Dr. Blerjana Bino —
SCiDEV është duke zbatuar projektin ‘Debati për Integrimin Europian në Auditorët Universitar’ me mbështetjen e Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Shqipëri (OSFA). Sipas planifikimit në mars e prill 2020 ishin parashikuar të organizoheshin debatet universitare në 11 institucione të arsimit të lartë. Ndërkohë që debatet në dy institucione ishin realizuar në dhjetor 2019 dhe shkurt 2020, në kushtet e pandemisë COVID-19, SCiDEV në dakordësi me grupin e pedagogëve dhe OSFA vendosën shtyrjen e debateve të planifikuara për një datë në të ardhmen.
Me qëllim që të përgatitemi për mundësinë e zhvillimit të debateve apo aktiviteteve të tjera online, SCiDEV në bashkëpunim me OSFA ndërmori një pyetësor për të vlerësuar kapacitetet dhe mundësitë që kanë studentët pjesëmarrës për të arritur rezultatet e projektit përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në kushtet e reja të vetë-izolimit dhe distancimit shoqëror si pasojë e pandemisë COVID-19. Gjetjet e pyetësorit shërbejnë për të informuar vendimmarrjen e SCiDEV lidhur me realizimin e debateve apo aktiviteteve të tjera online.
Projekti zbatohet në Tiranë dhe Durrës duke përfshirë vetëm universitetet nga këto dy qytete në këtë fazë pilot. 42% e studentëve që iu përgjigjën pyetësorit jetojnë në Tiranë dhe 14% në Durrës, ndërkohë të tjerët jetojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por studiojnë në Tiranë ose Durrës. Pjesa më e madhe e studentëve që i janë përgjigjur pyetësorit janë vajza dhe gra (66%). 60% e respondentëve janë studentë të nivelit bachelor.
93% e studentëve raportojnë që janë në vetë-izolim në shtëpi sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe vetëm 1% janë në punës sipas rregullave dhe kufizimeve të vendosura. 66% e studentëve të pyetur raportojnë se janë duke ndjekur mësimin online.
Sa i takon infrastrukturës, të gjithë studentët e pyetur konfirmojnë që kanë pajisje në gjendje të mirë pune për të realizuar mësim apo aktivitete të tjera online. Shumica (56%) kanë laptop ose PC personal në shtëpi dhe pjesa dërrmuese (75%) kanë telefon celular personal me kamera. Sa i takon lidhjes me Internet, 73% e studentëve raportojnë që kanë lidhje wireless me Internet në shtëpi, ndërkohë 22% përdorin lidhjen nga telefoni (3G/4G). Megjithatë 12% nuk kanë lidhje të vazhdueshme me internet, çka do të vështirësonte realizimin e aktiviteteve online.
Sa i takon platformave të përdorura për të realizuar mësimin online apo video-konferenca, studentët raportojnë përgjithësisht: Whatsapp, Skype dhe Zoom si edhe platforma të tjera të ofruara nga universiteti. Sa i takon përdorimit të platformave online, një e katërta e studentëve raportojnë se janë disi familjar dhe i përdorin me lehtësi ato. Ndërkohë 40% e studentëve nuk kanë përdorur ndonjëherë (19%) ose i kanë përdorur shumë pak platformat e punës apo mësimit online (21%).
Të pyetur se cilat do të ishin nevojat e tyre nëse debatet zhvillohen online, 68% e studentëve raportojnë se kanë nevojë për koordinim me anëtarët e skuadrës dhe mentorin. Ky është një tregues i mirë i kuptueshmërisë së tyre për rregullat e debatit të strukturuar dhe se pa koordinim nuk mund të realizohet me sukses. 59% raportojnë se kanë nevojë për trajnim dhe udhëzime për të përdorur platformën online që do të përdoret. Kjo nënkupton punë përgatitore nga ana e SCiDEV, skuadrës së projektit dhe mentorëve për të mbështetur studentët dhe realizimi i trajnimeve që sërish do të duhet të bëheshin online. Në një kuptim më të gjerë, kalimi i mësimit apo aktiviteteve të projektit online erdhi papritmas dhe pa përgatitjen e nevojshme si në infrastrukturë edhe në kapacitete të studentëve dhe pedagogëve për ta realizuar me sukses. Ndaj ne po tregohemi të kujdesshëm të kuptojmë sa mundësi reale kanë studentët për t’i realizuar debatet online duke arritur po të njëjtat rezultate që i kemi vendosur vetes: përforcimin e mendimit kritik, analizën me argumente, komunikimin me etikë, tolerancën për mendimin ndryshe etj.
