Petrina Broka- Fakulteti i Drejtësisë/ Universiteti i Tiranës
Fjala dixhitalizim gjatë këtyre viteve të fundit ka filluar të përdoret gjithnjë e më shumë, në mbarë botën, ashtu edhe në shoqërinë shqiptare, në drejtim të fushave të ndryshme. Në përpjekje për ta shpjeguar thjesht këtë proces, mund të themi se dixhitalizim do të thotë të përdorësh teknologjinë për të përmirësuar shërbimet të ndryshme ndaj përdoruesit. Ndërkohë, inteligjenca artificiale është një nga pikat kryesore në rrugën drejt dixhitalizimit në shkallë të plotë.
Duam apo nuk duam, përdorimi i teknologjive dixhitale dhe inteligjenca artificiale, në situatën e COVID-19, po bëhet pjesë e jetës së një numri personash gjithnjë e më të madh . Gjithnjë e më tepër, po përdoren aplikacione të ndryshme nga telefonat “smart”, apo pajisje të ndryshme shtëpiake që vënë në zbatim inteligjencën artificiale.
Kjo tendencë e re ka filluar të çojë edhe në diskutimin e problemeve që mund të sjellë përdorimi i këtyre teknologjive. Kështu një shqetësim në rritje është ndikimi i tyre në respektimin e të drejtave të njeriut. Për të parandaluar cenimin e të drejtave të njeriut nga përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale, Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim për një rregullore për Inteligjencën artificiale (IA).[1] Në dritën e ndryshimeve ekzistuese dhe të pritshme në fushën e IA, propozimi në pikën 3 thekson se: “Inteligjenca artificiale është një familje teknologjish që po zhvillohet me shpejtësi dhe mund të kontribuojë në një gamë të gjerë përfitimesh ekonomike dhe shoqërore në të gjithë spektrin e industrive dhe aktiviteteve shoqërore. Duke përmirësuar parashikimin, duke optimizuar operacionet dhe shpërndarjen e burimeve, dhe duke personalizuar zgjidhjet dixhitale të disponueshme për individët dhe organizatat, përdorimi i inteligjencës artificiale mund të sigurojë avantazhe kryesore konkurruese për kompanitë dhe të mbështesë rezultate të dobishme shoqërore dhe mjedisore.”
Një nga vendet me përhapjen më të gjerë të shërbimeve elektronike në botë është Estonia. Duke përfituar nga risitë teknologjike në fushën e inteligjencës artificiale (AI) dhe të “machine learning”, Ministria e Drejtësisë Estoneze, ka filluar punën për dizenjimin e një “gjyqtari robot” për shqyrtimin e padive me vlera të vogla (me më pak se 7,000- euro) për shkak të mbingarkesës me të tilla çështje. [2]
Projekti është ende në progres, por në teori parashikohet që të dy palët ndërgjyqëse do të ngarkojnë të gjitha informacionet përkatëse në një bazë të dhënash dhe softueri i inteligjencës artificiale do t’i i analizojë ato dhe do të nxjerrë një vendim bazuar në algoritmet e para-programuara dhe trajnimet e mëparshme të softuerëve.[3] Sipas projektit është menduar që ky vendim të ketë fuqi detyruese por për të respektuar të drejtën e individit për një proces të rregullt gjyqësor të mund ti nënshtrohet edhe kontrollit njerëzor duke i dhënë mundësi palëve për ankim tek një gjyqtar njeri.
Ky shembull na tregon një pamje të qartë të të ardhmes ku duhet të mirë mendohet që zhvillimi i IA të kryhet në respektim të të drejtave të njeriut. Gjithashtu duhet që të merren të gjitha masat për të parandaluar çdo sulm të mundshëm kibernetik, që përveç kostove të tjera, mund të çojnë edhe në cenime të ndjeshme të të drejtave të njeriut.
[1] Proposal for a REGULATION OF THE EUROPEAN PARLIAMENT AND OF THE COUNCIL LAYING DOWN HARMONISED RULES ON ARTIFICIAL INTELLIGENCE (ARTIFICIAL INTELLIGENCE ACT) AND AMENDING CERTAIN UNION LEGISLATIVE ACTS COM/2021/206 final [Propozimi për një Regullore të Parlamentit evropian dhe Këshillit për vendosjen e Rregullave të harmonizuara për Inteligjencën Artificiale (Akti I Inteligjencës Artificiale) dhe për ndryshimin e disa akteve ligjore të Bashkimit.], [https://eur-lex.europa.eu/legal-content/EN/TXT/?uri=CELEX%3A52021PC0206] Aksesuar 21 Shtator 2021.
[2] NIILER, ERIC, Can AI Be a Fair Judge in Court? Estonia Thinks So. Estonia plans to use an artificial intelligence program to decide some small-claims cases, part of a push to make government services smarter. BUSINESS,03.25.2019 , [https://www.wired.com/story/can-ai-be-fair-judge-court-estonia-thinks-so/] ; si dhe shih: Park,J., YOUR HONOR, AI, Harvard International Review, (2020). 41(2), 46–48, [https://hir.harvard.edu/your-honor-ai/] Aksesuar 30 Shtator 2021.
[3] Ibid.