Përfundimet e Webinar #3 nga SCiDEV

Pandemia COVID19 ka shkaktuar ndryshime rrënjësore të ‘normalitet’ që njihnim dhe sipas të gjitha gjasave kjo përbën një nga krizat më të mëdha të shoqërisë bashkëkohore. Një ndër dimensionet e krizës është edhe disinformimi dhe përhapja e lajmeve të rreme. Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV) organizoi një takim virtual me ekspertë të fushës, studentë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të tjerë të interesuar për të diskutuar rreth fenomenit dhe masave kundër tij.

 

Teknikat e disinformimit: beteja mes gazetarit qytetar dhe atij profesionist

 

  1. Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë u fokusua në mënyrat se si krijohet dhe shpërndahet lajmi i rremë dhe nevojën për edukim qytetar. Realiteti mediatik në Shqipëri karakterizohen nga inflacionizmi i numrit të mediave tradicionale dhe mediave online, dhe numëron rreth 800 platforma online të lajmeve dhe zhanreve të tjera si blogje. Sipas tij, në mjedisin mediatik shqiptar ka një betejë mes qytetarit gazetar dhe komunitetit të gazetarëve profesionist, një përballje kjo e lidhur ngushtë me besimin publik ndaj medias. Gazetari qytetar ka një akses thuajse të barabartë me gazetarin profesionist në sajë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe gjithashtu përfshihet në proces raportimi. Shpesh aktorë politikë apo të tjerë investohen për t’i përdorur gazetarët qytetar për arsye propagande, sidomos në mjedisin mediatic online në mënyrë që të krijohen narrative të caktuara në në hapësirën opinion-bërëse online.

 

 

Disa nga teknikat e disinformimit dhe lajmit të rremë

 

Teknika e ‘Ping Pong-ut’: Koordinimi i disa platformave njëkohësisht për të publikuar një lajm të caktuar duke krijuar një narrativë specifike me qëllim ushtrim ndikimi.

 

Teknik ‘ujku thërret ujkun’ – Një administrator i një portali krijon një lajm për një qëndrim politik apo interes të caktuar dhe përcjell në platforma të ndryshme online dhe krijon perceptimin publik sikur akuza e një individi ose një institucioni është i një interesi të madh publik.

 

Teknika e përdorimit të titujve bombastikë dhe jo në përputhje më përmbajtjen e lajmit duke sjellë kaos disinformues.

 

Teknika e përzgjedhjes selektive e fakteve ose qëndrimeve si p.sh. mënyra si paraqiten statistikat për fondet publike, investimet etj.

 

Teknika e servirjes se fakteve false (binjakërim me lajmet e rreme) – marrja e lajmit të vërtetë dhe shndërrimi në lajm të rremë.

 

Teknika “e gjitha për një pjesë” – portretizohet një gazetar apo një analist si qëndrim i të gjithë medias dhe merret si referencë për të përforcuar një narrativë të caktuar.

 

 

 

 

 

 

 

Censura më e rrezikshme se disinformimi

 

  1. Gjergj Erebara, gazetar Reporter.al dhe BIRN Albania theksoi problematikën e censurës. Pandemia ka shkaktuar një moment reflektimi si për informimin edhe për disinformimin. Sot ne kemi më shumë mjete informimi se sa më përpara, por gjithashtu, edhe mjetet për disinformim janë përshkallëzuar. Nëse do t’i vendosim në balancë të dyja, duket sikur aftësia jonë për t’u informuar në kohë reale dhe komunikimi i shpeshtuar gjatë shekullit të XX dhe XXI, fal teknologjisë të informacionit, ka bërë që informacioni të jetë një alet i madh në betejën kundër COVID-it në vend të jetë një pengesë e madhe. Sipas Erebarës, problemi i disinformimit apo i lajmeve të rreme duket sikur është i fryrë jashtë proporcionit.

 

Ai u ndal në rastin e pandemisë në Shqipëri dhe situatën e krijuar mes Kryeministrit dhe medias. Kryeministri Rama i dërgoi një mesazh qytetarëve të vendit ku në vend t’u thoshte ruhuni nga disinfomimi, u tha ruhuni nga mediat. Qeveria po përpiqet të përdori pandeminë për të forcuar më tej thuajse monopolin që ka mbi të vërtetën dhe mbi mediat konvencionale dhe dominimi që i bën mediave sociale.  Erebara e vuri theksin tek mbizotërimi i informacionit zyrtar dhe pengesat për ta vënë në pikëpyetje atë apo për ta verifikuar për shkak të situatës së gjendjes së jashtëzakonshme nga pandemia. Ai nënvizoi se edhe në kushtet e pandemisë është detyra jonë të kujdesemi dhe të shikojmë se pandemia është një gjë që luftohet me qytetari dhe jo me dhunë dhe dhuna nuk parandalon virusin. Rreziku me i madh është censurimi që ka bërë qeveria mbi mjetet e komunikimit dhe pamundësia që kanë gazetarët për të bërë pyetje. Sa është kapaciteti testues i institucioneve të shëndetit publik sot?