Ndërkohë që nga përgjigjet e studentëve vihet re një situatë që favorizon përgjithësisht zhvillimin e debateve online apo aktivitete të tjera (pra ka një infrastrukturë të pranueshme dhe kapacitete që mund të ndërtohen më tej), ajo çka përbën sfidën e vërtetë është motivimi i tyre për të qenë aktiv dhe produktiv në kushtet e vetë-izolimit e distancimit social si pasojë e pandemisë. Të pyetur si do ta përshkruanin situatën ku ndodhen aktualisht, shumica e studentëve raportojnë që situata e re u ka bllokuar aktivitetin normal dhe u ka shkaktuar një lloj gjendjeje apatie dhe ‘parazitizmi’ duke mos bërë asgjë me vlerë gjatë qëndrimit në shtëpi. Të tjerë studentë raportojnë që janë ngadalësuar aktivitetet e tyre normale, por kanë filluar aktivitete të tjera në kushtet e vetë-izolimit sikurse është mësimi online. Shumë më pak raportojnë se kjo periudhë i ka shërbyer për reflektim. Megjithatë togfjalëshat më të përdorur për këtë përgjigje të hapur është: na ka bllokuar / jemi dembesolur / nuk kemi motivim.
Si duhet vepruar për të motivuar studentët? Si të kuptojmë secili prej nesh që pikërisht në këto kushte është më e nevojshme për të qenë produktiv? Pra aktiviteti normal i studimeve, detyrave të kursit, aktiviteteve ekstra kurrikulare duhet të vazhdoj dhe bërja e këtyre aktiviteteve online është mundësi e mirë për të njohur më mirë teknologjinë dhe reflektuar mbi ndikimin e saj. Gjithashtu, qëndrimi në shtëpi ofron mundësi shumë të mira për të lexuar, për të mësuar një gjuhë të re, për të ndjekur performanca artistike, apo për të gatuar, për të bërë art e shumë aktivitete të tjera. Mjafton që të gjesh çdo ditë arsye për të qenë aktiv e mbajtur produktivitetin.
Është e lehtë kur mbahet një strukturë apo rutinë që fillon me vendosjen e qëllimeve apo objektivave dhe shpërblimin e vetes ku i ke realizuar ato. Kjo mund të bëhet individualisht, por edhe në komunikim dhe lidhje me bashkëmoshatarë, kolegë apo pedagog. Komunikimi në rastin e distancimit social është edhe më i nevojshëm, pavarësisht se bëhet virtualisht. Mësimi online mund të shtoj presionin, prandaj komunikimi dhe ndarja e përvojave ndihmon.
Gjatë kësaj periudhe SCiDEV i fton studentët që të bëhen pjesë e nismës ‘#QëndronëShtëpi #QëndroAktiv’, të ndajnë me të tjerët përmes fotove, mesazhe pozitive se si po e shfrytëzojnë periudhën e izolimit. Për më tepër, studentët mund të publikojnë shkrime në rubrikën e Blog-ut të debatit universitar mbi tema që lidhen jo vetëm me integrimin europian, por edhe me aktualitetin: si ka ndryshuar realiteti ku punojmë e studiojmë nga pandemia. Disa studentë në fakt janë shumë aktiv në këtë rubrikë dhe shkrimi u ka shërbyer për të bërë edhe analiza të shkurtra, lexuar më shumë dhe reflektuar rreth situatës.
Edhe pse rezultatet e pyetësorit nuk mund të përgjithësohen për të gjithë studentët në vend, pasi i referohen vetëm një grupi të caktuar studentësh pjesëmarrës në projekt, ato na tregojnë për sfidën e të qënurit aktiv e produktiv në kushte të jashtëzakonshme si këto që po jetojmë. Ndërkohë që sfida është e kuptueshme nga vetë situata, gjithsesi kapërcimi i saj kërkon pikërisht të jemi krijues e të qëndrojmë aktiv e produktiv si një shërbim ndaj shëndetit mendor e trupor për veten, por edhe si shërbim ndaj shoqërisë.
Raporti i gjetjeve gjendet tek Burime.