Prof.Asoc.Dr. Teuta Xhindi, Matematikane dhe Anëtare e Rrjetit të Grave Shqiptare në STEM

*Ky artikull blogu publikohet në kuadër të projektit: STEMspresso lokal – Promovimi i grave në STEM nga të rinjtë për të rinjtë”, qëllimi i të cilit është të kontribuojë në rritjen e vizibilitetit të grave dhe vajzave shqiptare në STEM dhe të ndërtojë një kulturë edukimi STEM mes te rinjve në Shqipëri.Ky projekt zbatohet nga Scidev me mbështetjen e UNDP Albania , në bashkëpunim më Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si pjesë e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë.*

Bazuar në të dhënat e INSTAT, numri total i studentëve që vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë për vitin akademik 2021-22, është 123.880 studentë, nga të cilët 73,493 janë studente gra dhe vajza ose 59,3% e numrit të përgjithshëm.

Në vitin akademik 2021-22, një e katërta e numrit të përgjithshëm të studentëve është përqërdruar në fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ndërsa fusha më pak e preferuar është “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari” ku janë të regjistruar vetëm 2,2 % e numrit të përgjithshëm të studentëve.

Lidhur me fushat e STEM, më poshtë paraqiten ndryshimet në përqindje në numrin e studentëve të rregjistruar, krahasuar me vitin akademik 2020-2021:

1.Fusha “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim”, ka një rritje me 9,8%

2.Fusha “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë”, ka një rritje negative me -7,5%

3.Fusha “Teknologji e informacionit dhe komunikimit”, ka rritje me 1,4%

Lidhur me numrin e vajzave dhe grave në fushat e STEM, megjithë disa statistika të kënaqshme, ka shumë për të bërë për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave por në veçanti për të ndërtuar një karrierë në fushat e STEM.

Disa porosi që mund t’u jepen  vajzave, për t’i drejtuar në fushat e STEM:

1.Ritmi i shpejtë i përparimit teknologjik dhe perspektiva për zhvillimin e mëtejshëm të saj, është tregues i momentit të duhur kohor për të ndjekur një karrierë në STEM. Ka shumë mundësi punësimi për të diplomuarit në fushat e STEM dhe që janë të mirëpaguara.Bazuar në disa studime, pesë fushat e studimit në STEM që sugjerohen për t’u ndjekur janë: Data Science, Inxhinieria mjedisore, Internet of things, Urbanizimi, Cybersecurity.Ndjekja e një karriere në fushat e STEM, do ju bëjë të pavarura në një mjedis ekonomik të paqëndrueshëm dhe të pafavorshëm.

2.Ka shumë rëndësi mbështetja e grave dhe vajzave në fushat e STEM me njëra tjetrën. Psh, lidhur me këtë, Rrjeti i Grave dhe Vajzave në fushat e STEM, i krijuar nga SCiDEV është një eksperiencë pozitive për promovimin e grave dhe vajzave në fushat e STEM. Organizimi i aktiviteteve me në qendër nxitjen e grave dhe vajzave për të vijuar studimet në fushat e STEM apo diskutimi i temave me interes të përbashkët, shërben për të rritur vizibilitetin dhe për t’ju frymëzuar për të filluar rrugëtimin në STEM.

3.Të mos tërhiqen para vështirësive. Megjithë momentet e vështira dhe pengesat, asnjëherë mos u dorëzoni. Rëndësi ka qëllimi dhe nuk duhet të shterojë energjia për ta arritur atë.