 

A mundet Shqipëria sot të bëj 1000 teste në ditë apo vetem 300 në ditë? Nqse rast se ka nevojë të rritet ky kapacitet testimi a është e mundur? Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje nga dominimi i diskursit që jemi në situatë pandemie dhe çdo pyetje është e padëshirueshme. Ai përfundon duke theksuar: “Në kuadër të pandemisë neve përveçse faktit që duhet të ruhemi nga virusi duhet të ruhemi edhe nga censura, keqinformimin apo disinformimin që prodhon drejtpërdrejt i ashtuquajturi kanali zyrtar i informimit”.

 

 

Përhap fjalën, jo virusin

 

Znj. Nora Kushti, Menaxhere Komunikimi në UNDP Albania prezantoi fushatën #PërhapFjalënJoVirusin, një bashkëpunim i UNDP Shqipëri dhe Telekom Albania.  Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Telekom Albania kanë nisur një partneritet për të mbështetur luftën kundër pandemisë së koronavirusit, fushatën e përbashkët “Përhap Fjalën, Jo Virusin.” Në qendër të fushatës është një portal interneti ku secili qytetar gjen informacion të saktë për këtë sëmundje, për mënyrat e parandalimit të saj, si edhe këshillat për të zbatuar distancimin social. Njëkohësisht kjo faqe lidhet me burime të besueshme shëndetësore, në mënyrë që publiku të mbrohet nga informacionet e pasakta. Një mjek i disponueshëm 4 herë në javë për tju përgjigjur pyetjeve të qytetarëve. Janë arritur rreth 600,000 njerëz dhe 480 pyetje për mjekun. Znj. Kushti theksoi nevojën për të luftuar lajmin e rremë përmes informacioneve të sakta dhe të bazuara në evidenca dhe kërkim shkencor. Ajo këshilloi përdorimin e mendimit praktik: verifikimi i lajmit në disa burime, identifikimi i autorit, datës së lajmit dhe njohuritë për burimet e besueshme. Gjithashtu ajo theksoi rëndësinë e gazetarisë së bazuar tek të dhënat për të rritur besueshmërinë publike.

 

 

 

 

 

 

Media dhe interesi publik përkundër fabrikimit të lajmit

 

  1. Zef Preçi, nga Albanian Center for Economic Research, theksoi edhe pse jetojmë në një kohë kur informacioni ka më shumë rëndësi së kurrë, ai është në fakt më i papërpunuar se kurrë. Media duhet të qëndroj tek interesi publik, jo të fabrikojë çështje që nuk kanë interes për publikun, thjesht për të larguar vëmendjen. Ai parashtroi disa këshilla konkrete:
  • Shkoni në burim të lajmit dhe verifikoni.
  • Shihni disa media për të verifikuar lajmin.
  • Përfshihuni në debat.
  • Rritja e kapaciteteve tek gazetarët e mediave online
  • Një numër çështjesh që kanë interes publik duhet të mbulohen nga analiza të bashkërenduara dhe të mbështeten nga donatorët që të kenë influencë e presion mbi politikën
  • BIRN / Open data të mbështeten më shumë për të qenë më fleksibël me situatat. Ofrimi i informacionit të dobishëm dhe të përshtatshëm për audiencën.

 

  1. Preçi përfundoi duke theksuar lirinë e medias: “Më mirë shtypin sikurse është, sesa një shtyp i kontrolluar nga qeveria”.

 

Besueshmëria në media dhe edukimi

 

Dr. Blerjana Bino, bashkëthemeluese e SCiDEV, u ndal tek disa hapa të mundshëm për të luftuar disinformimin dhe censurën dhe rritur besimin në media përmes edukimit. Jo të gjithë qytetarët kanë të njëjtën aftësi për të verifikuar lajmin, ka nevojë për edukim për mënyrën si duhet lexuar, kuptuar, interpretuar lajmin. Ka mungesë motivimi për studentët / të rinjtë të ndjekin karrierën në gazetari për shkak të kushteve të punës dhe trajtimit denigrues ndaj medias.  Krahas pwrfitimeve që sjell teknologjia do të kemi gjithmonë nevojë për gazetarë profesionistë. Vetë-rregullimi dhe kodi etik si qasja që mund të ndiqet nga aktorë për të luftuar disinformimin dhe censurën. Duke e përmbyllur fjalën ajo theksoi nevojën që media vetë duhet të rrisë nivelin e besueshmërisë së saj tek qytetarët.

 

Xhensila Mirashi, gazetare dhe aktiviste rinore në Korçë gjithashtu nënvizoi rolin e edukimit sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë dhe përfshirjen e edukimi mediatik si pjesë e kurrikulës në shkollë sidomos për të rinjtë.