Renis Bakalli —
Student pjesëmarrës në debatin universitar për integrimin
Corona virus. Covid-19. Do të ishin këto termat e rinj, fare të rinj, të padëgjuar, të afta të na tregonin paaftësinë tonë për zbulimin e identitetit të vërtetë të këtij virusi me emrin e birrës fort të pëlqyer nga të gjithë ne. Do ishin këto terma që do ktheheshin në një periudhë të shkurtër kohe shkaku I fillesës së një modeli të ri jete.
Një jetë pas në vite e ndoshta pas në shekuj. Bota tashmë ka fikur motorrin e saj. Shqipëria si pjesë e këtij fshati global po ashtu. Shtepitë janë plot. Lokalet janë bosh. Garazhet janë plot, rrugët janë bosh. Të pasurit janë brenda në shtëpi, të varfërit po ashtu. Për herë të parë deputetë e politikanë nuk kanë imunitet. Gjithëpërfshirja e këtij virusi pa dallim e ktheu në ‘’pandemi’’, dhe e gjithë bota po e lufton. Varfëria sot është një pandemi. Krimi është një pandemi. Kequshyerja është një pandemi. Pabarazia është një pandemi. Vjedhja sot është një pandemi. Patjetër që po. Të gjitha këto që përmenda janë një pandemi dhe lista sigurisht vazhdon. Numri i të prekurve nga këto pandemi është shumë herë më i madh dhe ai vdekjeve shumë herë më i lartë. Por cili është ndryshimi mes diversitetit të pandemive dhe kësaj që po jetojmë? Gjithëpërfshirja. Fakti që kësaj here paraja dhe pushteti nuk krijojnë mburojë. Statistikat tregojnë që numri i vdekjeve nga raste tashmë të njohura dhe me kura tashmë të zbuluara është shumë herë më i lartë se numri i vdekjeve nga Covid-19. Dhe zgjidhja e tyre bëhet me para. Ke të tilla? Ia hodhe. Nuk ke? ‘’Më vjen keq, bëmë më të mirën tonë’’. Por pavarësisht opinionit personal referuar çështjes, kjo që po jetojmë është një pandemi e cila na ka paralizuar.
Ky virus vuri në dukje ‘’përsosmërinë’’ tonë, të perëndimit të zhvilluar, të Amerikës së mundësive, të Kinës së avantazheve konkuruese dhe gjithçkaje kishim si guide drejt më të mirës. Me sa duket u duhet të rishohin edhe njeherë këtë përsosmëri nga një këndvështrim tjetër.
Viti 2020. Kush vallë do ta mendonte se të bërit asgjë do të ishte në dobinë e vijimësisë së jetës normale? Kush do ta mendonte se shtrengimi i duarve si shenjë respekti dhe përqafimi si forma më e lartë e shfaqjes së dashurisë do të ishin rreziku i sigurt i së ardhmes? Kush do ta mendonte se për herë të parë bashkimi nuk e bën më fuqinë, por individualisht të gjithë mund të kemi mjaftueshmërisht fuqinë për të bërë ndryshimin. Kush do ta mendonte se teknologjia edhe pse e pandashme në përditshmërinë tonë do ishte zgjidhja e vetme për realizimin e zgjedhjeve tona. Kush do ta mendonte se për herë të parë shtëpitë do të ishin tërsisht në funksion të qëllimit për të cilin u ndërtuan? E kush do ta mendonte se biçikleta dhe jo makina do ishte luksi i kohës?
Me sa duket nuk na kanë mbetur shumë zgjedhje dhe zgjidhje. Zgjidhja herët ose vonë do të gjendet, e deri ateherë na duhet të zgjedhim. E nga zgjedhja jonë varet edhe e ardhmja jonë, e prindërve tanë, e gjysherve tanë, e të afërmve tanë, e ardhmja e cdonjërit kemi të shtrenjtë në jetën tonë. Me pak fat e ardhmja do të na buzeqeshi dhe e tashmja do jetë një kujtim i largët i së shkuarës. Deri atehërë, fli gjumë dhe bëj asgjë që bëhet jashtë.