën,“Revolta e Atlasit”. Ajo do të përshkruante një shoqëri imagjinare, çnjerëzore dhe të pakënaqur në limitet e saj; ku njerëzit e mendjes, si krijues, novatorë, sipërmarrës dhe industrialistë të shquar dhe të suksesshëm të shoqërisë, në përgjigje të ndërhyrjeve, kontrolleve dhe rregulloreve të reja agresive të qeverisë, braktisën pasurinë e tyre bashkë me kombin, braktisje pas së cilës shoqëria pësoi një kolaps.Mendja u fut në grevë, duke e lënë qeverinë të lirë të përballet me realitetin që krijuan.
Shqipëri, 1991. Një sistem i ri vendimmarrje, lindja e pluralizmit politik, më shumë liri dhe të drejta themelore, Hapja e tregut, ekonomia e lirë dhe lindja e sipërmarrjeve private solli nevojën për një reagim të shpejtë dhe professional ndaj kërkesave të shoqërisë dhe të tregut. Hapja e tregut të punës, inovacioni, ndryshimet e shpejta në teknologji, mjedisi i të bërit biznes dhe rritja e konkurueshmërisë në tregun ndërkombëtar e bënë nevojën për përshtatjen një domosdoshmëri. Të mëdhenj apo të vegjël, prodhues apo tregtarë, ndërkombëtarë apo familiarë, njerëz të guximshëm dhe novatorë, që në kohëra të turbullta patën idenë e çmendur të të bërit biznes, patën sukses. Nëpërmjet sistemit ekonomik të decentralizuar ato ndërtuan atë që sot quhet ‘’Kapitali’’ që nëpërmjet taksave mban në këmbë struktura burokrate shtetërore, punëson njerëz, ndërton rrugë, shkolla e spitale, i jep frymëmarrje ekonomisë dhe përballet me sfidat e panumërta të qeverisë. Qeveri, që prej 30 vitesh përvese aspak jo të vogla kanë qenë inefiçente dhe jotransparente. E këto të mbështetura nga një sistem gjyqësor në nevojë immediate për ndryshim dhe gjithmkonë të ndjekur nga shqiptarë tanimë të lodhur nga ky sistem i ngritur dhe që si shpresë të vetme shohin braktisjen e vendit. Qeveri në vende të ndryshme të botës edhe së fundmi kanë vënë re një ndikim më të madh të ekonomisë së tregut që bazohet në pronën private në raport me ekonominë e centralizuar që mbështetet në pronën publike. I gjithë ristrukturimi i ekonomisë së vendeve të ish bashkimit sovjetik, privatizimi i mjaft industrive në Mbretërinë e Bashkuar apo Francë si dhe reduktimi i nivelit të taksimit në Shtetet e Bashkuara e theksojnë edhe më shumë këtë dallim midis privates dhe publikes.
Pavarësisht të gjitha dobive, raporti më i fundit i Doing Bussines ( i cili na rendit në vendin e 82-të me një rënie prej 19 vendesh nga viti i kaluar) vë theksin në problematikat që çdo sipërmarrës has në të bërit biznes në Shqipëri. Vazhdon të mbetet mjaft problematike trajtimi jo i duhur fiskal dhe ligjor, mosrespektimi i kontratave, paqëndrueshmëria politike, lufta kundër informalitetit dhe korrupsionit, transparenca e tenderave public dhe paparashikueshmërie e politikave ekonomike. Masat ligjore dhe administrative të qeverisë, agresiviteti i strukturave shtetërore ndaj biznesit në tërësi, mungesa e mbështetjes dhe lehtësirave për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, aksione të shpejtuara të shoqëruara me kontrolle të tepruar sjellin një klimë frike duke bllokuar tërësisht ekonominë dhe mendjen krijuese në këtë vend.
Për çka më sipër, në funksion të përmirësimit të masës reaguese të shoqërisë dhe për maksimizimin e dobisë nga ekonomia e lirë, një investim serioz në arsim do të ishte përcaktuese e një epoke transformuese në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.